Projektligji për sigurimin e pronave ndaj fatkeqësive natyrore, si përmbytjet, tërmeti etj, që është hedhur për konsultim publik, parashikon skemën sesi do të bëhet përcaktimi i primit të sigurimit që do të paguajnë qytetarët dhe dëshpërblimi që do të marrin në rast dëmtimi.
Drafti parashikon që sigurimi i detyrueshëm të aplikohet për banesa dhe njësi shitje, zyra etj, banesat sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre.
Nuk do të bëhet sigurim për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami ose të ngjashme apo ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme (objekte të “pa sigurueshëm”)
Shuma e sigurimit, që është njëkohësisht dhe niveli maksimal i dëmshpërblimi, është shuma që do të marrë qytetari/i siguruari për të mbuluar dëmet e ndodhura në pronën e siguruar, të shkaktuara nga tërmeti/et. Primi i sigurimit do të bazohet në shumën e sigurimit, në varësi të metodave aktuale që llogarisin modelin e rrezikut ndaj tërmeteve për rastin e Shqipërisë.
Shuma maksimale e dëmshpërblimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Bordit Drejtues të Fondit Kombëtar të Tërmeteve, nëpërmjet Ministrit Përgjegjës për Financat. Nga kjo shumë, 2% e vlerës së dëmit do të paguhet nga qytetari/subjekti i siguruar. Ky fond do të mbështetet gjithashtu nga buxheti i shtetit për të siguruar primat e sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për shtresat sociale në nevojë.
Burime nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë konfirmojnë se është parashikuar se në vitet e para të zbatimit të ligjit, primi i sigurimit dhe vlera e dëmshpërblimit do të jenë fikse.
Projektligji përcakton një periudhë vlefshmërie të policave të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet për një vit. Nëse primi nuk paguhet në kohë, sigurimi do të pezullohet deri në momentin e pagesës së primit. Për ata që nuk paguajnë primat e tyre, janë parashikuar masa shtrënguese si: nuk marrin shërbime kadastrale, e-albania, QKB etj.
Për vlerësimin e dëmeve, Fondi Kombëtar për Tërmetet do të ketë të drejtë të kontraktojë ekspertë të licencuar, ekspertë të fushës së inxhinierisë dhe arkitekturës të Institucione të Arsimit të Lartë ose Shoqatave, Enti Kombëtar i Banesave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe institucione të tjera në këtë fushë që kanë njohuritë e duhura për vlerësim.
Në rast se ndodh dëmi, qytetari/i siguruari është përgjegjës për paraqitjen e kërkesës për dëmshpërblim pranë Fondit Kombëtar për Tërmetet. Dëmshpërblimi paguhet brenda 9 muajve.
Për menaxhimin dhe administrimin operacional, Fondi mund të mund të bashkëpunojë me marrëveshje me një operator ndërkombëtar që duhet të jetë një shoqëri sigurimi ose risigurimi nga vendet e OECD-së/BE-së dhe të ketë së paku nivel të cilësisë së kreditit A, raporti i fundit i aftësisë paguese duhet të jetë mbi 175%.
Këshilli i Ministrave përcakton agjentin për menaxhimin e shitjeve, komisionet përkatëse dhe procedurën për shitjen e policave të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet. Polica e sigurimit do të gjenerohet përmes sistemit e-Albania.
Ky draft, që tashmë është hedhur për konsultim publik për të marrë opinionin e ekspertëve dhe grupeve të interesit, synon të rrisë sigurinë për qytetarët shqiptarë përballë fatkeqësive natyrore. Kjo bazuar në përvoja të suksesshme sot në botë, si në Turqi, Rumani, Filipine etj., ku programe të ngjashme të sigurimit të rrezikut nga fatkeqësitë i lejojnë shtetit përkatës të zvogëlojë ndikimin financiar, fiskal dhe ekonomik nga fatkeqësitë natyrore. Me ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm të sigurimit, ky ligj do të ndihmojë në garantimin e dëmshpërblimeve të qytetarëve në kushtet e ndodhjes së ngjarjeve katastrofike, siç është tërmeti.
