Intervistë me Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm, Sigal Life Uniqa Group Austria
Rritja e skemave private të pensioneve ka nevojë për incentiva më të forta. Elvis Ponari, Administrator i shoqërisë administruese Sigal Life Uniqa Group Austria, thotë për “Monitor” se, që këto fonde të jenë të qëndrueshme, duhet që 20% e forcave aktive të punës të përfshihen në skemën private të pensioneve dhe që kjo skemë të jetë ndikuese, duhet të përfshihen në të 50% e forcave aktive të punës.
Aktualisht, ky tregues në Shqipëri është 2.5%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka arritur në afërsisht 70%.
Ai mendon se e vetmja zgjidhje afatgjatë për problemin e pensioneve në Shqipëri do të jetë ngritja e një kolone të dytë të pensioneve private të detyrueshme dhe incentivimi sa më i madh i kolonës së tretë vullnetare.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve private të pensionit në vitin 2022 dhe cilat ishin zhvillimet kryesore në këtë segment të tregut?
Në Shqipëri ka 4 fonde pensioni, aktive në treg që prej vitit 2005. Dua ta theksoj, është një skemë sociale, që e ka krijuar shteti dhe e administron privati. Kemi dy banka dhe dy kompani sigurimi të fuqishme që kanë përgjegjësinë e miradministrimit të aseteve të qytetarëve.
Tregu i pensioneve private po rritet me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit. Edhe për vitin 2022 janë ruajtur po këto ritme, por përmasat e tij mbeten modeste, kur i krahasojmë edhe me vendet fqinjë.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, vlera neto e aseteve të tregut të Pensioneve Vullnetare në fund të vitit 2022 arriti në rreth 5.7 miliardë lekë, ose rreth 49 milionë euro, me rritje 24.3% në krahasim me vitin 2021.
Sot që flasim, Maqedonia e Veriut ka 3 fonde pensioni privat, me 1.7 miliardë euro asete dhe 600.000 anëtarë.
Shteti e ka nxitur pensionin privat, pasi theksoj është skemë sociale, e ka plotësuar reformën e pensionit, duke i mundësuar qytetarit maqedonas që kur të dalë në pension, të marrë 3 pensione apo 3 paga dhe jo vetëm. Pra, të paktën të jetë te 60-80% e pagës para pensionit.
Numri i anëtarëve në Fondet e Pensioneve Vullnetare arriti në 36.518, ose rreth 8.8% më shumë se viti 2021. Në një vit punë kanë hyrë në skemë rreth 3.000 anëtarë apo klientë. 1.300 i ka sjellë vetëm SIGAL UNIQA FOND PENSIONI. Kjo shifër është e turpshme.
Shpresojmë se me projektligjin e ri, pra, me përmirësimin e ligjit në fuqi, do kemi më shumë lehtësi.
Kemi pasur numrin më të lartë të anëtarësimeve nga planet e pensioneve profesionale të subjekteve, që kanë rritje 14.2%. Biznesi e ka parë edhe më me interes pensionin privat, si një incentivë që t’i hapë një llogari punëmarrësit të tij. Pagën e ka për sot, pensionin e ka për mot.
Pjesëmarrja në Fondet e Pensioneve Vullnetare është 2.4% e forcave aktive të punës. Që këto fonde të jenë të qëndrueshme duhet që 20% e forcave aktive të punës të përfshihen në skemën private të pensioneve dhe që kjo skemë të jetë ndikuese, duhet që të përfshihen në të 50% e forcave aktive të punës, ose 350.000 kontribuues që paguajnë rregullisht.
Në Maqedoninë e Veriut është 70%. Për të arritur këtë, në vitin 2022 kemi punuar fuqishëm nëpërmjet marketingut, që çdo qytetar të njohë pensionet private dhe përparësitë që ka pjesëmarrja në këtë skemë. Krahas kësaj, kërkohet edhe një mbështetje nga shteti, sidomos në përmirësimin e legjislacionit aktual të pensioneve private.
