Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Shqipëria ka një nivel të ulët të zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të kaluar online shumë shërbime publike. Portali qeveritar e-Albania dhe së fundmi, edhe kalimi elektronikisht i shërbimeve të Kadastrës (pavarësisht problemeve të shumta) nuk e kanë përmirësuar pozicionin e vendit tonë në raport me fqinjët për sa i përket zhvillimit të teknologjisë, asaj që sot konsiderohet edhe si e ardhmja e ekonomisë botërore.
Në Rankimin Evropian të Inovacionit, të publikuar nga Komisioni Europian, për vitin 2023, Shqipëria paraqitet e parafundit në rajon përsa i përket zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit, duke lënë pas vetë, Bosnje Hercegovinën.
Në këtë raport, që paraqet një vlerësim krahasues të performancës së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit të shteteve anëtare të BE-së, vendeve të tjera evropiane dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ka një rankim 41.1 % krahasuar me mesataren e BE-së. Një vit më parë, kishte 41.7% të mesatares.
Vendi më inovator në rajon është Serbia, me një rankim prej 63.2% të mesatares se Bashkimit Europian, pasuar nga Mali i Zi me 47% dhe Maqedonia e Veriut me 46.3%. Ne lëmë pas vetëm Bosnje Hercegovinën që ka një pozicionim prej 36.2% të mesatares së BE-së.
Ndërkohë që Kosova nuk është pjesë e këtij vlerësimi , por konsiderohet nga ekspertët shumë e zhvilluar se Shqipëria për sa i përket teknologjisë dhe inovacionit.
“Janë një sërë faktorësh që e bëjnë Shqipërinë të fundit në rajon për sa i përket zhvillimit dhe investimit në teknologji. Së pari, është biznesi që është promotori i zhvillimit, pasi ai prodhon kërkesën për sektorë të caktuar apo specialistë të caktuar. Bizneset kryesorë në Shqipëri merren ose me tendera publikë ose me veprimtari bazike, siç është rishitja apo ndërtimi, që kanë një angazhim teknologjik minimal. Më pas, renditen faktorët zhvillimorë, si p.sh sa investohet për arsimin, jo për arsimin në tërësi, por për arsimin profesional dhe në fusha të caktuara, si teknologjia, që janë edhe sektorët që paguhen më shumë”, shpjegon Igli Tola, ekspert për ekonominë, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
Sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë kanë aktualisht një nivel të ulët të përdorimit të teknologjisë dhe inovacionit. Sipas të dhënave nga shoqatat e biznesit, të tilla janë bujqësia; zejtaria; transporti dhe turizmi.
Përfaqësuesit e sipërmarrjes shpjegojnë se duhet të ndryshojë filozofia sesi është bërë biznes deri më tani dhe zhvillimi duhet të mbështet tek teknologjia. “Ne duhet të mendojmë që të bëjmë biznes ndryshe nga përpara vitit 2019, ndryshe nga çfarë kemi bërë përpara pandemisë. Ne po kalojmë në një erë të re të zhvillimit ekonomik dhe industrial botëror krejtësisht tjetër. Kemi një prezencë të shtuar të inovacionit, të kërkimit shkencor dhe Inteligjencës Artificiale. Robotizimi është një ndër instrumentet e këtij zhvillimi ekonomik. Ne duhet të qasemi me këto lloj zhvillimesh, duke u bashkuar në një tryezë me akademinë dhe qeverinë”, shpjegon Arben Shkodra, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.