Pse duhet një ligji për sigurimin e detyrueshëm të pronave?
Një ligj i tillë përkthehet në më shumë siguri për të gjithë, në rast të fatkeqësive natyrore, si tërmeti. Kjo pasi duke pasur mjetet financiare do të bëhet i mundur menjëherë procesi i rindërtimit dhe qytetarët të përfitojnë menjëherë dëmshpërblimin.
Ligji do të krijojë një rezervë financiare afatgjatë, duke e bërë të përballueshëm koston e procesit të rindërtimit.
Sigurim ndaj tërmeteve mundëson, jo vetëm një mbrojtje financiare kundër një fenomeni natyror shumë të rëndë, por edhe rithekson rëndësinë e përdorimit të policave të sigurimit si një mjet i përgjegjshëm për mbrojtjen ndaj të gjitha rreziqeve.
Mbrojtja e ndërtimeve ndaj efekteve shkatërruese të një tërmeti është një domosdoshmëri, por përsëritja e këtyre ngjarjeve do të ishte një barrë e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Tërmeti i vitit 2019 solli një faturë buxhetore prej rreth 1 miliardë euro, e cila ndikoi dhe po ndikon në 4-5 vite buxhetore të njëpasnjëshme. Aplikimi i sigurimit të detyrueshëm do të zbusë në mënyrë thelbësore pasojat katastrofike të çdo tërmeti.
Shqipëria, vend me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore
Shqipëria renditet ndër vendet e para në botë për nivelin më të lartë të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet, tërmetet etj. Raporti i Rrezikut Botëror 2021, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 181 vende, bazuar në kapacitetet përballuese, e rendit vendin tonë të parin në Evropë dhe në vend të 61 në rang botëror.
Sipas këtij raporti, rreth 17.6 miliardë dollarë të aseteve tregtare, industriale dhe bujqësore të vendit janë në rrezik nga përmbytjet dhe tërmetet.
Humbjet e mundshme në Shqipëri nga një fatkeqësi natyrore me një periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2.08 miliardë euro për tërmetet dhe 1.18 miliardë euro për përmbytjet. Kjo e bën të domosdoshme sigurimin e detyrueshëm të banesave, si një formë për të kompensuar dëmet që mund të shkaktohen nga këto ngjarje. Jo gjithçka mund të përballohet nga buxheti i shtetit, bazuar në mundësitë e kufizuara financiare përballë dëmeve që shkaktojnë fatkeqësi të tilla natyrore.
Projektligji Për Sigurimin e Detyrueshëm të Banesave nga Tërmetet është një ndër projektet ligjore që synojnë të ndryshojnë mënyrën se si do të menaxhohen dëmet e ndërtesave tona nga tërmetet.
Ky projektligj sjell me vete rregulla dhe standarde të qarta për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, duke prezantuar një iniciativë të parë për të krijuar Fondin Kombëtar për Tërmetet, një entitet që do të kujdeset për mbulimin e humbjeve financiare nga dëmet e shkaktuara nga tërmetet. Fondi Kombëtar për Tërmetet do të veprojë si një shoqëri aksionare, me pronar Ministrin përgjegjës për Financat, dhe do të ketë përgjegjësi duke filluar nga shitja e policave të sigurimit e deri te trajtimi e dëmshpërblimi i dëmeve të shkaktuara nga tërmetet.
Në projektligj jepet një definicion i qartë i tërmetit që do të konsiderohet tërmeti me magnitudë 5.0 ose më të lartë të shkallës Rihter që ndodh brenda Republikës së Shqipërisë apo rajoneve ngjitur por që sjell dëme edhe në Shqipëri.
Gjithashtu, konsiderohen si dëme edhe ato të shkaktuara nga tërmetet pasuese (përfshirë zjarri, shpërthimet dhe rrëshqitjet e tokës) që ndodhin gjatë një periudhe kohore prej 72 orësh nga zhvillimi i ngjarjes së tërmetit.
Një ligj që mbron qytetarët dhe buxhetin e shtetit, por mbi të gjitha na bën të sigurtë përballë dukurive që nuk i kontrollojmë dhe nuk i parashikojmë dot.