Pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 14 majit. Fushata është shoqëruar me premtime për rritje investimesh dhe përmirësim të shërbimeve. Ndërkohë që në një pjesë të pushtetit vendor situata financiare është problematike, me borxhe të vjetra dhe të krijuara rishtazi.
E duket se ekonomia dhe financat do të jenë sfida e parë dhe më kryesore me të cilën do të përballen të gjithë kryebashkiakët, që do të dalin nga zgjedhjet vendore të 14 majit. Në emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulçe ishin të ftuar ekspertë të pushtetit vendor, që analizuan situatën financiare të pushtetit vendor.
Gerti Shella, drejtues i INFOCIP tha bashkitë kanë dështuar në mbledhje e taksave në zonat rurale dhe kjo ka ndikuar edhe në investime. Ndërkohë, një vlerësim pati për Bashkinë Shkodër, sipas së cilit ka pasur një metodikë të elaburuar të mënyrës se si buxheti zbërthehet.
“Struktura buxhetore është një atavizëm që e tërheqim që para reformës territoriale, ka pak ekspertë, edhe në vetë Bashki që janë të aftë ta zbërthejnë, ca përbën buxheti. Do veçoja vetëm Shkodrën, që ka pasur një metodikë të elaburuar të mënyrës se si buxheti zbërthehet, se si buxheti diskutohet, ku janë metodikat që sugjerojnë rritje të taksave dhe mandej dhe metodika që sugjerojnë që trende të caktuara të ketë lehtësim të barrës fiskale, për bazën e taksueshme.
Duhet pohuar që nuk ka tregues të matshëm që flasin pozitivisht mbi aftësinë e bashkive të mëdha pas 2016, për të zgjeruar bazën e taksueshme në zonat rurale, ne duhet të kuptojnë që një numër i madh i bashkive kanë tipologji rurale, ato bashki me territore të mëdha, paradoksalisht e kanë të përqendruar popullatën në zona rurale. Këtu duhet parë në mënyrë kritike.
Popullsia rurale është kontributore në masën 9-10% të nivelit të taksueshëm dhe kur ka ardhur diskutimi si do investohet, Pjerin Ndreu ka thënë nuk sjellim investim se realizimi të ardhurave është 9%”, u shpreh Shella.
Ndërsa Merita Toska, eksperte për financat vendore deklaroi se ka shumë arsye se përse bashkitë nuk po arrijnë të menaxhojnë dot burimet e veta.
Sipas saj, nisur nga struktura, bashkitë vijojnë të jenë shumë të varura nga fondet e transferuara nga qeveria qendrore dhe ky është një instrument, i cili bën që bashkitë në vetvete, të mos kenë atë autonominë e duhur për të ushtruar funksionet dhe kompetencat që i janë përcaktuar me ligj
“Arsyet janë të shumta dhe nuk mund të përkufizohen vetëm në një të tillë. Nisur nga struktura, bashkitë vijojnë të jenë shumë të varura nga fondet e transferuara nga qeveria qendrore dhe ky është një instrument, i cili bën që bashkitë në vetvete, të mos kenë atë autonominë e duhur për të ushtruar funksionet dhe kompetencat që i janë përcaktuar me ligj”, tha Toska.
A ka dështuar objektivi kryesor i reformës administrativo – territoriale, ajo për decentralizimin fiskal?
“Ndoshta nuk mund të themi që ka dështuar, por ndoshta mund të themi që nuk është arritur ajo që është synuar. Ne sot sërish mbetemi në raportin që 30 për qind e të ardhurave nga burimet e veta vendore gjenerohet nga vetë bashkitë, ndërkohë që 70 për qind vijon të gjenerohet nga transfertat ndërqeveritare. Synimet e reformës ishte që ky raport të përmbysej, pra bashkitë të ishin të afta që të siguronin sa më shumë burime financiare nga burimet e veta, për të qenë të pavarura në vendimmarrjen e tyre”, argumentoi Merita Toska, eksperte për financat vendore.