“Unë mendoj që edhe biznesi dhe qeveria janë të prapambetur në këtë drejtim, pasi nuk ua kërkon tregu. Biznesi ka si qëllim maksimizimin e fitimit. Përderisa me mënyrën sesi operon, bilancet i ka pozitive dhe realizon fitime të kënaqshme, normalisht nuk ka pse të shkojë më tej për t’u zhvilluar, për t’u zgjeruar, për të investuar etj. Forcimi i konkurrencës dhe një zhvillim i tregjeve, një integrim i tyre tregjeve do të nxiste avancimin e biznesit në këtë nevojë. Dhe më pas, do të ishte biznesi që do të tërhiqte qeverinë pas për sa i përket zhvillimit në teknologji, pasi normalisht do të bëhej lufta për punonjësit, kush paguan më mirë, kush trajton më mirë””, shpjegon eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Ky nivel i ulët i inovacionit dhe teknologjisë ndodh në një kohë, kur Shqipëria ka një popullsi ende të re krahasuar me shumë nga vendet europiane dhe po përballet me një emigrim të lartë, kryesisht të të rinjve. Pas pandemisë, tregu i punës ndryshoi tërësisht. Kërkesa për ekspertë të IT-së u rrit ndjeshëm, për shkak të investimeve që bën shumë industri për të digjitalizuar prodhimin apo shërbimet. Por pavarësisht se mbetet një profesion shumë I kërkuar në treg, numri i të rinjve që zgjedhin degën e teknologjisë së informacionit mbetet I ulët.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, nga mbi 30 mijë studentë të diplomuar në vitin akademik 2021-2022, vetëm 1878 studentë janë diplomuar në këtë degë, një numër shumë i vogël krahasuar me fushat e tjera të preferuara, si “Biznes, administrim dhe ligj” me 8.418 studentë apo “Shëndet dhe mirëqënie” me 4.929 studentë.
Të dhënat tregojnë se rritja e numrit të të diplomuarve në degën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është thuajse e papërfillshme. Sipas INSTAT, vetëm 91 studentë më shumë të diplomuar në këtë drejtim vitin e fundit kundrejt vitit akademik 2020-2021.
“Edhe ata pak profesionistë që vendi prodhon, detyrohen të punojnë ose freelance për kompani të huaja nga Shqipëria, për shkak të pagesave më të mira ose të largohen. Pasi është fakt global që ka një disbalancë mes ofertës dhe kërkesës për profesionistë në këtë fushë, E gjithë bota, është keq për profesionistë në këtë fushë”, argumenton Tola.
Biznesi vlerëson se ndryshimi i situatës kërkon që të gjitha palët të jenë në sinergji të plotë. Qeveria duhet të përmirësojë klimën dhe të heqë të gjitha pengesat, ndërsa sipërmarrja duhet të ndryshojë mënyrën e të funksionuarit.
“Qeveria duhet të marrë masa për të nxitur zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit. Këto masa nisin që nga kuadri ligjor, institucional, masa që kanë të bëjnë me lehtësitë fiskale, barrierat tarifore dhe jotarifore që ka biznesi sot, për të pasur sukses. Biznesi duhet të fillojë ta rimodelojë veten ndryshe dhe të ndryshojë mënyrën sesi bën biznes, pasi biznes si më përpara nuk do të ketë më.
Kjo jo vetëm për shkak të zhvillimit teknologjik botëror, por edhe për faktin se ne po shkojmë drejt integrimit në bashkimin europian dhe në këtë treg nuk bëhet biznes si para vitit 2019”, deklaron Arben Shkodra, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.
Edhe pse me hapa të ngadaltë, pas pandemisë së COVID 19, industri të caktuara në Shqipëri kanë nisur të digjitalizojnë një pjesë të shërbimeve të tyre, siç ishte rasti i industrisë ushqimore dhe asaj farmaceutike gjatë pandemisë, nëpërmjet dërgimit të produkteve në banesat e klientëve (delivery, ndonëse në një formë ende embrionike). Rast tjetër është industria bankare, që ofron nëpërmjet aplikacioneve online pagesën e faturave apo edhe transferta të tjera. Industri të tjera janë pas, por që mbijetesa në një treg, që po bëhet gjithmonë e më i madh dhe më i vështirë, do t’i detyrojë që të përshtaten dhe të digjitalizohen.
Disclaimer:
Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e „Fast Neës Economy by Aurora Sulce“ dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.