Misioni i rradhës i Fondit Monetar Ndëekombëtar ka përfunduar takimet në Tiranë dhe në një konferencë të përbahskët për shtyp me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka lënë rekomandimet për qeverinë. FMN rekomandon që të zbatohen reforma për të harmonizuar proceset e investimeve publike dhe Partneriteteve Publike Private (PPP), dhe integrimin e tyre të plotë në ciklin normal të buxhetit.
“Ne bëjmë thirrje për shtimin e përpjekjeve për të rritur aftësitë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) që të luajë rolin e saj si gardian në procesin e përzgjedhjes së projekteve, si dhe që të luajë një rol aktiv në vlerësimin dhe monitorimin e tyre” deklaroi sot Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse të përfundimit të rishikimit të programit me Shqipërinë.
Në deklaratën zyrtare përmbyllëse FMN -së vuri theksin në zbatimin e strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike (MFP), e cila do të adresojë reformat e papërfunduara dhe hapat prapa në kontrollin e angazhimeve dhe parandalimin e detyrimeve të prapambetura, dhe që do të hapë rrugën për përfshirjen e praktikave të gjelbra në MFP.
Fondi vuri në dukje se ekonomia shqiptare i ka përballuar goditje të shumta relativisht mirë. Ndonëse ndikimet e drejtpërdrejta të Shqipërisë nga lufta e Rusisë në Ukrainë janë të kufizuara, deficitet buxhetore, borxhi i jashtëm dhe borxhi i lartë publik bëjnë që Shqipëria tani të përballet me sfidat si pasojë e rritjes ndërkombëtare të çmimeve të ushqimit dhe energjisë, kushte financiare globale më të shtrënguara që ka gjasë të vazhdojnë, si dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike në Europë. Nevojiten politika të kujdesshme dhe vigjilencë për të minimizuar risqet në rritje dhe për të ruajtur ritmin pozitiv në ekonomi.
Konsolidimi fiskal, mbështetur në një Strategji të shëndoshë Afatmesme për të Ardhurat, është jetik për të rikrijuar hapësirë për manovrimin për politikën fiskale dhe për të ulur trysninë e kërkesës. Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme dhe e shënjestruar tek shtresat në nevojë. Rritja e efiçencës dhe e besueshmërisë tek financat publike mbetet jetike për të ruajtur besimin e tregut dhe për të zbutur kostot e më të larta të huamarrjes, këshilloi FMN.
Në deklaratë thuhet, se nevojitet shtrëngim i mëtejshëm i politikës monetare për të zbutur inflacionin.
Normat më të larta të interesit dhe ndryshimi i konfigurimit të sistemit financiar kërkojnë vigjilencë të shtuar për të ruajtur stabilitetin financiar.
Edhe pse Shqipëria po përballet me sfida urgjente afatshkurtra, autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre ndaj reformave strukturore që ngrenë potencialin e Shqipërisë për një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Parashikimi i zhvillimit ekonomik
Pas një rritje të lartë në vitin 2021, ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3.7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse.
Inflacioni është rritur ndjeshëm dhe po bëhet me bazë gjithnjë e më të gjerë. Norma e inflacionit pritet të arrijë kulmin në muajt në vijim, duke filluar uljen vetëm në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin prej 3 për qind e Bankës së Shqipërisë (BSH) nga mesi i 2024, kur çmimet ndërkombëtare të mallrave të bursës të stabilizohen, politika fiskale dhe monetare të shtrëngohen dhe rritja ekonomike të ngadalësohet. Parashikimet tona të tanishme supozojnë se norma bazë e interesit do të rritet në 3-3.5 për qind në vitin 2022 dhe 4-4.5 për qind në vitin 2023.
Fondi vuri në dukje se perspektiva ekonomike është subjekt i një pasigurie domethënëse dhe risqet janë të prirura në kahun e poshtëm. Çmimet e ushqimeve dhe energjisë në tregun ndërkombëtar mund të rriten më tej. Një inflacion më i lartë dhe më i qëndrueshëm do të rëndonte më shumë tek të ardhurat reale dhe do të dobësonte perspektivën e rritjes ekonomike. Shtrëngimi drastik i kushteve globale të financimit mund të pengojë aksesin e Shqipërisë në financime. Ekonomia është gjithashtu e ndjeshme ndaj kushteve të pafavorshme të motit dhe ndryshimit të kahut të rritjes në çmimet e pasurive të paluajtshme.
