Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Shqipëria rezulton të jetë vendi me nivelin më të ulët të papunësisë për të rinjtë në rajon. Kjo ka rezultuar nga raporti mbi Ekonomitë në Ballkanin Perendimor, publikuar nga Banka Botërore.
Sipas këtij raporti, në vendin tonë për vitin 2022 papunësia tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç rezulton të jetë 20.7%. Ndërkohë që në vendet e tjera është shumë më lartë. Në rajonin tonë, Bosnje Hercegovina rezulton të jetë vendi me nivelin më të lartë të papunësisë tek të rinjtë, me 35%. Ndërkohë që për Kosovën nuk ka të dhëna të përditësuara për vitin 2022.
Por sa e saktë dhe e vërtetë është kjo shifër për Shqipërinë, bazuar edhe në realitetin tonë ekonomik? Në fakt, ekzistojnë disa faktorë që ngrenë pikëpyetje të forta. E para është emigracioni i lartë, që ka pakësuar numrin e të rinjve dhe rrjedhimisht, bën që papunësia të dalë më e ulët. Elementi i dytë është që jo të gjithë ata të rinj që janë të papunë regjistrohen si të tillë. Ndërkohë që shifra e Bankës Botërore i referohet vetëm të rinjve që janë të regjistruar si të papunë pranë Zyrave të Punësimit. Faktori i tretë është punësimi në sektorin e bujqësisë. Ligjërisht, çdokush që ka një ngastër toke konsiderohet i punësuar, pavarësisht nëse e punon apo jo tokën apo nxjerr të ardhura prej saj. E njëjta logjikë vlen për të vetëpunësuarit.
Ekspertët shpjegojnë se ulja e papunësisë tek të rinjtë është pasojë e emigrimit të lartë të kësaj fashe të popullsisë, që në Shqipëri është më intensive se në vendet e tjera të rajonit.
“Duhet parë sesi e mat rajoni papunësinë tek të rinjtë dhe si e matim ne. Përtej kësaj, e zëmë se krahasimet janë të njëjta, një tjetër faktor mund të jetë emigrimi i lartë. Duke pasur emigrim të lartë dhe forcë pune e re është ajo që është larguar, mesatarisht me rreth 40 mijë në vit që largohen, duke u larguar të rinjtë, numri I atyre që mbeten këtu është më i vogël. Në këtë rast, sigurisht që papunësia ulet për këtë fashë sepse janë më pak.
Një element tjetër që duhet parë është se emigrimi i të rinjve në rajon nuk është aq i madh sa yni. P.sh, Mali i Zi ka emigrim minimal fare, edhe tek të rinjtë. Ndërkohë që ne kemi emigrim të lartë, edhe emigrim të rregull, edhe këtë klandestin që nuk matet fare”, shpjegon Erald Pashaj, ekspert për punësimin.
Ndërkohë për shkak të emigrimit të lartë janë shkaktuar boshllëqe të mëdha në tregun e punës. Kjo ka bërë që të krijohen mundësi për punësimin e të rinjve që kanë mbetur në Shqipëri, pavarësisht nëse ata janë të kualifikuar apo jo. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, punësimi tek të rinjtë arriti në vitin 2022 në nivelin 56.3%, me rritje të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit.
“Struktura e punësimit ka filluar të ushtrojnë presion edhe tek shtresat e papërgatitura. Edhe të rinjtë që janë shtresë e papërgatitur janë të gatshëm që t’i marrin në punë. Në këtë kuptim, punësimi i të rinjve është rritur. Ti merr njerëz të pakualifikuar, i kualifikon, pasi nevoja të bën që të shkosh të marrësh çfarë të gjesh. Në këtë kuptim ti gjen studentë, madhe edhe nxënës gjimnazi për t’i marrë, për t’i punësuar dhe për t’i paguar relativisht kënaqshëm. Deri dje, pagat ishin shumë të ulëta, sot nuk ka nën 40 mijë lekë. Ka edhe kategori që paguhen më shumë”, argumenton eksperti i punësimit, Erald Pashaj.
