Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Shqiptarët e paguajnë naftën më shtrenjtë se pjesa më e madhe e qytetarëve të botës. Sipas të dhënave nga platforma “Global Petrol Prices”, një litër naftë në vend kushton 1.92 euro. Me këtë nivel çmimi, Shqipëria është vendi i parë në rajon dhe i pesti në botë për çmimin më të lartë të naftës. Në Ballkan, pas vendit tonë pason Serbia me 1.52 euro/litër dhe Mali i Zi me 1.51 euro/litër, Ndërsa çmimi i naftës zbret ndjeshëm në Bosnje Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut, respektivisht me 1.29 euro/litër dhe 1.28 euro/litër.
Në fillim të vitit një litër naftë në vend shitej mesatarisht për 204 lekë, për të rënë në 179 lekë për litër në maj. Aktualisht, në pikat e karburanteve, lënda djegëse tregtohet për rreth 198 lekë për litër.
Por pse ne paguajmë më shtrenjtë se të tjerët për karburantet?
Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi, me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria. Të dhënat nga bursa Platts tregojnë se çmimi naftës ka rënë në 836 dollarë për ton nga 883 dollarë muajin e shkuar.
Duke qenë se lënda blihet në dollarë, ndryshimi i kursit të këmbimit është faktor i rëndësishëm për përcaktimin e çmimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, në fillim të muajit një dollar këmbehet me gati 100 lekë, ndërsa aktualisht me 94.82 lekë. Kjo do të thotë se çmimi i naftës duhet të ulej, gjë që nuk ka ndodhur.
Nga ana tjetër, konsumi i naftës dhe benzinës në vend është rritur. Shqipëria ka importuar këtë vit më shumë karburant se kurrë më parë. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në harkun e muajve janar-tetor u blenë nga jashtë 512.352 ton karburant. Kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, importet janë rritur me rreth 50 mijë ton ose 10.8%.
Taksat që “rëndojnë” naftën
Përvec ecurisë së tregut ndërkombëtar ku nafta blihet, faktori tjetër i rëndësishëm që përcakton çmimin e saj është niveli i taksave dhe tatimeve, ajo që ndryshe njihet si barra fiskale. Aktualisht qytetarët shqiptarë paguajnë plot 8 taksa mbi çmimin e karburanteve, çka përbën një rast të paprecedentë, jo vetëm në Evropë, por edhe në shkallë globale.
Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliencimi.
Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhetin e shtetit u shtohen dy të tjera që paguhen për koncesionarët privatë. Ato janë tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, të cilat të dyja bashkë rëndojnë 3 lekë në çdo litër karburant.
Në fund, mbi katër taksat shtetërore dhe tre private, shtohet edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. TVSH-ja mbi naftën është 20% e çmimit final ose rreth 30 lekë për litër. Kjo e çon barrën totale të taksave që qytetarët paguajnë për një litër naftë plot 112 lekë. Pra në një litër naftë, që sot në treg shitet rreth 198 lekë, vlera e produktit është vetëm 86 lekë, ndërsa 112 lekë janë taksa, që qytetarët i paguajnë jo vetëm për qeverinë, por tashmë edhe për koncesionarët privatë. Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëri renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë, në vlerë absolute. Ndërsa nëse krahasohet sipas fuqisë blerëse të qytetarëve, Shqipëria është vendi ku karburanti kushton me shtrenjtë se kudo tjetër në planet.
“Dy janë faktorët kryesorë që kemi çmimin e lartë të naftës: Shqipëria është e varur tërësisht nga produktet që vijnë nga importi, pra nuk prodhon vetë naftë prej disa vitesh tashmë që kur u mbyll rafineria dhe e dyta, që është më e rëndësishmja është pesha fiskale. Ne kemi një barrë fiskale që është jashtëzakonisht e lartë dhe në disa raste zë deri në 60% të bazës së çmimit të shitjes. Kështu që kjo peshë e rëndë fiskale shpropocionale krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe botës ka bërë nafta në Shqipëri të jetë më e shtrenjtë se në vendet e tjera të rajonit dhe botës”, shpjegon Pano Soko, ekspert për ekonominë.
