Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Bujqësia është konsideruar nga të gjitha qeveritë si një sektor prioritar, por mbështetja me fonde nuk ka qenë kurrë e tillë. Ky sektor i ekonomisë ka vuajtur gjithmonë mungesën e financimeve, si ato të akorduara nga buxheti i shtetit, nga programet e huaja dhe nga kredia bankare. Një situatë e tillë ka detyruar fermerët të stepen në diversifikimin e kulturave bujqësore apo në rritjen e prodhimit.
Por sa para jepen për bujqësinë? Në buxhetin 2024, të miratuar vetëm pak javë më parë nga parlamenti, fondet për Ministrinë e Bujqësisë janë planifikuar në 14.18 miliardë lekë. Kundrejt vitit 2023 konstatohet një rënie e financimeve me 1.45 miliardë lekë ose 9.3% më pak. Vetë ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj deklaroi përpara kolegëve deputetë se nevojiteshin trefish më shumë fonde.
Por sa para jep Shqipëria për bujqësinë kundrejt vendeve të tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian?
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vendi ynë financoi mesatarisht më 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021 (kjo është e dhëna e fundit referuese). Ky është niveli më i ulët në rajon dhe në Bashkimin Europian. Në të njëjtën periudhë, vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa tre vende të rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin norma më të larta financimi në raport të PBB-në të bujqësisë së BE, respektivisht me 0.36%, 0.56% dhe 0.68% .
Shqipëria jep më pak fonde për bujqësinë, në një kohë që ky sektor ka peshën më të madhe në Prodhimin e Brendshëm Bruto në rajon. Bujqësia jep 19% në PBB, ndërsa ka të punësuar rreth 540 mijë persona ose sa 44% e totalit të të punësuarve në vend.
Me një diferencë prej 10 pikë përqindje është Kosova, si vendi i dytë me peshën më të lartë të bujqësisë në Europë me 9.1% të PBB-së. Pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare është së të paktën 6 herë më e lartë se mesatarja e Europës dhe trefishi i mesatares rajonale.
Në Maqedoni, bujqësia zuri 7.9% të PBB-së, në Malin e Zi 6.8%, në Serbi 6% dhe në Bosnjë 5.6%. Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Europës ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së.
Problemet me fondet shtohen edhe më shumë në këtë periudhë, kur Bashkimi Europian ka pezulluar fondet e programit IPARD. Ky program ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha venddet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin e tyre të përkohshëm, bazuar në dyshimet për korrupsion.
Në buxhetin 2024, qeveria jo vetëm që nuk e mori parasysh këtë element, pra që financimet e huaja do të mungonin dhe nevojitej kompensim për fermerët, por përkundrazi shkurtoi edhe më shumë fondet për bujqësinë.
Një situatë e tillë nuk prek vetëm fermerët dhe bizneset e lidhura me bujqësinë, por drejtëpërdrejtë konsumatorët. Jemi ne të gjithë që detyrohemi të ushqehemi me prodhime importi me cmime të larta. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se për çdo produkt ushqimor që eksportojmë, importojmë tre të tjerë. Kështu, gjatë vitit 2022, u eksportuan 325.695 ton produkte, me vlerë 448 milionë euro. Ndërkohë që importet e ushqimeve kapërcyen sasinë e 919 mijë tonëve, me vlerë mbi 1.2 miliardë euro.
Problemet kyesore të bujqësisë
Në fakt, bujqësia mund të konsidreohet një ndër sektorët me më shumë probleme. Një pjesë e tyre të trashëguara në vite dhe të pazgjidhura prej mëse 2 dekadash. Përvec mungesës së financimeve, fermerët shqiptarë vuajnë kostot e larta të lëndëve të para, të cilat gjithashtu, importohen nga jashtë.
Informaliteti është një tjetër problem. Vetëm një pjesë e fermerëve janë të regjistruar dhe të pajisur me NIPT (rreth 97 mijë gjithsej në shkallë vendi). Ndërkohë që pjesa dërrmuese e tyre punojnë në informalitet të plotë, çka i pengon që të përfitojnë nga skemat kombëtare, të subvencioneve apo naftës pa akcizë apo edhe të aplikojnë për fonde të huaja (kur të zhbllokohet IPARD).
Një tjetër shqetësim jo i vogël është fragmentarizimi i tokës. Shqipëria ka mbi 300 mijë sera, me një sipërfaqe 1.26 hektarë. Kjo bën që prodhimi të jetë i paktë dhe i pamjaftueshëm për eksport, në rast se fermerët nuk bashkohen.
