PROF. ANASTAS ANGJELI
Dy ditët që lamë pas patën në qendër të vëmendjes së opinionit publik botëror zhvillimin në Bali të Indonezisë të Samitit të vendeve të G-20-ës.
Në të gjitha vitet e kaluara që është zhvilluar ky samit, nuk ka mundur të dalë jashtë kornizës formale të një forumi ndërkombëtar, që si qëllim ka ofrimin e një hapësire diskutimi në një nivel të lartë të çështjeve më me rendësi, me karakter global, ndërmjet liderëve të 20 ekonomive më të mëdha në botë.
Edhe këtë vit, samiti nuk mundi të dalë jashtë kësaj kornize, por me një ndryshim të madh ndërmjet viteve të kaluara. Samiti i sivjetshëm u zhvillua në një periudhë kur bota për herë të parë pas të paktën 3 dhjetëvjeçarëve gjendet në një situatë lufte në kontinentin evropian. Dhe lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë të gjitha implikimet ekonomike, politike, sociale, ndërkombëtare që ka sjellë, ndikuan në mënyrë rrënjësore edhe klimën, brenda së cilës u zhvilluan të gjitha takimet dypalëshe apo shumëpalëshe ndërmjet liderëve të vendeve të G-20-ës në ditët që paraprinë apo gjatë zhvillimit të samitit.
Delegacioni i Federatës Ruse në këtë Samit, në mungesë të Presidentit Vladimir Putin, drejtohej nga ministri i saj i Jashtëm, Sergey Lavrov. Ndërkohë, të gjithë delegacionet e vendeve të tjera të G-20-ës drejtoheshin nga krerët e shteteve apo të qeverive të tyre. Takimet, bisedat, qëndrimet dhe deklaratat reflektuan klimën e nderë, në të cilën bota gjendet por gjithashtu edhe aleancat e krijuara (në mënyrë formale ose jo) si pasojë e luftës që po zhvillohet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Mendimet e ndryshme, interesat shpeshherë diametralisht të kundërta, qasjet e ndryshme në lidhje me rolin që vendet duhet të luajnë në rajonin e tyre dhe në nivel global, u reflektuan edhe në vështirësitë që u hasën në përpilimin e një deklaratë të përbashkët në fund të samitit.
Një zhvillim (në njëfarë mënyre i papritur) përsëri nga fronti i luftës vështirësoi dhe rëndoi më tepër klimën e samitit. Ky ishte pikërisht lajmi i dy raketave të rëna brenda territorit polak, raketa të cilat shkaktuan edhe një viktimë (tashmë të gjitha njoftimet janë se ishte një incident jo i qëllimshëm). Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergej Lavrov, u largua më herët nga Samiti, duke shmangur në këtë mënyrë edhe fotot e përbashkëta që kryhen në përfundimet e samitit. Largimi i Lavrov nuk erdhi si pasojë e ngjarjes në Poloni sepse kjo gjë ishte e lajmëruar më herët, megjithatë kjo gjë tregon edhe një herë përshkallëzimin e klimës intensive midis Rusisë dhe një pjese të anëtarëve të G-20ës.
TAKIMET DYPALËSHE PARA DHE GJATË SAMITIT
Një nga takimet e shumëpritura që i paraprinë fillimit të samitit ishte ai ndërmjet Presidentit amerikan dhe atij kinez. Gjatë takimit, që u zhvillua në një frymë relativisht miqësore, të dy liderët shprehën edhe një herë diferencat e mëdha që ekzistojnë ndërmjet tyre për çështje si lufta në Ukrainë, gjendja në Tajvan, të drejtat e njeriut, çështjet e teknologjisë apo testet nukleare të Koresë së Veriut.
Të dy liderët gjenden në një pozitë të favorshme brenda vendeve të tyre ku Presidenti amerikan mori rezultate të kënaqshme në zgjedhjet e ndërmjetme, kurse ai kinez u rikonfirmua në krye të sistemit politik kinez edhe për një mandat tjetër. Kjo situatë e favorshme politike për të dyja brenda vendeve të tyre duket se u jep një siguri më shumë për të promovuar interesat e shteteve respektive, por në të njëjtën kohë u jep edhe mundësinë për t’i dhënë më shumë kohë njeri*tjetrit për të diskutuar dhe negociuar për çështjet thelbësore të marrëdhënieve ndërmjet SHBA dhe Kinës.