I të njëjtit argument është edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Igli Tola. “Lëvizja e çmimeve në tregun e hidrokarbureve ndjek trendin e çmimeve kryesisht të çmimit të naftës në tregun e Mesdheut dhe kjo shpjegon rritjen e fundit të çmimeve apo dhe rritjen e mëparshme. Por shtua kësaj, një konfirgurim taksash tejet i disfavorshëm për naftën, bën atë që ne themi që kemi çmimin e naftës më të lartin në rajon dhe ndër më të lartit në botë”, deklaron Tola.
Ndërsa për ekspertin Klodian Muço, çmimi i lartë i karburanteve është pasojë edhe e abuzimit të tregtarëve të shumicës dhe pakicës. “Përcaktimi i çmimeve të naftës varet nga disa faktorë: struktura e çmimit përbëhet nga çmimi i naftës në bursë plus kostot e transportit plus barrën e taksave, që janë tek nafta. Problemi qëndron pse jemi më lart se të tjerët në çmim? Faktori kryesor është se barra e taksave është më e lartë se në vendet e tjera.
Faktori i dytë është abuzimi që bëjnë tregtarët, qoftë këta të shumicës apo pakicës, në sensin që ne kemi një ndër shitësit kryesorë në treg që kontrollon qoftë pjesën dërrmuese të shitjes me shumicë, ashtu edhe pjesën dërrmuese të shitjes me pakicë. Ka një përqendrim horizontal dhe vertikal.
Aspekti i tretë është që krijimi i Bordit të Transparencës përbëhej nga një pjesë e mirë e tregtarëve të shumicës dhe pakicës dhe anëtarë të qeverisë. Bordi u shtyu në mendje këtyre tregtarëve që mund të gjendet një gjuhë e përbashkët për përcaktimin e çmimeve në treg. Dhe praktikisht po të shohësh, nga shkrirja e Bordit e deri më tani, çmimet janë thuajse të ngjashme tek të gjithë tregtarët, nuk ka luhatje të mëdha duke kaluar nga njëra pikë në tjetrën. Kjo tregon se po operojnë në formën e një karteli, në kurriz të qytetarëve”, shprehet Muço.
Cfarë mund të bëhet për të ulur çmimin e karburanteve?
Ulja e çmimit të karburanteve ndonëse deri më tani ka rezultuar e pamundur, është e realizueshme. Për ekspertët e ekonomisë zgjidhja është një skenarë me masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.
“Shqipëria ka rezerva dhe dikur ka pasur rafinerinë e përpunimit. Kjo do ta bënte më të përballueshme situatën nga qytetarët shqiptarë. Për sa kohë, ndikimi ynë në afatshkurtër dhe në afatmesëm është i pamundur, mënyra e vetme mbetet ngarkesa fiskale për të ulur çmimin apo për ta kthyer deri diku në një balancë normale. Mund të bëhet heqja e përkohshme e ndonjë prej taksave apo ndonjë manovrim për reduktim të TVSH-së ose ndonjë takse tjetër, mbetet e vetmja mënyrë për ti dhënë një zgjidhje”, shprehet Igli Tola, ekspert për ekonominë.
Ulja e taksave, qoftë edhe e përkohshme shihet si zgjidhja më e shpejtë për të çuar tregun drejt uljes së çmimit të karburanteve. “Natyrisht dy do të ishin zgjidhjet për uljen e çmimit të naftës: një reduktim i bazës fiskale që do të ndikonte drejtpërdrejtë në uljen e çmimit të naftës dhe e dyta, marrja e masave për të siguruar prodhimin e nënprodukteve hidrokarbure në vendin tonë. Pra, gjetja e një rruge për rafinerimin e naftës bruto që prodhohet në vend dhe për ta nxjerrë në treg. Kështu do të shmangnim edhe kostot e transportit, të cilat në shumë raste ndikojnë jo pak, veçanërisht kur ka kriza të natyrave të përgjithshme, që jo vetëm rrisin çmimin, por reduktojnë edhe pikat e shitjes së naftës”, argumenton Pano Soko, ekspert për ekonominë.