Kuvendi po diskuton ligjin e ri për fondet private të pensioneve. Cili është opinioni juaj rreth ligjit të ri që po diskutohet dhe çfarë efektesh prisni t’i japë zhvillimit të tregut të pensioneve private?
Projektligji pritet të sjellë një seri ndryshimesh. Nga statistikat e marra vërehet se vetëm një numër i vogël qytetarësh derdhin kontribute vullnetare, për të përfituar një pension privat shtesë.
Mungesa e kulturës në sigurime, shoqëruar me nivelin e ulët ekonomik, ka bërë që kontributi për moshën e pensioneve të shihet si i papërballueshëm nga vetë qytetarët.
Argumenti bazë se pse po bëhen këto ndryshime lidhet me nxitjen dhe zgjerimin e këtij tregu, por edhe me qartësimin e disa aspekteve të menaxhimit të fondeve. Projektligji është iniciuar dhe përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Së bashku me AMF, kemi propozuar përjashtimin nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkohet që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.
Për të nxitur investimet e punëmarrësve (por edhe të punëdhënësve të tyre) në fonde të pensioneve private, projektligji aktual parashikon lehtësi fiskale në formën e përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni, zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi, përpara se të llogaritet tatimi mbi të ardhurat.
Shkurtimisht, e vlerësoj shumë këtë projektligj, që synon nxitjen e tregut. Ky projektligj është më i pranueshmi për kohën, sepse reflekton edhe praktikat që kanë dalë nga krijimi i tij.
Mendoj se është një projektligj që i bën më të interesuara palët pjesëmarrëse në një fond pensioni privat, nëpërmjet një sistemi fiskal të pranueshëm.
Është një projektligj më i azhurnuar edhe me dispozitat ndërkombëtare, që kanë dalë në këtë fushë. Nga pikëpamja strukturore, mendoj se është një ligj më i plotë.
Qëllimi i projektligjit të ri është dhe diversifikimi i politikës së investimeve, zgjerimi i kësaj fushe, si dhe lehtësitë fiskale në pjesën dalëse, pra, kur del në pension).
Sipas të dhënave të fundit, raporti kontribuues-përfitues është 1.15 me 1, në nivelet më minimale historike deri tani. Kjo e bën të domosdoshme forcimin e kolonës së tretë (pra, vullnetaren) por dhe krijimin e kolonave të dyta (të detyrueshme) private.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e fondeve të pensionit në vitin 2023? Si mund të ndikohet ky treg nga përkeqësimi i pritshëm i parametrave makroekonomikë dhe rritja e mëtejshme e normës bazë të interesit?
Thellimi i deficitit të pensioneve kërkon prej vitesh një ndërhyrje të menjëhershme. Nevojiten ndërhyrje në sistemin e pensioneve dhe ofrimi i formave alternative midis sistemit shtetëror dhe atij privat, i cili do të gjeneronte pensione më të larta për qytetarët.
Në vitin 2023, edhe pse duket se do të shoqërohet me pasiguri e luhatje, Fondet e Pensioneve Private janë të qëndrueshme sa u përket treguesve kryesorë të “shëndetit financiar”.
Padyshim që rritja e normave të interesit është një lajm i mirë për anëtarët e fondeve private të pensioneve pasi kontributet dhe riinvestimi i interesit të fituar nga investimet aktuale do të investohen me norma më të larta interesi.
Mendojmë se me miratimin e ligjit të ri dhe me kalimin e situatave shoqërore dhe sociale që po kalon edhe vendi ynë, tregu do të zhvillohet më tej, do të rritet pjesëmarrja në këto skema.
Njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të mendojnë për moshën e tretë, largimi nga vendi, emigrimi, apo mosinteresimi që të punosh për një pagë minimale sjell si pasojë stres te punonjësit që kemi aktualisht. Dhe për të pasur një pension të dytë, duhet të bëhen ligjet incentivuese.
Në këto kushte ka shumë rëndësi edhe puna e pandërprerë për njohjen e pensioneve private nga të gjithë.
