Java Globale e Sipërmarrjes, që u zhvillua në datat 13-19 nëntor, shërbeu për të vendosur një formë t re bashkëpunimi mes Ministrisë Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit që ishte organizatorja dhe biznesit. Mbi 60 takime u zhvilluan në të gjithë vendin me përfaqësues të bizneseve të niveleve të ndryshme, për të evidentuar potencialet e zhvillimit dhe problematikat.
Në eventin përmbyllës së kësaj Jave të rëndësishme, që këtë vit u organizua krejt ndryshe nga vitet e mëparshme, ministrja e Sipërmarjes, Delina Ibrahimaj shprehu falënderimet për gjithë partnerët ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e biznesit që bashkëpunuan në kuadër të aktiviteteve të GEW.
Java Globale e Sipërmarjes në Shqipëri, tha Ibrahimaj, ia arriti qëllimit për të bashkuar në tryeza të përbashkëta aktorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, për të nxitur diskutime dhe iniciativa, të cilat do të jenë pjesë e planeve të punës së politikëbërjes në vijim.
Sipas Ministres, GEW vuri theksin te fuqia e bashkëpunimit dhe krijimi i një rrjeti i cili do jetë funksional edhe në të ardhmen, në mënyrë që konkluzionet e takimeve të zhvilluara të konkretizohen në plane pune dhe veprimi konkrete.
“Të gjitha eventet kanë shërbyer për një platformë për sipërmarrësit, drejtuesit e biznesit dhe politikëbërësit që të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide, të nxisin partneritete dhe prosperitetin ekonomik. Nga startup-et potenciale e deri te drejtuesit me përvojë të biznesit, secili prej jush ka luajtur një shumë të rëndësishëm në ecurinë e kësaj Jave dhe besoj që do të luajnë në të ardhmen një rol të rëndësishëm në formësimin e peizazhit të sipërmarrjes në vend, në ndërtimin dhe nxitjen e ekosistemit të start up-eve”, u shpreh Ibrahimaj.
Partneritetet e krijuara, vijoi më tej ministrja, do kthehen në angazhime të përbashkëta për tejkalimin e sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.