Fondi këshilloi që politika fiskale duhet të rindërtojë hapësirat për manovrim të shpejtë ―mbështetur nga rritja e të ardhurave tatimore―dhe të zvogëlojë presionin e kërkesës, duke ofruar mbështetje të shënjestruar e të përkohshme për të mbrojtur kategoritë në nevojë nga ndikimi i rritjes së kostos së jetesës.
FMN kërkoi që të gjitha projektet publike duhet t’i nënshtrohen kuadrit ligjor për investimet dhe prokurimin publik. Autoriteteve u kërkohet të publikojnë kontratat e prokurimit publik që lidhen me shpenzimet për pandeminë dhe rimëkëmbjen nga tërmeti, emrat e kompanive fituese dhe pronarët përfitues. “Ne e ritheksojmë nevojën për minimizimin e përdorimit të akteve normative për të ndryshuar buxhetin. Luhatja në tregun global të energjisë nënvizon urgjencën e reformave vendimtare për ta sjellë sektorin e energjisë elektrike në qëndrueshmëri financiare dhe për të ulur rreziqet fiskale. Subvencionet me bazë të gjerë duhet të hiqen, sepse u sjellin përfitime në mënyrë të shpërpjesëtuar atyre që kanë më shumë mundësi dhe i pengojnë sinjalet e çmimeve. Përshtatja graduale e tarifave në nivele që mbulojnë koston është kritike dhe duhet shoqëruar me masa mbështetje për shtresat në nevojë. Është gjithashtu thelbësore që të rritet transparenca e sektorit të energjisë elektrike dhe e drejtimit të ndërmarrjeve shtetërore”, thuhet me tej në deklaratë.
Me rritjen ekonomike të vitit të kaluar, qeveria me të drejtë ka nisur konsolidimin fiskal. Ne mbështesim buxhetit e rishikuar të korrikut, i cili dha ndihmë shtesë të shënjestruar për shtresat në nevojë, si dhe uli deficitin. Borxhi publik parashikohet të ulet më tej në rreth 68 për qind të PBB-së për vitin 2022. Çdo realizim i të ardhurave mbi parashikimet buxhetore duhet të kursehet për të zvogëluar më shpejt borxhin.
Duke qenë se Shqipëria ka borxh të lartë publik, nevoja të mëdha për financim bruto dhe kosto në rritje të huamarrjes, qeveria duhet të përfitojë nga situata ende pozitive e rritjes për të rindërtuar hapësirat e manovrimit të politikës fiskale shpejt. Kjo do të ulte gjithashtu presionin mbi politikën monetare për të rritur edhe më shumë normat e interesit për të zbutur inflacionin për të lehtësuar rregullimin e sektorit të jashtëm. Për këtë qëllim, ne i rekomandojmë qeverisë që të synojë të paktën një bilanci primar zero në vitin 2023, duke plotësuar kushtin e Ligjit Organik të Buxhetit një vit përpara kohe, si dhe të arrijë një bilanc primar pozitiv prej 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2024. Nëse do të materializoheshin rreziqet e kahut të poshtëm, stabilizatorët automatikë duhet të lejohen të futen në veprim, si dhe të jepet ndihmë shtesë e përkohshme dhe e shënjestruar për shtresat në nevojë, këshilloi më tej Fondi.
Konsolidimi fiskal duhet mbështetur nga një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (SAA) për të rritur të ardhurat tatimore që janë ndër më të ulëtat në rajon si përqindje e PBB-së. Duke marrë parasysh gjasat për një inflacion të lartë në vitin 2023, grumbullimi i më shumë të ardhurave tatimore do të krijonte hapësirë për ndihmë të mëtejshme të shënjestruar e të përkohshme për shtresat në nevojë, pa rritur deficitin buxhetor.
