Shqipëria konsiderohet në raportet e ndërkombëtarëve si një vend me nivel të lartë korrupsioni dhe ndërhyrje të grupeve të caktuara të biznesit në vendimmarrje. Kjo është arsyeja kryesore që shumica e projekteve madhore për vendin, me shuma të konsiderueshme financimi kundërshtohen ashpër nga opozita apo ekspertët, me argumentin se favorizohen klientë të qeverisë, në dëm të taksapaguesve dhe ekonomisë së përbashkët. Një aktivitet që në rastet kur ndodh është i fshehtë dhe larg syve të publikut.
Shqipëria është një ndër të paktat vende që nuk ka sot në fuqi një ligj për lobimin; një ligj ku ndërhyrja e grupeve apo lobeve të caktuara për një politikë ekonomike, projekt apo strategji zhvillimore të bëhet hapur dhe në mënyrë transparente.
Ekspertët ndajnë mendime të ndryshme nëse edhe vendit tonë i duhet një ligj lobimi apo jo. “Gjykoj se tashmë Shqipëria e ka të nevojshme të ketë një ligj të veçantë për lobimin, i cili do të mundësonte normimin e aktivitetit të lobimit, vendosjen e tij brenda kornizës ligjore dhe institucionale, gjë e cila do të nxiste rritjen e transparencës së fondeve, të marrëdhënieve mes insitucioneve publike dhe grupeve të interesit, lobistëve e politikanëve”, argumenton Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë,
Ndërsa për ekspertin Selami Xhepa, lobimi është një fakt që ka ndodhur në Shqipëri, por vetëm se ka qenë i fshehtë. “Edhe pse nuk kemi pasur një ligj për lobimin, në fakt lobimi ka ndodhur, vetëm se ka qenë i fshehtë, diskret duke prodhuar, madje, raste të qarta të kapjes së shtetit (state capture)! Një ligj për lobimin mendoj se do e bënte procesin të hapur dhe transparent. Nga kjo pikëpamje, mendoj se vendit i duhet një ligj i tillë. Praktikat e konsultimeve me biznesin përmes krijimit të strukturave të caktuara – të ndryshuara nga qeverisjet e forcave të ndryshme politike – janë konsideruara si të mjaftueshme për mekanizmat vendimmarrëse. Por besoj se këto forma janë të pamjaftueshme”, shprehet Xhepa.
Por nuk është i këtij mendimi Pano Soko, ekspert për ekonominë. Sipas tij, shoqëria shqiptare, klasa politike dhe institucionet nuk e kanë arritur ende atë stad zhvillimi dhe përgjegjshmërie, që janë parakushte për zbatimin e një ligji për lobimin.
“Besoj është i parakohshëm një ligj për lobimin, pasi politika dhe shoqëria shqiptare nuk e kanë akoma kulturën për të zbatuar një ligj të tillë. Shoqëritë që e kanë zbatuar një ligj të tillë, kanë klasa politike që kanë qindra vite në drejtimin e demokracisë, zbatimin e ligjit në standardet më të larta dhe nivel të ulët korrupsion. Të gjitha këto janë parakushte për zbatimin e një ligji të tillë. Duhet kuptuar që lobimi në vetvete është një formë e klientelizmit të legalizuar. Çka do të thotë që lobimin nga korrupsioni e ndan një fije shumë e hollë, që në shumë raste as nuk duket fare; ato shkrihen me njëra-tjetrën. Por është kultura demokratike, është përgjegjshmëria e klasës politike ajo që ruan vendet e tjera në të kaluarit nga lobimi në korrupsion. Politika shqiptare, shoqëria shqiptare fatkeqësisht nuk e ka këtë stad të kulturës së nevojshme për të prezantuar një ligj të tillë”, shprehet Soko.
Sipas tij, në momentin që do të zbatohej një ligj i tillë në realitetin shqiptar, kjo do të çonte në deformim të vendimarrjes nga qeveria dhe organet ligjzbatuese.
“Në momentin që do të kishim një ligj të tillë, do të kishim të legalizuar ndërhyrjen pranë organeve të qeverisjes dhe të vendimmarrjes, të cilat duhet të merrnin vendime në bazë të forcës së argumentit të lobuesit. Ekzistenca e lobimit në formë të legalizuar do ta deformonte vendimmarrjen. Në vende me demokraci të dobëta dhe të brishta, një ligj i tillë ka rrezik që të kthehet në të kundërt, dhe të jetë një iniciativë që më shumë të sjellë dëm, sesa do të sjellë të mira për vendin dhe politikëbërjen. Praktikisht, nuk jam në favour të këtj ligji”, shprehet Soko.
Ekspertët e ekonomisë janë të ndarë në mendimet e tyre edhe përsa i përket ndikimit që një ligj për lobimin do të kishte tek qeverisja dhe ndarja e parasë publike.
“Ligji për lobimin: do të përmirësonte funksionin e administratës publike e të qeverisjes; do të garantonte transparencë mes organit publik e lobuesit; do të ndikonte në uljen e korrupsionit, gjë e cila do të nxiste rritjen e besimit të publikut në organet e qeverisjes lokale e qendore; përmes formalizimit të aktivitetit lobues e bën qeverisjen të ketë nën administrim procesin lobues; nëse zbatohet korrektësisht, mund të sjellë shmangien e lobimeve të padrejta, që dëmtojnë të mirën publike, gjë e cila mbron qeverisjen dhe e bën atë edhe më të mirë.
