Nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Inflacioni i lartë po detyron Bankat Qendrore në botë që të shtrëngojnë akoma më shumë politikën monetare, duke rritur normat e interesit.
Këtë javë, Rezervat Federale (FED) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rritën në 5.25% normën bazë të interesit për dollarin. Ky është niveli më i lartë në 16 vite. Të njëjtën lëvizje bëri edhe Banka Qendrore europiane, që e çoi normën bazë të interesit për euron në 3.75%, niveli më i lartë në 15 vitet e fundit..
Masa këto që po merren për të luftuar rritjen e çmimeve ose ndryshe, inflacionin, që mbetet i lartë. Në Shtetet e Bashkuara, inflacioni arriti në mars në 5%, shumë larg objektivit prej 2% për këtë tregues. Në Europë, në prill inflacioni u rrit ne 7% nga 6.9% që ishte në mars, duke dhënë sinjale alarmi.
Po çfarë po ndodh në Shqipëri? Inflacioni është ngadalësuar në mars në 5.3%, por presionet inflacioniste mbeten prezente dhe risk për ekonominë. Ky është vlerësimi që bëri Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, teksa la të pandryshuar në 3% normën bazë të interesin për lekun. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë një rritje e mëtejshme, në rast se inflacioni do të ndryshojë trajektoren e dy muajve të fundit dhe do të bëhet shqetësues për ekonominë.
Po çfarë pritet të sjellë shtrenjtimi i normave të interesit? Ajo që ka ndodhur dhe pritet të vijojë është shtrenjtimi i kredive. Duke i bërë huatë më të shtrenjta, bizneset dhe qytetarët do të ulin kërkesën për kredi, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe një rritje e mundshme e huave me probleme. Vitin e kaluar, sektori bankar fshiu nga bilancet rreth 6 miliardë lekë kredi të humbura.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ra në nivelin 5% nga 5.65% një vit më parë, ndërsa stoku i kredive me probleme ra në 36 miliardë lekë nga 40 miliardë lekë në vitin 2021. Por pavarësisht kësaj ecurie, në dukje pozitive, të dhënat e detajuara tregojnë se kalimet e kredisë drejt klasave joperformuese kanë ardhur në rritje. Këta janë sinjale paralajmëruese se raporti i kredive me probleme mund të rritet gjatë këtij viti dhe shkak është pikërisht rritja e normave bazë.
A rrezikon që krizës së çmimeve t’i bashkangjitet kriza e interesave? Sigurisht që po, por ky është një risk global, që do të zgjasë aq sa lufta me inflacionin. Ndaj këshilla më e mirë për këdo që ka në plan të marrë një kredi, është që nëse mundet, ta shtyjë për më vonë. Atëherë kur turbullirat në ekonomi të jetë larguar dhe interesat, së bashku me inflacionin të jenë rikthyer në “shtratin” e tyre të zakonshëm.