Pikërisht klima relativisht miqësore e takimit ndërmjet tyre tregoi se kemi të bëjmë me një hap shumë të vogël, por në drejtimin e duhur. Kështu u dakordësua rifillimi i bisedimeve dypalëshe për çështjet klimaterike, bisedime të cilat ishin ndërprerë nga vizita e Nancy Pelosit në Tajvan në muajin gusht, si dhe mbajtja hapur e kanaleve të komunikimit ndërmjet dy vendeve. Një takim tjetër i rëndësishëm ishte ai ndërmjet ministrit të Jashtëm të Kinë dhe atij të Federatës Ruse. Të dy ministrat ranë dakord që një luftë bërthamore duhet shmangur me çdo kusht. Ministri i Jashtëm kinez Ëang Yi e vlerësoi qëndrimin e Rusisë si qëndrim racional dhe të përgjegjshëm.
Ministri Ëang Yi gjithashtu tha gjatë takimit me Sergei Lavrov, se Kina ishte e kënaqur që pa Rusinë të shprehte synimin e saj për t’u angazhuar në dialog për luftën në Ukrainë dhe për të rënë dakord për të rifilluar marrëveshjen e eksportit të grurit të Detit të Zi. Të dy vendet janë të gatshme për të promovuar shkëmbimet e nivelit të lartë dhe komunikimin mes tyre në fusha të ndryshme, për të thelluar bashkëpunimin praktik dypalësh dhe për të lehtësuar shkëmbimet e personelit. Presidenti Biden u takua me Presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili luajti një rol kyç këtë verë në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje mbi eksportet e grurit ukrainas. Gjithashtu, ai u takua edhe me Kryeministrin indian, Narendra Modi, bashkëpunimi i të cilit nevojitet për të siguruar një tavan çmimi të naftës ruse të kërkuar nga SHBA.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, pati një takim të gjatë të martën me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të diskutuar Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi, marrëveshje e cila lejoi rifillimin e eksportit të drithërave nga portet e bllokuara nga lufta në Ukrainë, do të rinovohet më 19 nëntor. Presidenti francez, Emanuel Macron, pati një takim me Presidentin kinez, gjatë të cilit u diskutuan çështjet më të rëndë sishme siç është lufta në Ukrainë. Pas takimit, Macron deklaroi se të dyja vendet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e situatës në Ukrainë.
ÇFARË U ARRIT NË SAMIT DHE DEKLARATA PËRFUNDIMTARE
Lufta në Ukrainë, zhvillimet në frontin e luftës, implikimet ekonomike dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga lufta, si edhe propozime për një përfundim të luftës ishin çështjet që u gjendën lart në axhendën e Samitit. Duke qenë të ndërgjegjshëm që një Samit i tillë nuk është dhe nuk ka as mundësinë as forcën dhe as tagrin për të zgjidhur çështje madhore të sigurisë në nivel global dhe rajonal, liderët e vendeve të G20ës e shfrytëzuan kohën e këtij Samiti për të shpalosur planet, për të treguar problematikat, me të cilat përballet sot sistemi global si pasojë e luftës në Ukrainë dhe për të dhënë mesazhe në të gjitha drejtimet.
Deklarata përfundimtare në këto lloj samitesh është gjithmonë subjekt i negociatave ndërmjet vendeve anëtare, të cilat për çështje të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme. Këto ndryshime qëndrimesh nuk kishte si të mungonin as këtë herë. Në deklaratën përfundimtare është e dukshme ndryshimi i qëndrimeve në lidhje edhe me çështjen më të nxehtë të momentit, pra, me luftën në Ukrainë. Më konkretisht, theksohet se:
“Shumica e anëtarëve e dënuan ashpër luftën në Ukrainë dhe theksuan se kjo luftë po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po përkeqëson brishtësinë e ekonomisë globale – kufizimin e rritjes, rritjen e inflacionit, ndërprerjen e zinxhirëve furnizues, rritjen e pasigurisë së energjisë dhe ushqimit, dhe duke rritur rreziqet e stabilitetit financiar. Ekzistojnë pikëpamje të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet. Duke e qenë të ndërgjegjshëm se G20 nuk është forumi për zgjidhjen e çështjeve të sigurisë, ne e pranojmë se çështjet e sigurisë mundet kanë pasoja të rëndësishme për ekonominë globale”.