Përkeqësimi i parametrave makroekonomikë dhe rritja e normës bazë të interesit ka ndikim edhe në tregun e Pensioneve Private, pasi ul mundësitë reale për të kontribuar në këto skema.
Nëse nuk do të kemi reforma nga shteti për rritjen e pagave në nivelin e inflacionit, do jetë shumë e vështirë që njerëzit të mendojnë të kursejnë për një pension të dytë.
Së fundmi, keni licencuar edhe fondin e parë të investimeve. Cilat janë objektivat dhe pritshmëritë tuaja nga fondi i investimeve Sigal Invest?
Obligacionet afatgjata të qeverisë ofrojnë flukse të besueshme të ardhurash, për shkak të një sërë arsyesh financiare, si mbrojtja nga luhatjet e tregut të shkaktuara nga inflacioni dhe deflacioni, norma më të larta interesi krahasuar me llojet e tjera të letrave me vlerë të borxhit dhe likuiditet më të madh për shkak të kostove të ulëta të transaksioneve.
Përveç kësaj, ne u ofrojmë investitorëve akses shtesë në obligacione të shteteve europiane, të cilat përfaqësojnë strehë të sigurta për ata, që kërkojnë stabilitet, krahas mundësive potenciale afatgjata të rritjes së kapitalit, që vijnë së bashku me këto obligacione qeveritare.
Në SIGAL ne jemi shumë krenarë që mbajmë premtimin tonë, për të ofruar shërbime të jashtëzakonshme, duke siguruar norma konkurruese kthimi për investimet e klientëve tanë.
Angazhimi ynë ndaj këtij premtimi është provuar që nga viti 2006 kur hapëm, për herë të parë, Shoqërinë administruese e cila ka shërbyer për vite në rritjen e kursimeve nëpërmjet Fondit të Pensioneve SIGAL; duke ofruar paqe mendore nëpërmjet kontrolleve tona rigoroze të kryera në çdo hap të procesit, si dhe duke ofruar strategji të aftë të menaxhimit të portofolit të përshtatura rreth rrethanave individuale të secilit klient.
Përpiqemi që të gjithë klientët të përjetojnë transparencë në lidhje me progresin e investimeve të tyre në çdo kohë gjatë periudhës së investimit të zgjedhur, duke u siguruar që ata të ndihen gjithmonë të sigurt që fondet e tyre janë të sigurta me ne në SIGAL Investment Fund.
Për t’iu përgjigjur pyetjes, qëllimi ynë ka qenë gjithmonë t’ju ofrojmë klientëve dhe investitorëve tanë shërbim cilësor, siguri të lartë dhe kthim në investim të kënaqshëm.
Ne kemi nisur procedurat për hapjen e Fondit të Investimit që në fillim të vitit 2022 dhe atëherë pritshmëritë tona ishin të larta, duke parë që normat e interesit të Obligacioneve shtetërore premtonin rritje.
Në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit 2023 u vu re një rënie e frikshme e këtyre interesave. Ndryshime të tilla të normave të interesit frikësojnë tregun e investimeve dhe vetë fondet e investimit. Kështu që ne ende po studiojmë tregun dhe po monitorojmë ankandet e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare.
Ne shpresojmë që normat e interesit të stabilizohen, të mos ketë ndryshime kaq të mëdha nga ankandi në ankand. Kjo do të çojë në stabilitet të tregut të investimeve.
Besoni se tregu i fondeve të investimit do të rimëkëmbet në një kohë të shpejtë nga efektet negative që solli rritja e yield-eve në vitin 2022?
Në përgjithësi, tregu i fondeve të investimit mund të ndikohet nga shumë faktorë, duke përfshirë rritjen ose uljen e yield-eve, ndryshimet e politikave monetare, zhvillimet e ekonomisë globale, zhvillimet në industrinë e teknologjisë, dhe shumë faktorë të tjerë.
