Të pasionuarit e kriptomonedhave me siguri mund ta kenë dëgjuar emrin e saj, pasi ajo njihet si “Mbretëresha e Kriptove”, e cila ka mashtruar dhjetëra investitorë me një shifër prej 4 miliardë dollarësh e më pas u zhduk pa asnjë gjurmë.
Bëhet fjalë për Ruja Ignatova, e cila u doli në skenë në vitin 2016, atëherë kur kriptot ishin kryefjala e zhvillimeve dhe kur investitorët e para të tyre sapo kishin nisur të korrnin fitimet e para, të asaj që më pas do të bëhej një skemë e mirëfilltë fitimi e mashtrimi në vlera të mëdha monetare.
Ignatova e quajti veten “Cryptoqueen” dhe e shpalli kompaninë e saj, “OneCoin”, si një rival fitimprurës të “Bitcoin” në tregun në rritje të kriptomonedhave. Gjashtëmbëdhjetë muaj më vonë, Ignatova hipi në një aeroplan në Sofje, Bullgari dhe u zhduk, e që prej atëherë ajo nuk është parë më.
FBI thotë se “OneCoin” ishte një skemë piramidale që mashtroi njerëzit me më shumë se 4 miliardë dollarë, pasi Ignatova bindi investitorët në SHBA dhe në mbarë globin që të hidhnin grushte parash në kompaninë e saj. Prokurorët federalë e përshkruajnë “OneCoin” si një nga skemat më të mëdha ndërkombëtare të mashtrimit të kryera ndonjëherë.
Që kur Ignatova u zhduk në tetor 2017, fytyra e saj është postuar në faqen e internetit të FBI-së dhe në mediat kryesore të lajmeve në mbarë botën. Ajo është gjithashtu një nga të arratisurit më të kërkuar në Evropë.
Në fund të posterit të saj të kërkuar nga FBI është një shënim:
“Ignatova besohet se udhëton me roje dhe me bashkëpunëtorë të armatosur. Ignatova mund të ketë bërë operacione plastike për të ndryshuar pamjen e saj.”
Dëshira e madhe e Ignatovas që në moshë të re për t’u bërë e pasur:
Ruja Ignatova, sot 42 vjeç, është një shtetase gjermane, por ka lindur në Bullgari, ku babai i saj ishte inxhinier dhe nëna e saj mësuese. Në librin e tij “The Missing Crypto Queen”, autori Jamie Bartlett detajoi ngritjen e saj nga fillimet modeste në yll sipërmarrës.
Kur ishte vajzë, familja e saj u shpërngul në Gjermani, ku Ignatova shkëlqeu si studente dhe e kalonte kohën e lirë duke studiuar dhe luajtur shah. Shokët e klasës e përshkruan atë si të zgjuar dhe të përmbajtur.
Ignatova fitoi një bursë për një universitet në Konstanz të Gjermanisë, ku takoi dhe u martua me një student tjetër juridiku. Ajo pohoi se nuk donte fëmijë, sepse ata do ta pengonin atë të fitonte pasuri. Ajo gjithashtu u tha njerëzve se donte të bëhej milionere në moshën 30-vjeçare.
Pas studimeve të së drejtës evropiane në Universitetin e Oksfordit, Ignatova gjeti një punë në Sofje si konsulente për “McKinsey & Company”, firma ndërkombëtare e konsulencës së menaxhimit.
Klientët i besuan asaj dhe lidheshin me ngritjen e saj nga fillimet modeste dhe dëshira e fortë për të qenë e pasur. Njohja e shumë gjuhëve, duke përfshirë rusishten, gjermanishten, anglishten dhe bullgarishten, e ndihmoi gjithashtu në rrugëtimin e saj drejt suksesit.
Akuzat për mashtrim nga drejtësia amerikane:
Në tetor 2017, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së e akuzoi Ignatova-n me nga një akuzë për mashtrim me kriptonomedha, konspiracion për të kryer mashtrim, mashtrim të letrave me vlerë dhe komplot për të kryer pastrim parash, secila prej të cilave mbart një dënim maksimal prej 20 vjet burg.
Ajo gjithashtu u akuzua për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime të letrave me vlerë, e cila mbart një dënim maksimal prej pesë vjetësh. Një gjykatës federal në Nju Jork lëshoi një urdhër për arrestimin e saj.
Më pak se dy javë më vonë, më 25 tetor 2017, ajo hipi në një fluturim komercial nga Sofja, Bullgari, për në Athinë, Greqi. Më pas ajo u zhduk, duke i lënë partnerët e saj të biznesit të pranonin rënien për kompaninë në dështim.
FBI tha se beson se ajo mund të ketë udhëtuar me një pasaportë gjermane nga Athina, ndoshta në Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Rusi, Evropën Lindore apo edhe përsëri në Bullgari. Ndërsa ofron një shpërblim prej 100,000 dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e saj.
Partnerët e saj nuk ishin aq me fat. Greenwood u arrestua në korrik 2018 në shtëpinë e tij në Koh Samui, Tajlandë dhe u ekstradua në SHBA. Ai u deklarua fajtor në dhjetor për mashtrim, komplot për të kryer mashtrim dhe komplot për pastrim parash. Ai është në burg dhe përballet me 20 vjet burg për secilën nga tre pikat kur të dënohet në prill.
Vëllai i Ignatovës, Konstantin Ignatov, u arrestua në mars 2019 në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit. Ai kishte udhëtuar në SHBA për biznes dhe po përgatitej të hipte në fluturimin e tij të kthimit për në Bullgari, kur u arrestua dhe u mor në pyetje për të motrën. Ignatov u deklarua fajtor për komplot mashtrimi, pastrim parash dhe mashtrim dhe është planifikuar të dënohet në shkurt.
OneCoin është mbyllur dhe uebfaqja e tij nuk është më aktive. Por themeluesja e saj, gruaja me fustane të gjata dhe bizhuteri, i ka shpëtuar autoriteteve. Më shumë se pesë vjet pasi Cryptoqueen zbriti nga një aeroplan në Greqi, vendndodhja e saj mbetet një mister.