Kryeekonomisti i Bankës Botërore për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, Ivailo Izvorski ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin A2 Business të gazetares Aurora Sulce. Ai ka shpjeguar perspektivën e ekonomisë rajonale dhe asaj shqiptare këtë vit, ndikimin e inflacionit dhe rritjen e normave të interesit. Zyrtari i lartë i Bankës Botërore ka shpjeguar pse rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet këtë vit dhe si do të ndikojë nisma e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin shtetëror.
Sulce: Faleminderit për këtë intervistë Izvorski. Goditjet e njëpasnjëshme të viteve të fundit kanë kufizuar rritjen ekonomike të vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore. Cilat kanale u ndikuan më së shumti nga këto goditje ndaj ekonomive të rajonit?
Izvorski: Shumë faleminderit për ftesën! Sikundër e dini, vitin e kaluar Rusia pushtoi Ukrainën. Kjo ishte një goditje e madhe që preku ekonomitë e Evropës dhe Azisë Qendrore duke nisur nga viti i kaluar e duke vijuar deri sa të përfundojë konflikti. Goditjet e rënda ndaj ekonomive të Evropës dhe Azisë Qendrore, të cilat kishin filluar të rimëkëmbeshin ndjeshëm pas periudhës së Covid, kanë shkaktuar një rritje shumë të ngadaltë nga 7% vitin e kaluar në 1% në vitin 2022.
Pushtimi i Ukrainës ndikoi negativisht në çmimet e konsumit, konsumin e përgjithshëm, konsumin privat në rajon, investime, pasi fermerët nuk kishin besim të investonin, tregti, dhe zinxhirët e vlerave, që nënkuptojnë ndikimin e një hallke nga hallkat e tjera, si prodhimi dhe montimi i një produkti në mjedise të ndryshme, u shpërbënë.
Këta janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e ngadaltë të vitit të kaluar. 15 vitet e fundit të krizës botërore, e cila nisi në 2008, kanë sjellë rritje negative, duke vijuar me krizën e shkaktuar nga COVID-19, dhe me një goditje tjetër madhore që ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ndryshe nga shumica e vendeve në rajon, Shqipëria pa një rritje të madhe ekonomike, mbi mesataren rajonale. Cilët faktorë kanë ndikuar në këtë prirje rritëse në Shqipëri?
Shqipëria shënoi një rritje prej pothuaj 5%, katër herë më e lartë sesa mesatarja në rajon. Edhe sikur ta përjashtonim konfliktin e Rusisë dhe Ukrainës, kjo rritje do të ishte shumë më e lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Pra ky është dukshëm një zhvillim shumë pozitiv.
Në retrospektivë, Shqipëria është zhvilluar ndjeshëm që prej vitit 2000, pas periudhës tranzitore të viteve 1990, çka do të thotë që rritja ka qenë e madhe. Çmimet e konsumit, njësoj si në vendet e tjera, vërtet u rritën edhe në Shqipëri vitin e kaluar, por ju e prodhoni shumicën e energjisë nëpërmjet burimeve hidrike, çka do të thotë se e keni njëfarë mbrojtjeje përmes biznesit dhe çmimeve të rëndësishme të energjisë.
Edhe qeveria ndihmoi në mbrojtjen e familjeve dhe kompanive. Ajo vazhdoi programin e mbështetjes së investimeve pas tërmetit të vitit 2019, ndaj si konsumi, ashtu edhe investimet u rritën ndjeshëm vitin e kaluar. Është mbresëlënëse edhe rritja e numrit të turistëve vitin e kaluar, gjë që duket të vazhdojë, e si rrjedhojë, këta faktorë dhe inflacioni më i ulët këtu dhe në rajon kanë kontribuar në këtë rritje të madhe ekonomike.
Si e vlerëson Banka Botërore pikëpamjen ekonomike të vendeve në rajon?
Nëse fillojmë me Shqipërinë, pas një rritjeje shumë të fortë me pothuaj 5% vitin e kaluar, për vitin aktual, Banka Botërore parashikon një rritje prej rreth 2.8 – 3%. Do të jetë një rritje më e ngadaltë, por mbetet domethënëse. Parashikohet që rritja mesatare në Evropë dhe Azinë Qendrore të jetë 1%, gjë që nënkupton se rritja në Shqipëri është ende shumë më e lartë.
Me përfundimin e masave mbështetëse të qeverisë për familjet së shpejti dhe ngadalësimin e inflacionit, qeveria nuk pritet të ofrojë aq mbështetje për familjet sa vitin e kaluar. Krahas kësaj, programit te rindërtimit pas tërmetit po i afrohet fundit dhe qeveria po përpiqet të rindërtojë hapësira fiskale, që rezultuan shumë të dobishme gjatë krizës së COVID-19 dhe pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Ne duhet t’i rindërtojmë këto hapësira mbrojtëse fiskale dhe duhet të synojmë një deficit më të ngadaltë fiskal, i cili ndryshe quhet suficit, duke përjashtuar interesin. Të gjithë këta faktorë nënkuptojnë se ekonomia po e ngadalëson rrjedhën e saj ne 3%, po bëhet shumë më e qëndrueshme duke marrë parasysh rrethanat, dhe po merr përparësi ndërtimi i hapësirave mbrojtëse në rast të ndonjë pandemie apo goditjeje tjetër në të ardhmen. Kjo është relevante për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shprehja kyçe që më vjen ndërmend është “aftësitë ripërtëritëse”. Këto aftësi janë vërejtur gjatë goditjeve të ndryshme vitin e kaluar. Vjet patet rritje shumë më te larte sesa të tjerët. Aftësitë ripërtëritëse të shfaqura gjatë goditjeve janë mbresëlënëse, dhe ambicia kryesore e Shqipërisë dhe vendeve të tjera është integrimi në BE, ndaj kjo është mundësi kryesore, ambicie kyçe, që duhet arritur në mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në të ardhmen përpjekjet duhet te drejtohen drejt një rritje të gjelbër, e cila duket të jetë në vëmendjen dhe objektivat e qeverisë suaj dhe qeverive të tjera. Shpresojmë që pushtimi i Ukrainës të marrë fundit dhe marrëdhëniet ekonomike në Evropë të rindërtohen, dhe teksa integrohen në BE, vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë nga tregtia dhe mundësitë e tjera.