Për ndarjen e parasë publike, në Shqipëri funksionojnë ligje të posaçme dhe po kështu përdorimi i tyre për lobim, për avokati në mbrojtje të të drejtave të shtetit apo për publicitet për vendin realizohen edhe me vendime qeverie. Funksionimi i një ligji të ri për lobimin, i hartuar në harmoni me ligjet ekzistuese, mund të çojë edhe në shmangien e abuzimeve apo keqpërdorimit të parasë publike”, shprehet Teuta Nunaj, eksperte për ekonominë.
Por për ekspertin Pano Soko, ligji i lobimit do të bënte që në Shqipëri, financimet të zhvendoseshin nga projektet me interes të përgjithshëm drejt atyre me interes vetëm të një grupi njerëzish, që do të përfaqësonin edhe lobe të caktuara.
“Si do të ndikonte një ligj i tillë në ndarjen e parasë publike do të ishte problem më i madh. Çdo deformim që do të vinte nga lobimi, do të sillte një mungesë të eficencës së parasë publike. Në këtë pikë, duke qenë se lobimi do të ushtronte një forcë graviteti në vendimarrjen për financimin e projekteve, nuk do të financoheshin projektet më të shëndosha për shoqërinë, por projektet e një grupi të caktuar interesi dhe të shoqërisë, siç mund të jenë lobet e biznesit. Praktikisht, ne jemi në një stand ku shoqëria dhe vendi kanë nevojë për një frymëmarje të gjerë dhe për një financim të atyre projekteve që ndikojnë në jetën bazë të qytetarëve, për shkak të standardit të ulët të jetesës që kemi. Një ligj për lobimin do të na hiqte paranë publike nga këto projekte dhe do ta çonte aty ku kanë interes grupet e interesit”, argumenton Soko.
Por për ekspertin e ekonomisë, Selami Xhepa lobimi nuk ka lidhje në vetvete me paranë publike, por me transparencën ndaj qeverisjes.
“Mendoj se një proces ligjor lobimi e bën vendimmarrjen më transparente, duke ndikuar pozitivisht qeverisjen. Lobimi nuk prodhon domosdoshmërisht eficencë në alokimin e të ardhurave publike. Programet e lobuesve të fuqishëm nuk bazohen tek eficienca ekonomike, por fuqia lobuese”, deklaron Selami Xhepa.
Po kush përfiton nga ligji i lobimit?
Edhe për këtë çështje, ekspertët janë të ndarë në mendimet e tyre. Për Teuta Nunaj, përfitues janë të gjitha palët, përfshi publikun. “Miratimi i ligjit për lobimin detyron lobistët apo kompanitë e lobimit të punojnë në respektim të ligjit, por edhe të Kodit të Etikës. Përfituesit e mundshëm të ligjit janë: Publiku – pasi transparenca e veprimtarisë lobiste, zvogëlon abuzimin në dëm të të mirës publike; Institucionet publike – pasi normimi dhe ushtrimi i kontrollit të procesit lobues sjell uljen e korrupsionit dhe efektivitetit të marrëdhënieve mes dy palëve, po kështu rrit edhe përgjegjësinë e veprimtarisë së institucioneve publike; Bizneset/grupet e interesit/aktorë të tjerë në treg – pasi kur punësojnë lobistë në mbrojtje të interesave të veta, aktiviteti i këtyre orgnizatave do të jetë ligjor, i mbrojtur dhe i qartë. Po kështu, këto organizata kanë mundësi përmes lobimit të përfshihen në proceset vendimmarrëse”, shprehet ajo.
“Jo gjithnjë interesi publik shërbehet më mirë. Mos harrojmë se lobimi nga industria financiare në favor të derregullimit të tregtisë së derivativeve ishte një nga shkaqet e krizës së 2007! Ka gjithnjë një trade off midis përfitimeve nga transparenca e qeverisjes dhe kostove të humbjeve nga lobimi, në favor të projekteve/politikave ineficiente”, shprehet Xhepa.
Ndërsa për Pano Sokon, përfituesit e vetëm të ligjit të lobimit janë grupet e interesit. Por sipas tij, më tepër sesa lobues të organizuar, në Shqipëri ka grupe njerëzish që influencojnë qeverinë apo parlamentin, për të përfituar ekonomikisht dhe politikisht.
“Lobet e biznesit janë përfituesit e një ligji të tillë, në varësi të peshës apo fuqisë ekonomike që kanë. Por praktikisht, më shumë sesa lobe biznesi do të kishim grupe njerëzit. Shoqëria jonë ende nuk ka krijuar grupe të tilla interesi që të marrin sipërmarrje lobimi, pra që ndërtuesit të jenë veç, peshkimi veç, agropërpunuesit veç etj. Pra të ketë grupe interesi brenda biznesit që të jenë të organizuar në bazë të interesit, nuk i kemi. Me tepër sesa grupe interesi, ne kemi grupe individësh që kanë influencë pranë qeverisë apo parlamentit dhe këta do të vazhdonin të ishin, por tashmë do ta kishin të legalizuar. Pra, nuk do të ndryshonte gjë. Ata që sot përfitojnë për shkak të klientelizimit se quhen klientë, nesër do të përfitonin për shkak të lobizmit”, argumenton Soko.
Edhe pa një ligj lobimi, në Shqipëri zhvillohet lobim. Biseda që nuk i merr vesh askush dhe ndarje projektesh e investime publike në favor të një grupi apo një tjetri. Ndryshimi qëndron tek transparenca dhe fakti që lobuesit sot janë të paidentifikuar.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania – ActionALBANIA”, që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Ky grant mbështetet nga “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.