Qeveria ka prezantuar projektin e Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano. Projekti është paraqitur nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjitike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.
Duke folur në në konferencën e organizuar për Portin e ri të Porto Romanos në Durrës, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo është një vepër që duhet të kishte nisur kohë më parë, pasi sot do të ishim duke i marrë frutet.
Megjithatë, sipas Ramës, kjo gjë ka nisur tani, pasi tani janë pjekur kushtet për ta vënë përpara këtë projekt, duke e hequr kështu nga ajo figura e vjetër si një skenografi e Kinostudios “Shqipëria e Re”, e që nuk ka asnjë lidhje me shekullin e 21.
“Ambicia jonë është që porti i ri të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit detar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër shkon përtej saj, për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një port që e çon bashkëpunimin rajonal në një nivel krejt tjetër dhe për këtë arsye, ne e kemi nisur këtë proces paralelisht në radhë të parë me Kosovën dhe ashtu siç kemi filluar punën për hekurudhën, nga ana tjetër kemi mbështetur financiarisht si qeveri studimin e fizibilitetit për Portin e thatë të Prishtinës. Një nga lajmet më të mira të Samitit ishte mes të tjerave edhe fakti se Korridori 8 është zyrtarisht i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës së qarkullimit rrugor dhe hekurudhor të Bashkimit Evropian”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut. Projekti do të hidhet në garë ndërkombëtare fillimvitin e ardhshëm dhe do të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023.