Mungesat në tregun e punës po shtojnë presionet te punonjësit aktualë, të cilët detyrohen të rrinë më gjatë në punë për të përballuar mungesat.
INSTAT raportoi se në vitin 2022 të punësuarit punuan mesatarisht 43,7 orë pune në javë nga 43,3 në vitin 2021. me një rritje mesatare të kohës në punë 24 minuta javë.
Të ndarë sipas sektorëve, rritjen me të madhe të orëve të punës e pati sektori i bujqësisë, me 54 minuta në javë. Bujqësia është punë me sezone dhe po vuan vitet e fundit pakësimin e popullsisë që për zonat rurale është më i fortë.
Pas bujqësisë, sektori me rritjen e kohëzgjatjes më të lartë të orarit të punës e ka ndërtimi me 45,9 në javë, ose 36 minuta më shumë se në vitin 2021.
Si çdo degë tjetër e ekonomisë, sektori i ndërtimit po vuan mungesën e punonjësve prej dy faktorëve kryesorë.
Së pari ndërtimi është zgjeruar shumë vitet e fundit prej lulëzimit të banesave të reja rezidenciale në Tiranë dhe bregdetet dhe së dyti emigrimin e lartë të fuqisë punëtore në këtë sektor.
I konsideruar si një nga punët më të vështira, punonjësit e ndërtimit e kanë pasur të lehtë të emigrojnë me kontrata të rregullta pune në vendet e tjera të Evropës, por ndërkohë të rinjtë e sotshme refuzojnë të specializohen në këtë sektor.
Për rrjedhojë forca e punës në ndërtim është e plakur dhe e pamjaftueshme kështu që i duhet të punojë jashtë orarit. Sektori i ndërtimit karakterizohet nga një nivel të lartë të informalitetit.
Kohëzgjatja në punë është rritur edhe për sektorët e shërbimeve, tregtisë dhe transportit, por më lehtë, ndërsa një rënie me 12 minuta në javë u konstatua ne sektorin e industrisë.
Por, nëse krahasohen të dhënat e Eurostat dhe INSTAT rezulton se shqiptarët janë ndër vendet që punojnë më gjatë në Europë, me rreth 43 orë në javë.
Në fakt i gjithë Ballkani punon më gjatë. Rekordin e mban Mali i Zi, me 44.4 orë në javë, Maqedonia (41.3), Serbia (42.3). Më shumë nga të gjithë punojnë turqit, me 46.4 orë.
Më pak në Europë punojnë holandezët, me 29.3 orë në vit. Një sondazh i drejtpërdrejtë i Komisionit Europian vitin e kaluar referoi se, shqiptarët punonin 48 orë në javë, niveli më i lartë në Europë në një kohë që mesatarja e BE rezulton 40 orë në javë.
Pas nesh, kohë më të gjatë pune raportojnë serbët dhe turqit me 47 orë në vit.
Punonjësit që raportojnë se punojnë më pak orë janë holandezët, me vetëm 35 orë në javë, të ndjekur nga britanikët, me 37 orë, gjermanët me 38 orë, irlandezët 39 orë. Nga shtetet e Bashkimit Europian, më punëtorët janë portugezët dhe grekët, me 47 orë./ Monitor