Nëse rritja e yield-eve ka shkaktuar dobësim të tregut të fondeve të investimit, atëherë është e mundur që tregu të ndikohet negativisht për një kohë të caktuar. Megjithatë, efektet e këtij ndikimi mund të jenë të ndryshme, në varësi të situatës aktuale të tregut dhe strategjisë së investimit të secilit fond.
Për të parashikuar, nëse tregu i fondeve të investimit do të rimëkëmbet në një kohë të shpejtë, duhet të analizohet situata aktuale e tregut, politikat e qeverive dhe faktorët e tjerë që mund të ndikojnë në tregun e fondeve të investimit.
Kjo përgjigje mund të ndryshojë nga një situatë në tjetrën dhe duhet të vlerësohet rast për rast.
Në përgjithësi, situata e fondeve varet nga rreziku që fondet kanë marrë dhe nga llojet e investimeve në portofol. Në kohë krize, midis të tjerash, ndodhin dy gjëra.
Për aksione, mund të ketë rënie të vlerës së tyre, duke përfshirë edhe aksionet e kompanive që ndoshta janë më të izoluara nga kjo krizë.
Kjo mund të ndodhë sepse në kohë krize, investitorët kanë më shumë nevojë për të parë që tregu është i qëndrueshëm dhe se kompanitë janë të sigurta. Kjo mund të çojë në rritje të kërkesës për obligacione, duke reduktuar kërkesën për aksione.
Në anën tjetër, obligacionet mund të jenë një zgjidhje më e sigurt për investitorët në një kohë krize. Ky faktor mund të çojë në rritje të kërkesës për obligacione, duke bërë që interesat të bien.
Kjo mund të ndikojë në investitorët e obligacioneve, pasi ata mund të humbasin fitimet e pritura. Megjithatë, obligacionet e sigurta qeveritare mund të jenë një zgjedhje më e mirë për investitorët.
Në përgjithësi, në një kohë krize, aksionet dhe bonot mund të ndryshojnë në varësi të situatës së tregut dhe mund të ketë ndikime të ndryshme në çmimet e tyre.
Investitorët duhet të jenë të kujdesshëm kur bëjnë zgjedhjet e tyre të investimit dhe të përdorin strategjitë e tyre për të zvogëluar riskun dhe për të përfituar nga situata aktuale e tregut.
Ne kemi pasur një periudhë në të cilën investitorët kanalizuan një volum të konsiderueshëm me interesa të ulëta. Kjo solli rënie të performancës në momentin e rritjes së jashtëzakonshme, por të paralajmëruar dhe deri diku të pritur, të interesave.
Inflacioni i lartë është kërcënim për rritjen ekonomike, pasi ul fuqinë blerëse të konsumatorit dhe rrjedhimit, edhe kërkesën, rrit kostot e financimit dhe përgjithësisht, krijon pasiguri, të cilat frenojnë si bizneset, ashtu edhe individët për të investuar.
Por, nga ana tjetër, një para e painvestuar zhvlerësohet, ndaj rekomandohet investimi në terma afatmesëm dhe afatgjatë, me qëllim për t’i dhënë individit një shans për të amortizuar pjesërisht, ose plotësisht, efektet e inflacionit. Fondet e investimit ose pensionit janë një mënyrë efektive për të diversifikuar rrezikun.
Në këtë periudhë të tensionuar të tregjeve financiare, rekomandojmë planet e investimit si një alternativë shumë e mirë, sepse nëpërmjet investimeve periodike, të rregullta dhe në vlera të ulëta përfitohet nga efekti i kostos mesatare.
Kjo do të thotë që gjatë një periudhe rënëse të çmimit të kuotës së fondit të investimit mund të blihen më shumë kuota dhe kështu, investitori përfiton edhe nga luhatshmëria negative e fondit, duke ulur koston mesatare të blerjes së kuotave në fond.
Sigurisht, investitori duhet të jetë i përgatitur që vlera e investimit të tij mund të luhatet.
Por sa më gjatë të qëndrojë i investuar, aq më shumë potencial ka që paratë e tij të rriten gjatë rrugës./Monitor