Barazia mes burrave dhe grave është një problem që shfaqet aktualisht në një pjesë të madhe të vendeve, veçanërisht atyre në zhvillim si Shqipëria. Kjo pasi paraja dhe pushteti mbeten domen i burrave dhe në shoqëri patriarkale kjo është edhe më e theksuar.
Por gjatë viteve të fundit, në vendin tonë situata është zbutur dhe gratë po fitojnë terren në shumë fusha. Kjo falë edhe programeve që adresojnë qartë problemet e barazisë gjinore, që në Shqipëri janë hartuar me asistencën e ofruar nga UN Women. Falë këtij bashkëpunimi janë identifikuar dhe asistuar projekte, që realisht japin rezultatet të prekshme në buxhetimin gjinor.
Situata aktuale
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në Shqipëri gratë zënë 45.5 për qind të posteve ministrore dhe 26.4 për qind të pozicioneve drejtuese të kompanive më të mëdha të kuotuara. Përfaqësimi i grave midis anëtarëve të bordit të Bankës Qendrore të Shqipërisë është 48.1 për qind, që është më shumë se dyfishi i mesatares së Bashkimit Europian prej 20.3 për qind.
Në gjashtë vitet e fundit, përmirësimi ka qenë i dukshëm për gratë në aksesin e kredive. Masat financiare që synojnë zbutjen e pasojave të pandemisë kanë vënë në shënjestër edhe bizneset e mëdha ku gratë përbëjnë rreth 14 % të pronarëve. Gjithashtu, rreth 55% e përfituesve të transfertave të parave të papunësisë, si dhe nga “pagat e luftës” gjatë periudhës së karantinës në 2020 ishin gra.
Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po targeton veçanërisht gratë fermerë, duke rritur numrin e përfituesve nga kjo kategori prej skemave kombëtare dhe të subvencionimit IPARD nga 14% që ishin në vitin 2020 në 25% të të gjithë përfituesve për 3 vitet e ardhshme.
Stereotipet profesionale ende kufizojnë zgjedhjet e grave, me gratë që punojnë kryesisht në sektorë të tillë si shëndetësia dhe puna sociale, arsimi, prodhimi dhe bujqësia, të cilat karakterizohen nga paga më të ulëta.
“Për të promovuar më tej pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore, Qeveria ka ofruar për të subvencionuar shërbimet e kujdesit për fëmijët dhe transportin për gratë e punësuara në bizneset e mëdha”, shpjegojnë burime zyrtare në Ministrinë e Financave.
Ndër 43 programet buxhetore në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2022-2024, gjysma trajtojnë çështjet e pabarazisë gjinore në sektorë si shëndetësia, mbrojtja sociale, arsimi, drejtësia, biznesi dhe bujqësia.
Elementet buxhetore përkatëse të përgjegjshme gjinore përbëjnë 9 për qind të totalit të buxhetit të planifikuar vjetor.
Buxheti i Përgjigjshëm Gjinor për vitin 2022, i cili adreson çështjet e pabarazisë gjinore është llogaritur si 9 % e buxhetit total, ekuivalent me 52.6 miliardë lekë. Ndërsa kjo përqindje përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me vetëm 1 për qind ose 4.2 miliardë lekë që zinte në vitin 2015.