Fragmentarizimit i shtohen edhe problemet me pronësinë. Thënë ndryshe, një pjesë e fermerëve nuk kanë certifikata pronësie për sipërfaqen që zotërojnë. Kjo e bën të pamundur vendosjen e tokës së kolateral për marrjen e një kredie apo bashkimin e tokave bujqësore në koorperativa për rritjen e nivelit të prodhimit.
Një problem jo i vogël është mungesa e fuqisë punëtore, ndonëse kjo po konstatohet edhe në sektorët e tjerë. Fshati po braktiset, kryesisht nga të rinjtë, të cilët nuk e shohin perspektivën e tyre tek punimi i tokës.
Masat që propozohen
Sugjerimet për zhvillimin e bujqësisë janë të ndryshme, ashtu si edhe kërkesat e fermëreve dhe blergtorëve. Por në një pikë dakortësohen të gjithë: duhen më shumë fonde. Kjo veçanërisht në kushtet kur vendet e rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut e subvencionojnë fuqishëm nga buxheti këtë sektor.
“Vetëm 5% e fermave në Shqipëri janë financuar nga buxheti i shtetit dhe programi IPARD. Janë remitancat dhe kursimet e fermerëve që kanë bërë këto investime.
Statistikat e vitit 2023 që do të dalin, do të tregojnë që kemi një rënie shumë të madhe të prodhimit vendas. Sot që flasim kemi 60% më pak mollë, po importojmë aktualisht mollë nga Moldavia. Kemi rreth 30% më pak mandarina në Konispol dhe në Xarrë, që kemi mbajtur gjithë tregun ballkanik me eksporte. Kemi rreth 60% më pak rrush nga vreshtat. Nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë që ne të jemi importues i madh i fasuleve, i karrotës të qepës. Janë produkte që nuk i kemi diskutuar ndonjëherë plotësimin e kërkesës së konsumatorit të brendshëm. Sivjet na kanë ardhur dhe fasule nga Argjentina. Ajo që do të prisja në këto kushte janë më shumë fonde për nxitjen e invetsimeve në bujqësi, për nxitjen e zonave rurale dhe të rinjve në zonat rurale, për një menaxhim më të mirë të risqeve që vijnë nga ndryshimet klimaterike, të kishim financim për sigurimin në bujqësi”, shprehet Ilir Pilku, ekspert për bujqësinë.
Edhe Ervin Resuli, sipërmarës në këtë sektor evidenton mungesën e fondeve si shqetësimin kryesor, që do të ndihet veçanërisht vitin e ardhshëm. Sipas tij, do të preken disa kategori fermerësh.
“Mungesa e fondeve është një këmbanë alarmi, pasi fermerët dhe blegtorët do të kenë më pak fonde gjatë 2024. Plus IPARD nuk do të jetë, të paktën në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm. Do të ishte logjike që qeveria mbështetjen e munguar nga IPARD ta jepte nga buxheti, për ti dhënë një formë zgjidhjeje. Ata që duan të futen në bujqësi nuk gjejnë mbështetje as për ngritje godinash, as për mbjellje e mjete të tjera. Ata nuk ndihen të sigurtë për të hedhur paratë e tyre. Pa marrë në konsideratë që një pjesë e investitorëve ishin përgatitur që të investonin nëpërmjet skemës së IPARD dhe kjo fashë tani është lënë në pritje. Duhet të ishte menduar dhe për ta”, argumenton Resuli.
Ndërsa për ish zv.ministren e Bujqësisë, Ermira Gjeçi pavarësisht nevojës për fonde, bujqësia është zhvilluar vitet e fundit.
“Ne jemi ndeshur në të kaluarën me prodhime të qepëve dhe patateve që hidheshin në kanal, sepse prodhimet e vendeve të tjera, kryesisht të Kosovës ishin më cilësore dhe dilnin më herët sesa prodhimet shqiptare. Ne duhet të shkojmë drejt një bujqësie, e cila sjell të ardhura shtesë në familjen e fermerit, jo të ruajmë produktet tradicionale. Ajo që kërkon përmirësim është bashkëpunimi i sipërmarrjes me pjesën e politikbërjes”, shprehet Gjeci.
Një sektor që po tkurret, nga mungesa e interesit dhe financimeve, nga konkurrenca e vendeve të tjera dhe paqartësia e një modeli zhvillimi. Kjo është bujqësia sot, me shumë probleme. Por mbi të gjitha me dilema të forta për atë që do të jetë nesër!