Për periudhën më afatgjatë, të ardhurat më të larta janë të nevojshme edhe për të mbështetur nevojat për zhvillim të Shqipërisë. Nxisim autoritetet të përfundojnë dhe të zbatojnë pa vonesa të mëtejshme SAA-në. Strategjia duhet të hartohet dhe të shihet si një plan për reformat tatimore të Shqipërisë, duke zëvendësuar qasjen e deritanishme të copëzuar ndaj ndryshimeve të politikës tatimore. Përtej rritjes së të ardhurave, stabiliteti dhe para shikueshmëria e sistemit tatimor do të lehtësojë administrimin tatimor dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mjedisit të biznesit.
“Në këtë kontekst, ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, si dhe ndikimin negativ në përmbushjen tatimore. Inkurajojmë autoritetet të shfrytëzojnë të gjithë kuadrin ekzistues të mbrojtjes sociale për të shënjestruar më mirë dhe për të përmirësuar mbulimin, si dhe për të siguruar qasje për ata që kanë më shumë nevojë. Megjithëse strukturat ekzistuese të mbrojtjes sociale kanë funksionuar përgjithësisht mirë, më shumë mund të bëhet për të përmirësuar efektivitetin dhe shtrirjen e tyre.
Forcimi i efikasitetit dhe besueshmërisë së financave publike mbetet thelbësor për ruajtjen e besimit të tregjeve dhe për zbutjen e kostove të rritura të huamarrjes”, thuhet në deklaratën zyrtare të FMN-së.
FMN këshilloi që politika monetare duhet të vazhdojë të rrisë normën e interesit, duke mbetur e gatshme për të reaguar mbështetur në të dhëna Ne mbështesim normalizimin e politikës monetare ndërmarrë nga BSH. Kushtet monetare vazhdojnë të jenë lehtësuese pavarësisht rritjeve të njëpasnjëshme të normës bazë së interesit, pasi normat reale mbeten thellësisht negative, duke pasqyruar inflacionin në rritje dhe pritshmërinë për inflacionin.
Duke qenë se rreziqet për perspektiven e inflacionit janë në kahun e sipërm, shtrëngimi monetar duhet sjellë para në kohë dhe rritje të mëtejshme të normës të interesit janë të nevojshme. Veprimet e vendosura tani do të ndihmojnë për të parandaluar një spirale pagë-çmim, do të ulë rrezikun që pritshmëritë inflacioniste të çankorohen dhe do të shmangë vonesat e tepërta në shtrëngimin monetar, çka mund të bëjë të nevojshme më vonë rritje mjaft më të mëdha të normave të interesit.
FMN kërkon që BSH duhet të jetë e përgatitur që ta rrisë normën e interesit mbi nivelin e vlerësuar të interesit neutral në rast se presionet inflacioniste nuk ulen. Strategjia që dikton ritmin dhe masën e shtrëngimit monetar duhet të komunikohet qartë.
Për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë, ritmi dhe masa ciklit shtrëngues monetar duhet të marrë parasysh zhvillimet në kushtet ekonomike. Çmimet të qëndrueshme më të larta të mallrave të bursës botërore do të kërkonin shtrëngime më të forta për të kufizuar efektet e raundit të dytë dhe për të mbajtur të ankoruara pritshmëritë për inflacionin. Ndërsa, një ngadalësim i rritjes ekonomike, konsolidim fiskal më i shpejtë, ose një reagim më i fortë i inflacionit bazë ndaj rritjes së normës së interesit, do të mbështeste një shtrëngim më gradual ose ndalje më herët të ciklit të shtrëngues.
Regjimi i kursi i këmbimit duhet të mbetet i lirë dhe të vazhdojë të luajë rolin e tij si amortizues goditjesh. Nënçmimet (mbiçmimet) domethënëse të kursit të këmbimit, të cilat mund të ndikohen nga madhësia dhe ritmi i shtrëngimit monetar të bankave qendrore kryesore, do të kërkojnë shtrëngim më të madh (më të vogël) të politikës monetare.
