Prodhuesit që gjenerojnë mbetje nga aktiviteti i tyre i biznesit do të paguajnë për trajtimin e mbetjeve. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për zbatimin e Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit” që sipas relacionit ka si qëllim ngritjen dhe funksionimin e skemës për Përgjegjësitë e Zgjeruara të Prodhuesit (PZP), në mënyrë që çdo person fizik ose juridik të paguajë detyrimin që i takon në këtë aspekt.
“PZP është një detyrim për prodhuesit, për kompanitë të cilat vendosin në tregun e brendshëm të vendit produkte, të cilat pasi përdoren, gjenerojnë mbetje që i përkasin njërës prej rrymave të mbetjeve të përcaktuara në projektligj, në përputhje me parashikimet e Ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011 ”Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. Këto kompani, sipas legjislacionit të BE-së për mbetjet kanë detyrime dhe përgjegjësi shtesë për të menaxhuar mbetjet që gjenerohen nga produktet e tyre.
Detyrimet e tyre rregullohen në një legjislacion të posaçëm në nivelin e BE-së. Disa detyrime kryesore të prodhuesit janë të financojnë dhe të krijojnë një sistem për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri dhe të përmbushin disa synime të rëndësishme për mbledhjen, riciklimin dhe trajtimin e tyre, siç përcaktohet nga legjislacioni i BE-së ose kombëtar” theksohet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Projektligji parashikon edhe detyrimet e biznesit, duke sanksionuar në nenin 16 atë që quhet taksa e produktit.
- Prodhuesi subjekt i PZP që vendos në treg produkte për herë të parë, paguan taksën e produktit, e cila përllogaritet në varësi të produkteve PZP që hedh në tregun vendas.
- Taksa e produktit bëhet e detyrueshme duke filluar nga data 1 Janar 2025.
- Prodhuesi që përmbush detyrimet PZP përmes pagesës së taksës së produktit, kryen pagesën e parë brenda datës 15 shkurt, për produktet e vendosura në treg gjatë vitit të mëparshëm.
- Metodologjia për përcaktimin e taksës së produktit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim nga ministri përgjegjës për mjedisin dhe ministri përgjegjës për financat.
- Të ardhurat që krijohen nga pagesa e taksës së produktit konsiderohen të ardhura dytësorë që 70% kalojnë në buxhetin e shtetit dhe 30% kalojnë në fondin special të ekonomisë qarkulluese, për t’u përdorur për përmbushjen e kërkesave të këtij ligji.
- Ngritja, funksionimi dhe monitorimi i Fondit special i Ekonomisë Qarkulluese miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të Ministrit përgjegjës për mjedisin dhe Ministrit përgjegjës për financat” thuhet në dokument.