Sipas Raportit më të fundit Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria pritet të ketë një rritje më të ulët në vitet e ardhshme. Cilët faktorë do të ndikojnë në ngadalësimin e rritjes?
Sikundër e përmenda, integrimi në BE është qëllimi kryesor, ndërsa rritja e qëndrueshme është mjeti për ta arritur këtë qëllim. Rritja e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse është shumë e vështirë, sepse nënkupton përmirësimin e standardeve të jetesës, zvogëlimin e varfërisë, dhe rritjen e mirëqenies. Megjithatë, ju keni bërë shumë arritje.
Po shihja disa të dhëna që tregonin se të ardhurat për frymë ose PBB-ja për frymë janë rritur 11 herë nga viti 1993 deri në vitin 2022, e cila është një rritje shumë më e shpejtë sesa rritja shtatë herë në Estoni, që deri tani është kampionia evropiane dhe ka një PBB me te larte se Japonia. Ju keni bërë progres të jashtëzakonshëm dhe zhvillimi nuk është proces linear. Nuk mendoj se shkon gjithmonë në një drejtim.
Për këtë arsye, për Shqipërinë kemi tri instrumente: i pari është mjedisi i biznesit, për të mirëpritur më shumë firma dhe ndërmarrje private, si dhe për të zhvilluar dhe për të ofruar mundësitë që nevojiten në ekonomi. Rritja në fund të ditës duhet të udhëhiqet nga sektori privat. Instrumenti i dytë është cilësia e arsimit. Ardhja nga një ekonomi e mbyllur që është përmirësuar me kalimin e viteve është domethënëse, por bota po ndryshon shpejt dhe çfarë ka funksionuar gjatë 20-30 viteve të fundit, mund të mos funksionojë vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye, nevojitet përmirësimi i sektorit të arsimit, si në ciklin parashkollor, ashtu edhe në ciklet e tjera, dhe sidomos në nivelin e arsimit të lartë, pasi ju keni një vend me PBB prej më shumë se 7,000 dollarësh për frymë dhe do të duhen më shumë firma notavore dhe staf risi prurës për të rritur cilësinë e sistemit arsimor. Instrumenti i fundit, por jo nga rëndësia, janë aftësitë ripërtëritëse, ju duhet të vazhdoni të rrisni aftësitë tuaja ripërtëritëse nga pikëpamja fiskale, duke përfshirë hapësirat mbrojtëse nga goditjet e tjera të mundshme, dhe nga pikëpamja financiare, sikundër patëm shembullin e tërmetit para disa viteve dhe të përmbytjeve dhe thatësirës vitin e kaluar.
Për këtë arsye, aftësitë ripërtëritëse duhet të marrin si formën e infrastrukturës fizike, ashtu edhe të planifikimit buxhetor. Besoj se kjo do të jetë thelbësore.
Qeveria ka ndërmarrë një nismë për të rritur rrogën minimale dhe mesatare të sektorit publik. Cilat mund të jenë efektet e kësaj nisme në ekonomi dhe në biznes? A mendoni se do të kufizojnë emigrimin?
Përshtatja e rrogave në sektorin publik nuk varet nga tregu, por është në dorën e qeverisë t’i përshtatë ato. Kur ka inflacion, rrogat duhet të përshtaten. Duhet të përshtaten për të motivuar punonjësit ne sektorin publik, për të tërhequr persona të talentuar, si dhe për të zvogëluar trysninë në sektorin publik. Kjo gjë ndodh këtu, në rajon ashtu edhe jashtë Ballkanit.
Rroga duhet të jetë mjet tërheqës, prandaj në kuadër të kësaj nisme, duhet të merrni parasysh përse sektori privat është aq tërheqës për talentet e reja. Me pak fjalë, duhet punuar për të zvogëluar trysninë mbi sektorin publik. Në fund të ditës, sektori privat i çdo vendi varet nga përmasat e sektori publik. Përmasat dhe ndërveprimi i sektorit privat me sektorin privatë ne vende te tjera me sektorë të mëdhenj publikë.
Këtu ndoshta është pak nga te dyja. Sektori publik mund të ketë një lloj lidhje me rrogat e sektorit privat, sepse vendi është i hapur ndaj mbarë botës dhe ka veprimtari tregtare dhe investuese dhe po ashtu edhe rrogat e sektorit privat varen edhe nga situata në botë, ndaj rrogat e sektorit publik nuk duhet të jenë shumë larg atyre të sektorit privat. Kjo është arsyeja përse qeveria duhet të ndërmarrë nisma në sektorin publik.