Prindërit që punojnë kanë nevojë për të gjithë ndihmën që mund t’u jepet. Disa vende janë më të mira për ta ofruar atë se të tjerët.
Islanda është një nga vendet më të mira në botë për prindërit që punojnë, sipas një raporti të ri nga Bloomberg, i cili shikon se si politikat e kombeve, ndikojnë në cilësinë dhe përballueshmërinë e kujdesit ndaj fëmijëve për prindërit që punojnë.
Vendi shpenzon një përqindje më të lartë të Produktit të tij të Brendshëm Bruto, gati 1.8%, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Organization for Economic Cooperation and Development, OECD), për edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, se çdo komb tjetër i pasur.
Ky nivel investimi ndihmon, që kujdesi për fëmijët të jetë relativisht i përballueshëm në Islandë, ku prindërit shpenzojnë mesatarisht rreth 5% të të ardhurave të tyre për kujdesin ndaj fëmijëve.
Për krahasim, SHBA shpenzon vetëm 0.3% të PBB-së së saj për arsimin e hershëm dhe kujdesin ndaj fëmijëve, dhe prindërit amerikanë, mesatarisht, shpenzojnë afërsisht 19% të të ardhurave të tyre për kostot e kujdesit për fëmijët.
Raporti identifikoi këto pesë vende si shembuj të spikatur të lehtësimit të barrës financiare për prindërit që punojnë:
Islanda
Estonia
Gjermania
Kanadaja
Zelanda e Re
Probleme ekzistojnë kudo në njëfarë mase, por disa vende duken më të përkushtuara se të tjerat, për t’u ofruar prindërve që punojnë burime të mjaftueshme për të lehtësuar këtë ngarkesë të rëndë.
Mund të themi se investimi ia vlen: Prindërit që punojnë me më shumë burime në dispozicion, kanë më shumë gjasa të qëndrojnë në fuqinë punëtore, sipas një sondazhi të vitit 2019 nga Qendra për Progresin Amerikan (Center for American Progress).
Kanadaja, për shembull, u zotua në vitin 2021 të shpenzojë 22 miliardë dollarë gjatë pesë viteve, për të ulur kostot e arsimit të hershëm dhe kujdesit ndaj fëmijëve.
Vendi citoi studime, që tregojnë se çdo dollar i shpenzuar për arsimin e viteve të para, sjell një kthim ekonomik deri në 2.80 dollarë, duke u dhënë më shumë prindërve lirinë për të kontribuar në fuqinë punëtore.
Në mënyrë të ngjashme, politikat e Islandës që përfitojnë prindërit që punojnë, janë një arsye pse vendi ka shkallën më të lartë të pjesëmarrjes së femrave në fuqinë punëtore.
Më shumë se 82% e grave në Islandë marrin pjesë në fuqinë punëtore të vendit, në vitin 2021.
Kjo shifër është pak më e lartë se 75% në Kanada dhe afërsisht 68% në SHBA.
Shumica e vendeve të renditura në raport, kanë një faktor tjetër të rëndësishëm të përbashkët: secili prej tyre ofron politika të forta për kujdesin ndaj fëmijëve, që e bëjnë arsimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme, gjerësisht të disponueshëm dhe të përballueshëm, madje edhe falas.
Fëmijëve në Estoni, nga mosha 18 muaj deri në 7 vjeç u garantohet vend në një institucion të kujdesit për fëmijët, ndërsa fëmijëve gjermanë u garantohet një vend përmes shkollës fillore në programet e kujdesit për fëmijët “kita” të vendit, të cilat janë falas në disa qytete.
Zelanda e Re është e çuditshme në këtë drejtim: programet e saj të edukimit në fëmijërinë e hershme shihen si disi të shtrenjta nga prindërit.
Por, vendi fitoi nota të larta në raport për cilësinë e këtyre programeve dhe një zvogëlim të hendekut të pagave gjinore, deri në vetëm 5%, sipas Indeksit të Grave në Punë të PwC.
Përfitueset janë pikërisht nënat që punojnë. /CNBC