Opinion nga Aurora Sulçe, drejtuese e Fast News Economy
Euro zbriti këtë javë në 114 lekë, në një pikiatë të frikshme dhe të pandalshme. Në fundin e vitit të kaluar, më saktësisht më 28 dhjetor, monedha europiane arriti në 112.83 lekë dhe ky ishte niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë. Por duket se sot nuk jemi larg asaj kuote.
Cfarë po ndodh me kursin e këmbimit? Pyetjet janë të shumta, ashtu si edhe mesazhet që më vijnë në rrjetet sociale apo shpjegimet që më kërkojnë miq dhe të afërm sesa do të zgjasë kjo situatë, si duhet t”i mbajmë kursimet, a duhet të blejmë euro në këtë moment për ta këmbyer kur të forcohet, në çfarë monedhe të marrim kredinë etj.
Po përpiqem që shkurtimisht t”iu përgjigjem të gjitha këtyre pyetjeve, me shpresën që kushdo që është i interesuar të marrë informacionin që i nevojitet.
PYETJA 1: Cfarë po ndodh me kursin e këmbimit?
Bëhet fjalë për një prishje të balancës kërkesë-ofertë. Kërkesa që nënkupton nevojën e bizneseve dhe qytetarëve për të blerë euro në treg për mallra dhe shërbime është tkurru ndjeshëm. Kjo për shkak të ngadalësimit të aktivitetit ekonomik dhe rënies së ndjeshme të konsumit nga kriza e çmimeve.
Një situatë deri diku e pritshme, pasi jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, konsumatorët po riorientojnë buxhetet e tyre drejt shpenzimeve bazike, duke evituar blerjet e produkteve që nuk i kanë të domosdoshme apo produkteve të luksit. Kjo bën që importuesit dhe tregtarët të importojnë më pak mallra dhe rrjedhimisht të tërheqin më pak euro nga tregu.
Nga ana tjetër, oferta në treg për euro është shumë e madhe. Kjo pasi ka prurje të mëdha, kryesisht nga individët. Bëhet fjalë jo vetëm për dërgesat e emigrantëve, që ndryshe njihen si remitancat, apo të ardhurat nga turizmi, por për flukse valutore që rrjedhin nga burime informale. E thënë më thjesht, para që vijnë nga korrupsioni, evazioni fiskal apo edhe aktivitete të paligjshme.
Janë këto flukse që aktualisht po mbajnë në këmbë ekonominë duke financuar konsumin, ashtu siç ka ndodhur edhe në krizat e mëparshme që ka kaluar ekonomia shqiptare.
Janë të mira apo të këqija këto flukse për ekonominë? Ky është një tjetër diskutim, që do ta trajtojmë në rubrikën tonë gjatë javëve të ardhshme.
PYETJA 2: Sa do të zgjasë rënia e euros?
Të parashikosh me saktësi kursin e këmbimit do të thotë të bëhesh lehtësisht milioner. Pasi vetëm duke blerë dhe duke shitur, garanton fitim të sigurt. Por kjo është e pamundur të ndodhë, pasi kursi i këmbimit është në regjim të lirë. Kjo do të thotë se askush nuk mund të parashikojë me saktësi faktorët e jashtëm apo të brendshëm që do të ndikojnë në çdo moment.
Por një vlerësim i përafërt mund të bëhet, duke pasur parasysh elementët aktualë dhe ata potencialë. Cfarë pritet të ndodhë? Sipas mendimit tim, por edhe një pjese të ekspertëve që I kam pasur të ftuar në studio e emisionit tim A2 Business, euro pritet të qëndrojë në këto nivele të ulëta.
Kjo pasi ekonomia shqiptare këtë vit do të ngadalësojë ritmet e rritjes. Rritja ekonomike parashikohet nga 2.2% (sipas Bankës Botërore) në 2.8% (sipas qeverisë), më ulët se rritja 3.2% e shënuar në vitin 2022. Kjo do të thotë se kërkesa për mallra do të mbetet e ulët dhe konsumi, që është një ndër gjeneruesit kryesorë të rritjes, i tkurrur. Rrjedhimisht, edhe kërkesa për euro do të jetë e dobët.
