Në fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e Unionit, në Parlamentin Europian në Strasburg, Francë, në shtator, Ursula von der Leyen, gruaja e parë presidente e Komisionit Europian, bëri një deklaratë politike me rëndësi të madhe.
Ajo kish veshur një xhaketë sportive të verdhë të ndezur dhe një këmishë në ngjyrë blu mbretërore dhe, duke qëndruar përpara 12 yjeve të artë të Bashkimit Europian, dukej si një flamur i gjallë i Ukrainës.
“Kjo është një luftë kundër energjisë sonë, një luftë ndaj ekonomisë sonë, një luftë ndaj vlerave tona dhe një luftë për të ardhmen tonë”, – deklaroi ajo, duke folur për pushtimin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. “Bëhet fjalë për autokracinë kundër demokracisë”.
Më pas, ajo bëri një premtim: “Dua që të bëj të qartë diçka: sanksionet do të vijojnë. Ky është momenti për të treguar vendosmëri, jo qetësim”.
Disa qytetarë të vendeve të BE-së duhet të përballen me një dimër të ftohtë, pa gaz natyror rus që ngroh shtëpitë e tyre. Disa janë në vijën e drejtpërdrejtë të zjarrit, në rastin se presidenti rus, Vladimir Putin, ndihet i guximshëm për të zgjeruar agresionin e tij.
Në njëfarë mënyre, von der Leyen ia doli të bindë këta njerëz të bëjnë disa sakrifica të nevojshme për të qëndruar të bashkuar kundër Putin.
Von der Leyen, e zgjedhur në 2019-n, administron më shumë se 300 miliardë dollarë në vit të BE-së dhe punon për të arritur konsensus me 27 udhëheqësit e Shteteve që përfaqësojnë 450 milionë njerëz.
Vitin e kaluar, von der Leyen renditej e teta në klasifikimin e Forbes të 100 Grave më të Fuqishme në Botë (World’s 100 Most Powerful Women). Këtë vit është ngjitur në vendin e parë, falë mbështetjes së fortë dhe vendimtare për Ukrainën dhe udhëheqjes së vazhdueshme të Europës për të kapërcyer pandeminë e koronavirusit.
Mbështetja e saj për Ukrainën ka qenë e shpejtë dhe e gjerë. Vetëm një javë pasi Putini lëshoi raketat e para drejt Kievit në shkurt, von der Leyen u zotua të ndalonte transaksionet nga Banka Qendrore e Rusisë, të mbyllte qiejt e Europës për avionët rusë dhe të ndalonte agjencitë e lajmeve në pronësi të Kremlinit.
Në prill, ajo u bë zyrtarja më e lartë e BE-së që vizitoi Ukrainën dhe u takua me Presidentin Volodymyr Zelensky.
Në maj propozoi një seri sanksionesh më të ashpra kundër Rusisë, duke u kërkuar liderëve europianë të miratonin një “ndalim të plotë” të naftës së papërpunuar ruse.
Disa e kritikuan propozimin e saj për mungesë specifikimesh, por në qershor von der Leyen ia doli të njoftoi një masë që do të shkurtonte 90% të importeve të naftës ruse në BE.
“Në këtë moment, ajo është me të vërtetë në kulmin e fuqive të saj” – shpjegon për Forbes, Matthias Matthijs, anëtar i lartë në Council on Foreign Relations dhe profesor në School of Advanced International Studies të Johns Hopkins University.
Edhe pse von der Leyen nuk është e vetmja udhëheqëse në botë që i ka vendosur sanksione Rusisë, Matthijs thotë se ajo është përballur me një punë më të vështirë për të bindur zgjedhësit e saj se kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë, sepse do të ishte më e kushtueshme për ta se sa për qytetarët e vendeve të tjera.
“Ajo duhet të ndërmjetësojë konsensusin midis 27 vendeve anëtare, të cilat janë shumë të ndryshme nga pikëpamja kulturore”, – thotë Anja Langenbucher, drejtore e Zyrës Europiane të Fondacionit Gates.
“Dhe në këtë, është me të vërtetë e mrekullueshme”. Fondacioni Gates i ka dhënë von der Leyen çmimin “Global Goalkeeper 2022” për udhëheqjen e saj në rimëkëmbjen e Europës nga Covid, pasi presidentja ndërmori një paketë ndihmash prej 800 miliardë eurosh në verën e 2020-s, e cila hyri në fuqi në 2021.
Përvoja e Von der Leyen si mjeke dhe nënë e shtatë fëmijëve mund të shpjegojë aftësinë e saj në qetësimin e situatave të vështira. Puna e saj e parë ka qenë mjeke në një klinikë për gratë, në vendin e lindjes, Gjermani.
Ajo nuk ka qenë pjesë e politikës deri në fillim të 40-ave. Karriera e saj vijon duke punuar nga zyrat lokale deri sa u bë ministre federale e Familjes dhe Rinisë në vitin 2005. Nga viti 2013 deri në 2019 ka qenë gruaja e parë ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë.
“Ajo ka qenë e jashtëzakonshme në krijimin e strukturave për planifikimin prindëror dhe kujdesit për fëmijët, që thjesht nuk ekzistonin më parë në Gjermani”, thotë Vivien Schmidt, profesore e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit.
Sipas Schmidt, axhenda që von der Leyen ka hartuar para se të zgjidhej në 2019 ishte një arsye e rëndësishme se pse ish në gjendje të vepronte në mënyrë kaq të vendosur mbi një paketë mbështetëse mbi Covid.
Në sfondin e izolimeve të 2020-s dhe pasigurisë ekonomike, idetë e von der Leyen për trajtimin e pabarazisë sociale, forcimin e angazhimeve mjedisore të Europës dhe përshpejtimin e transformimit të saj dixhital u panë të nevojshme.
“Ajo ka ndjenjën e momentit, – thotë Schmidt. – Dhe ajo ka, besoj, një ndjenjë të fortë morale të asaj që është e drejtë”.
Tani për tani, kjo do të thotë të vazhdosh të mbash linjën kundër Rusisë. Më 30 nëntor, von der Leyen propozoi ngritjen e një gjykate speciale “për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht” krimet e dyshuara të luftës të Rusisë.
“Ne kemi nxjerrë sërish në sipërfaqe forcën e brendshme të Europës, – tha von der Leyen. – Dhe ne do të kemi nevojë për gjithë këtë forcë”. /Forbes