Nga Aurora Sulce
Largimet nga puna, kushtet e munguara në punë apo mosmarrëveshje të tjera mes punëdhënësve dhe punëmarrësve nuk po përfundojnë më vetëm në gjykata, por po gjejnë zgjidhje nëpërmjet një procesi më të shpejtë dhe efikas, që është ndërmjetësimi. Kjo edhe për faktin se rastet e mosmarrëveshjeve janë shtuar dhe tashmë nuk janë vetëm kompanitë e mëdha të interesuara për ndërmjetësimin, por edhe bizneset e tjera më të vogla, të cilat për shkak të kushteve të reja të krijuara në ekonomi, po përballen me largime të shpeshta punonjësish dhe po kërkojnë zbatimin e kontratave dhe Kodit të Punës për të qenë të mbrojtur.
Nga ana tjetër, edhe punonjësit mund t”i drejtohen ndërmjetësimit për të kërkuar të drejtat e tyre, të pretenduara të mohuara apo shkelura. Mund ta bëjnë të gjithë ata që kanë kontrata kolektive dhe jo vetëm. Ligjërisht, një proces ndërmjetësimi mund të niset edhe nga dhe reagimi të jetë i njëjtë.
Në këtë mënyrë, palët do të shmangin kalvarin e gjatë të pritjes në gjykata, aty ku sipas të dhënave zyrtare për vitin 2022, rezultojnë të depozituata dhe në pritje të shqyrtimit
12.484 padi civile dhe administrative të mosmarrëveshjeve mes punëdhënësve dhe punëmarrësve. Rrjedhimisht, mbyllja e konfliktit brenda një shkurtër dhe në mënyrë miqësore është alternativa më e mirë, në interes të të gjitha palëve.
“Bizneset e mëdha janë sigurisht në dijeni për ndërmjetësimin, pasi ato punojnë me kontrata kolektive dhe individuale dhe kanë juristë apo departamente juridike dhe departamente të burimeve njerëzore, që merren me problemet e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Problemi është me bizneset e vogla dhe të mesme.
Dikur këto biznese nuk interesoheshin, por tani që ka largime punonjësish pa njoftuar apo kërkesa të tjera të paparashikuara, vetë bizneset kërkojnë zgjidhje të pikave të kontratave, kërkojnë të ketë instrumenta për penalitete, kur shkelet kontrata. Ato i referohen shpesh Kodit të Punës që kanë lidhje me lejet, pagat, kushtet e punës, sigurimit dhe shëndetit në punë etj”, shprehet Kol Sinjari, drejtor ekzekutiv i organizatës së punëdhënësve Biznes Albania.
Përfitimet nga ndërmjetësimi janë të shumta. Biznesit i kursehet kohë dhe koha për një sipërmarrje është para. Punonjësit i jepet zgjidhje për shqetësimin që ka dhe mund të vazhdojë të punojë. Një proces që nuk nxjerr të humbur asnjë.
“Ndërmjetësimi dhe pajtimi bëhen me vullnet të lirë, me kompromis, me rekomandime dhe kur ka zgjidhje pozitive, shmanget gjykata. Pra, ka zgjidhje që kursen kohën, kalimin në procese gjyqësore që janë të pafund dhe dakordësi për vazhdimin e punës”, shpjegon Sinjari.
Rastet e suksesit të ndërmjetësimit
Procesi i ndërmjetësimit të konflikteve në punë realizohet nga Drejtoria e Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional, një strukturë e ngritur pranë Ministrisë së Financave, që synon t’u japë qytetarëve një zgjidhje të shpejtë. Konflikti trajtohet brenda dhjetë ditësh në fazën e ndërmjetësimit dhe po aq ditë (dhjetë ditë) në fazën e pajtimit dhe pa asnjë kosto financiare.
Rastet e suksesit nuk kanë munguar dhe nëpërmjet ndërmjetësimit dhe pajtimit janë zgjidhur mosmarrëveshje në disa qytete të vendit, si Durrës, Vlorë, Korçë etj, aty ku ka një përqëndrim të madh të numrit të bizneseve me shumë punonjës, në industri si prodhim, fasoneri etj. “Ky proces ju vjen në ndihmë dhe ju ka shërbyer palëve të zgjidhin konfliktet në punë që kanë pasur mes tyre dhe të bien dakord me konsensus mes tyre. Për shembull një sindikatë që përfaqësonte punëmarrësit ka kërkuar ndërmjetësim dhe pajtim në kushtet kur bisedimet për kontratën kolektive ishin bllokuar e palët nuk binin dakort për lidhjen e kontratës kolektive. Ne u vumë në lëvizje dhe çështja e trajtua nga ndërmjetësi i Ministrisë dhe më pas nga Zyra Kombëtare e Pajtimit. Gjatë procedurës së pajtimit palët arritën në një marrëveshje e cila u finalizua me lidhjen e kontratës kolektive ku u parashikua dhe rritje e nivelit të pagave të punonjësve në 20% dhe kushte të prmirësuara pune për ta.