Ndërsa për ekspertin Klodian Muço, qeveria dhe institucionet shtetërore duhet të mos lejojnë marrëveshje të fshehta nga operatorët dhe pozita dominuese të tyre në treg.
“Masat që mund të merren janë të shumta. E para, nuk duhen lejuar të njëjtët operatorë që kontrollojnë shumicën dhe pakicën. Duhen bërë monitorime nga Autoriteti i Konkurrencës nëse vërtet sektori i naftës po operon si kartel n treg. Aspekti tjetër është stimuli konkurrencë, i cili do të bëjë të mundur uljen e çmimit të naftës deri diku, pasi nuk varet vetëm nga një faktor”, deklaron Muço.
Nafta e shtrenjtë, me kosto për të gjithë
Cmimin e lartë të naftës nuk e paguajnë vetëm ata që kanë automjet apo biznesi i transportit. Cdo konsumator ka kosto të pashmangshme nga shtrenjtimi i këtij produkti. Kjo pasi karburantet përbëjnë 90% të zinxhirit ekonomik të vendit, duke shërbyer si lëndë e parë në thuajse të gjitha produktet dhe shërbimet.
“Nafta është produkt i lidhur drejtpërdrejtë me pjesën më të madhe të zinxhirit të ekonomisë. Pothuajse, 90-95% e ekonomisë ka një lidhje direkte ose indirekte me çmimin e naftës. Ndikimi i saj është kudo. Është i vetmi produkt që mund të shkaktojë një krizë inflacioniste në të gjithë zinxhirin e ekonomisë. Kjo ka ndodhur tashmë në Shqipëri, kur u a kriza e vitit 2021, pas luftës së Rusisë mbi Ukrainë. Dhe nafta ishte lokomotiva e të gjithë inflacionit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Por natyrisht, në Shqipëri pati rolin e saj”, shprehet Pano Soko.
Për ekspertin Igli Tola, nafta nuk është mall luksi dhe as të pasurit të një makine. Është një domosdoshmëri në kushtet e zhvillimit urban, por edhe problemeve me transportin publik.
“Kur flet për karburantin duket sikur flet për një produkt luksi por nuk është i tillë. Është një produkt që direkt ose indirekt ndikon në çmimin e çdo produkti apo shërbimi që çdo qytetar konsumon në përditshmërinë e tij dhe nuk është thjesht një produkt që prek vetëm zotëruesit e një automjeti, edhe pse duhet thënë që zotërimi i një automjeti nuk është më një luks, por një domosdoshmëri në situatën e zhvillimit urban që ka sot Shqipëria”, deklaron Tola.
Në finale, karburantin e shtrenjtë e paguajnë të gjithë, edhe ata me të ardhura nën mesataren.
“Ne e pamë edhe gjatë pandemisë, nafta është një element i rëndësishëm dhe ndikon si në pjesën e logjistikës që më pas shkarkohet në çmimin final të të gjitha produkteve, ndikon në koston e jetesës së qytetarëve, ku kalimi nga shtëpia në punë dhe anasjelltas po bëhet gjithmonë e më i shtrenjtë”, argumenton eksperti Klodian Muço.
Situata bëhet edhe më e vështirë, në kushtet kur shqiptarët, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës po vuajnë rritjen e çmimeve apo atë që ndryshe njihet si kriza e inflacionit. Me konfliktet gjeopolitike ende të pazgjidhura dhe me problemet e brendshme, një pjesë e të cilave me natyrë ekonomike, tregu i karburanteve mbetet i rrezikuar nga oshilacione të tjera, ku tendenca do të jetë për shtrenjtim të mëtejshëm, përderisa edhe në “kohë paqe” çmimet nuk ulen.