Ndërkohë për shkak të problemeve me emigrimin, por edhe problemeve me tregun e punës, numri i të rinjve që ndjekin arsimin e mesëm apo atë të lartë është në rënie. Sipas të dhënave të INSTAT-it, të regjistruar në arsimin e mesëm në vitin akademik 2022-2023 rezultojnë 95,845 nxënës, duke shënuar një ulje prej 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Ky është edhe viti akademik me nivelin më të ulët të nxënësve të regjistruar deri më tani.
E njëjta dukuri konstatohet edhe tek regjistrimet në arsimin e lartë. Sipas Institutit të Statistikave, në vitin akademik 2022-2023, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 121.352 studentë, me rënie 2% kundrejt vitit të mëparshëm akademik.
Ekspertët e punësimit shpjegojnë se janë të shumtë sektorët e ekonomisë që kanë nevojë për të rinjtë si forcë pune, ndërsa këta të fundit janë të interesuar për punë që sigurojnë fitime të larta kundrejt kualifikimeve të shpejta që mund të bëhen edhe nëpërmjet trajnimeve apo kurseve.
“Potenciali më i lartë për të punësuar të rinjtë vazhdon të mbetet çdo gjë që ka lidhje me teknologjinë dhe çdo gjë që ka një përgatitje të shkurtër kohe dhe jep fitime të larta. Këtu mund të jetë edhe një hidraulik apo elektricisti. Pasi nuk po flasim vetëm për të rinj në qytet, por edhe në zonat rurale. Të gjitha këto pozita pune që ty të japin para në një kohë të shkurtër, janë të gjitha tërheqëse. Këtu përfshihet edhe kamarieri gjatë sezonit të verës, pasi pagat u rritën dhe pati shumë interes edhe për kamarierë, ku paga arriti deri ne 80 mijë ose 85 mijë lekë.
Ndërsa sektorët që kanë mungesë janë ato që kërkojnë investime afatgjata. Këtu problem i madh është bujqësia, blegtoria, ndërtimi që nuk ka kërkesë, nuk ka interes. Plus konsiderohen nga të rinjtë si punë që nuk kanë prestigj dhe në afatgjatë nuk premtojnë për fitime. Me logjikën që po investuam, do të jemi mirë ekonomikisht në të ardhmen. As kjo nuk është”, deklaron Erald Pashaj, ekspert për punësimin.
Po çfarë duhet bërë që punësimi tek të rinjtë të rritet dhe të jetë i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës? Eksperti Erald Pashaj shpjegon dy kërkesat kryesore që kanë të rinjtë kur zgjedhin një punë.
“Unë nuk mendoj që qeveria apo aktorë të tjerë, përveç biznesit mund të bëjnë ndonjë gjë për punësimin e të rinjve. Nga sondazhet që ne kemi bërë, kemi evidentuar se të rinjtë duan dy gjëra më shumë se çdo gjë tjetër, përveç pagës. Duan të bëjnë karrierë, të kenë një profesion për të ardhmen, të ecin përpara dhe e dyta, mundësia për t’u trajnuar dhe për të marrë aftësi. Duan kurse të shkurtra që të profilizohen dhe kështu të kenë përfitim të madh. Që të nxisësh punësimin tek të rinjtë, duhet t’u japësh shpresë për të ardhmen, pasi shpresa për të ardhmen është ajo që i nxit më shumë se çdo gjë tjetër”, shprehet Pashaj.
Në një botë globale, ku për shkak të teknologjisë kufijtë për të kërkuar dhe ofruar punë nuk ekzistojnë më, tregjet janë gjithmonë në ndryshim dhe rrjedhimisht, edhe të rinjtë në ndjekje të mundësive më të mira.
Disclaimer:
Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast Neës Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.