Inflacioni, ose e thënë ndryshe rritja e përgjithshme e çmimeve do të vijojë të jetë problemi kryesor, por jo i vetëm.
Pasi, paralelisht rrezikohemi nga kriza e interesave. E thënë ndryshe nga shtrenjtimi i kredive, që vjen si pasojë e rritjes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë, në përpjekje për të frenuar inflacionin.
E njëjta ndërhyrje është bërë edhe nga Rezervat Federale për dollarin, Banka Qendrore Europiane për euron dhe Bankat Qendrore në vende respektive. Kjo do të thotë se qytetarët do të kenë gjithmonë e më shumë nevojë për para për të jetuar, çka do të thotë se flukset valutore në treg nga emigrantët dhe burimet informale do të vazhdojnë.
PYETJE 3: A duhet të blejmë euro në këtë moment për ta këmbyer, kur të forcohet?
Përgjigja e kësaj pyetje është e lidhur me shpjegimin e pyetjes më lart. Askush nuk mund ta parashikojë me saktësi kursin e këmbimit apo se cila do të jetë e ardhmja e euros. Ajo që vlerësohet është se rënia do të vijojë edhe pak dhe euro do të qëndrojë në nivele të dobëta për disa kohë.
Fakti që inflacioni mbetet i lartë dhe kokëfortë, jo vetëm në Shqipëri (inflacioni i çmimeve muajin e kaluar në vendin tonë ishte 13,5%), por edhe në vendet e tjera (Rezervat Federale në SHBA kanë dhënë sinjale për rritjen sërish të normës bazë të interesit për dollarin) tregon se politika shtrënguese monetare e Bankës së Shqipërisë do të vijojë, në përpjekje për të luftuar inflacionin.
Kjo do të thotë se leku do të vazhdojë të jetë i fortë kundrejt euros. Sipas parashikimeve, inflacioni pritet të ulet dhe të rikthehet në një situatë normale brenda dy vitesh.
Nga ana tjetër, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në këmbimin valutor për të tërhequr një pjesë të euros nga tregu do të shtonin presionin për rritje të inflacionit, që është edhe objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë. Pra, mundësitë që kjo të ndodhë janë të pakta, për të mos thënë zero.
Në bazë të kësaj analize, mund të konkludojmë se euro do të luhatet në një terren të pasigurt, me presion të fortë për të qenë e dobët për të paktën dy vitet e ardhshme. Por e ripërsëris, asgjë nuk është e sigurt, pasi askush nuk mund të parashikojë me saktësi atë që do të ndodhë.
PYETJA 4: Në çfarë monedhe duhet ta marr kredinë?
Së pari, do të doja t”u thosha se ky nuk ëhstrë momenti i duhur për të marrë kredi, pasi interesat janë rritur shumë nga shtrëngimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë që e kam shpjeguar dhe më lart. Por nëse duhet të merrni kredi patjetër, sugjerimi është që ta merrni n monedhën që keni të ardhurat kryesore.
E thënë ndryshe, nëse pagën e merrni në lek, kredinë duhet ta merrni në lek. Pasi kështu jeni të mbrojtur nga luhatjet e kursit të këmbimit. Në këtë moment që euro është e dobët, duket sikur ju fitoni. Por kur analizoni se kredia merret për një periudhë relativisht afatgjatë, askush nuk e parashikon se cfarë do të ndodhë me euron dhe ju jeni të ekspozuar nga luhatjet e kursit të këmbimit.
Në përfundim dua t”u them që situata aktuale në kursin e këmbimit favorizon ata që kanë kredi aktualisht në euro, favorizon qeverisë që do të paguajë më pak interesa për borxhin e jashtëm dhe tregtarët dhe importuesit, që do t”i blejnë më lirë mallrat në tregjet e huaja.
Ndërkohë, që kjo situatë është tmerrësisht e dëmshme për eksportuesit, që formën e fitimit e kanë në euro dhe për të gjithë ata qytetarë që paguhen në euro ose kanë të ardhura në këtë monedhë, qoftë nga të afërmit emigrantë, qiratë etj.