Në lidhje me zotimet që vendet e G-20-ës morën për sa u përket pasojave që lufta ka në ekonominë globale në deklaratë theksohet se: “Ne do të bëjmë investime publike dhe reforma strukturore, do të promovojmë investimet private dhe do të forcojmë tregtinë shumëpalëshe dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit global, për të mbështetur rritjen afatgjatë, tranzicion të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, të gjelbër dhe të drejtë”.
Zotohen gjithashtu se do të bëjnë përpjekje për të siguruar qëndrueshmëri fiskale afatgjatë dhe se bankat qendrore do të jenë të përkushtuara për të arritur stabilitetin e çmimeve. Gjithashtu, do të ndërmerren hapa për të mbrojtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar dhe për të përdorur të gjitha mjetet e disponueshme për të zbutur rreziqet negative, duke vënë në dukje hapat e ndërmarra që nga kriza financiare globale për të forcuar qëndrueshmërinë financiare dhe për të promovuar financim të qëndrueshëm dhe flukset e kapitalit.
Do të ndërmerren veprime për të promovuar sigurinë ushqimore dhe energjetike dhe për të mbështetur stabilitetin e tregjeve, duke ofruar mbështetje të përkohshme dhe të synuar për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve, forcimin e dialogut midis prodhuesve dhe konsumatorëve dhe rritjen e tregtisë dhe investime për nevojat afatgjata të sigurisë ushqimore. Liderët e G-20-ës ranë dakord gjithashtu për të vazhduar përpjekjet për të kufizuar rritjen globale të temperaturave në 1.5 gradë Celsius dhe për të përshpejtuar përpjekjet për të hequr gradualisht përdorimin e qymyrit. “Kemi vendosur të vazhdojmë përpjekjet për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5 gradë Celsius. Kjo do të kërkojë veprim dhe angazhim thelbësor dhe efektiv nga të gjitha vendet”, thuhet specifikisht në deklaratën përfundimtare.
Në deklaratë u bëhet thirrje gjithashtu pjesëmarrësve në konferencën ndërkombëtare të klimës COP27 të OKB-së në Sharm El Sheikh, Egjipt që të “rrisin urgjentisht përpjekjet në samitin e tyre për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike”. Liderët e G-20-ës iu referuan gjithashtu nevojës për të përshpejtuar “përpjekjet për të hequr gradualisht prodhimin e energjisë së qymyrit, bazuar në rrethanat kombëtare dhe duke njohur nevojën për të mbështetur tranzicionet e drejta”. Në deklaratën përfundimtare, u vu në dukje se ekonomia globale po përballet me “kriza të pashembullta shumëdimensionale”, duke filluar nga lufta në Ukrainë deri tek rritja e inflacionit, që po detyron shumë banka qendrore të shtrëngojnë politikën monetare.
Përveç pranimit për të vazhduar shkallën e duhur të ritmit të shtrëngimit të politikës monetare, vendet e G-20-ës riafirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për të shmangur luhatshmërinë e tepërt në kurset e këmbimit, ndërsa pranuan se “shumë monedha kanë lëvizur ndjeshëm” këtë vit. Në lidhje me borxhin, liderët shprehën shqetësimin për situatën përkeqësuese të disa vendeve me të ardhura mesatare dhe nënvizuan rëndësinë që të gjithë kreditorët të ndajnë një barrë të drejtë.
Siç u përmend më sipër, forume të tilla nuk kanë as mundësinë dhe as tagrin për të dhënë zgjidhje problemeve serioze, me të cilat ekonomia globale por edhe vendet e veçanta përballen. Aq më shumë për të zgjidhur problemet e sigurisë globale në një periudhë si kjo që po përjetojmë. E megjithatë nëpërmjet diskutimeve, kanaleve të komunikimit dhe hapësirës për të negociuar që forume të tilla ofrojnë mund të arrihen rezultate pozitive dhe të arrihen disa zgjidhje. Shpresojmë se ky do të jetë rasti edhe i këtij samiti të G-20-ës.