Po kështu edhe nga ndërmjetësit në qark janë zgjidhur konflikte kolektive, si për shembull në Durrës, Vlorë, Korçë, etj”, shpjegon Albin Gega, drejtor i Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional. Sipas tij, aktualisht janë ngritur struktura të organizuara dhe trajnuara mirë që mund t’ju vijnë në ndihmë palëve e të lehtësojnë dialogun, në kërkim të arritjes së një konsensusi mes tyre për mënyrën e zgjidhjes së konflikteve kolektive në punë.
Si funksionon procesi i ndërmjetësimit?
Në Kodin e Punës dhe aktet nënligjore të miratuara për zbatimin e tij parashikohet si një alternativë për zgjidhjen jashtëgjyqësore të konflikteve kolektive në punë procedura e ndërmjetësimit dhe pajtimit. Kjo procedurë i ndihmon palët të gjejnë zgjidhje me mirëkuptim për konfliktet e punës, ndaj dhe cilësohet ndryshe si alternativa e zgjidhjes miqësore të konflikteve kolektive në punë. Procedura përfshin dy faza: fazën e ndërmjetësimit dhe fazën e pajtimit. Kjo procedurë është vënë në dispozicion të palëve në një konflikt kolektiv në punë pa pagesë, pra palët nuk paguajnë për shërbimin e ndërmjetësim-pajtimit. Në fazën e parë, ndërmjetësimi realizohet nga ndërmjetësit e Rrjetit Shtetëror të Ndërmjetësimit të ngritur pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Ndërmjetësi i ndihmon palët në një mosmarrëveshje, për të arritur një zgjidhje të pranuar nga të dyja palët në konflikt kolektiv të punës. Llojet e konflikteve që trajtohen kanë të bëjnë për shembull me konfliktet që lindin nga bisedimet për lidhjen e kontratës kolektive; ripërtëritjen ose ndryshimin e kontratës kolektive; zbatimin e kontratës kolektive të punës; konflikte që lidhen me të drejtën për t’u organizuar dhe për të krijuar sindikatë; rastet e kundërshtimit të përfaqësueshmërisë së organizatës/ve sindikale për efekt të bisedimeve kolektive etj. Kjo procedurë mund të vihet në lëvizje edhe për konflikte grupi punonjësish (dy ose më shumë punonjës) të cilët mund të kenë pretendime të njëjta ndaj punëdhënësit të tyre e për të cilat ka një interes publik për zgjidhjen e tyre.
“Kjo procedurë mund të vihet në lëvizje nga secila palë e interesuar me një aplikim në formën e një kërkese drejtuar Drejtorisë së Politikave të Punësimit dhe Aftësimit Profesional në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Me marrjen e kërkesës dhe në varësi të llojit dhe shtrirjes së konfliktit ne caktojmë ndërmjetësin që ka kompetencë të trajtojë rastin në qark apo ndërmjetës në Ministri” shpjegon Albin Gega, drejtor i Politikave të Punësimit dh Formimit Profesional.
Ndërmjetësi i fton palët në senacën e ndërmjetësimit për të dëgjuar pretendimet e secilës prej tyre dhe për të arritur një zgjidhje me mirëkuptim. Ndërmjetësi lehtëson komunikimin ndërmjet palëve, eksploron nevojat dhe interesat e tyre dhe i ndihmon ata të identifikojnë dhe negociojnë kushte të pranueshme nga të dyja palët. Procesi është konfidencial, nuk ka kosto financiare dhe zhvillohet brenda një kohe të shkurtër siç është parashikuar në Kodin e Punës, VKM si dhe në Udhëzimin e Ministrit. Karakteristika e këtij procesi, është se ndërmjetësi nuk ka fuqinë për t’u imponuar një zgjidhje palëve, pra i gjithë procesi bazohet në lirinë e vullnetit të palëve për të arritur një marrëveshje që zgjidh konfliktin.
Janë pikërisht palët ato që me konsensus mes tyre vendosin e përcaktojnë si do të zgjidhet konflikti. Nëse konflikti nuk arrin të zgjidhet në fazën e ndërmjetësimit, atëherë procedura kalon në fazën e dytë të saj që është pajtimi pranë Zyrës përkatëse të Pajtimit, e cila ndihmon palët të arrijnë në një pajtim për zgjidhjen e konfliktit. Në zyrat e pajtimit përveç Kryetarit marrin pjesë dhe 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara sindikale dhe 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.
“Ne sot kemi krijuar dhe funksionojnë struktura e Rrjetit Shtetëror të Ndërmjetësimit që përfshin në përbërje të tij 12 ndërmjetës në nivel qarku pranë cdo Drejtorie Rajonale të Punësimit dhe ndërmjetës në Ministrinë e Financave dhe Ekonomis. Gjithashtu, janë ngritur dhe funksionojnë 12 zyrat shtetërore të pajtimit në të 12 qarqet e vendit dhe Zyra Kombëtare e Pajtimit në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, shpjegon Albin Gega, drejtor i Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional.
Mekanizmi i zgjidhjes miqësore të mosmarrëveshjeve është i njohur dhe i përdorur gjerësisht në botë, si një metodë që iu jep zgjidhje koflikteve me mirëkuptim dhe në një kohë të shkurtër dhe me më pak kosto se proceset gjyqësore.