Vigjilenca e shtuar është jetike për të ruajtur stabilitetin financiar, ndërkohë që kushtet monetare shtrëngohen dhe konfigurimi financiar vazhdon të ndryshojë Sistemi bankar i ka përballuar relativisht mirë goditjet e njëpasnjëshme, mbështetur nga përpjekjet e vazhdueshme të BSH për të forcuar kuadrin rregullator dhe mbikëqyrjen. Por efekti i plotë i goditjeve mund të bëhet i dukshëm në bilancet e bankave vetëm me kalimin e kohës dhe bankat janë të ndjeshme ndaj rreziqeve të kreditimit, normës së interesit dhe kursit të këmbimit.
BSH duhet të vazhdojë të forcojë inspektimet me bazë risku në terren dhe nga qendra dhe të përfundojë analizat e fokusuara mbi cilësinë e aktiveve. Përpjekjet e vazhdueshme për të rritur rezervat e kapitalit bankar janë të mirëpritura. Ne bëjmë thirrje për monitorim nga afër dhe menaxhim të risqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj. Në këtë kuadër, mirëpresim përpjekjet e BSH për të adresuar mungesën e konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin dhe bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar.
Përtej mandatit të BSH, kuadri ligjor për falimentin dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme tashmë në fuqi, duhet të zbatohet me shpejtësi, përfshirë ristrukturimin e kredive me marrëveshje jashtë-gjyqësore, për të qënë të përgatitur për ndonjë rritje të madhe të kredive me probleme. Ngërçi i kahershëm në reformën e përmbarimit duhet të gjejë zgjidhje.
Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe kuadrit rregullator, në përputhje me standardet e BE-së, do t’u japë autoriteteve mjete për të menaxhuar më mirë rreziqet ndaj stabilitetit financiar. Prania e bankave me kapital të konsiderueshëm aksionar nga individët dhe grupet jofinanciare rrit riskun e mungesave në kapital, të transaksioneve ndërmjet palëve të lidhura dhe ekspozimeve të larta. Është kritike të garantohet që subjektet hyrëse në treg të kenë përvojë të lartë bankare dhe të përmbushin në mënyrë të vazhduar kriteret e përshtatshmërisë (përfshi aksionerët e mëdhenj dhe ata me aksione kontrolluese, pronarët përfitues dhe drejtuesit e lartë) që të operojnë në sistemin financiar shqiptar. Në këtë kuadër, është e rëndësishme që BSH të zbatojë një kuadër të përforcuar të licencimit dhe mbikëqyrjes dhe për autoritet që të zbatojnë rregullat përkatëse të konkurrencës.
Me hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, përpjekjet për forcimin e qeverisjes dhe institucioneve kanë marrë edhe më shumë rëndësi dhe duhen shtuar edhe pse Shqipëria përballet me sfida të ngutshme afatshkurtra
“Ne marrin shënim përparimin e bërë me vetingun e gjyqtarëve, zyrtarëve të tjerë gjyqësorë dhe prokurorëve, si dhe objektivin e autoriteteve për të mbajtur ritmin që të sigurojnë përmbylljen e procesit brënda afatit kushtetues në dhjetor të vitit 2024. Masat për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave janë nën shqyrtim përfshirë përpjekjet e shumë-anshme për të zgjidhur mungesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kualifikuar. Vëmë re se rishikimi i Strategjisë kundër Korrupsionit është përfunduar dhe presim me padurim finalizimin dhe botimin e strategjisë së rishikuar dhe planit të veprimit, që pritet në fund të këtij viti, pas një procesi të hapur konsultimesh publike. Shqipëria është duke bërë progres në zbatimin e planit të veprimit të FATF, por duhet të përshpejtojë përpjekjet për trajtimin e çështjeve të mbetura, që të dalë nga monitorimi i shtuar FATF (“list a gri” e FATF) i nxisim fort autoritetet që të sigurohen që çdo nismë e re me ndikim të mundshëm në integritetin financiar të jetë në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga FATF dhe MONEYVAL” thuhet më tej në deklaratën e FMN-së.
Shqipëria duhet të përshtatë ekonominë e saj me ndryshimin e klimës. Rëndësia e bujqësisë, varësia e Shqipërisë tek energjia nga burimet hidrike dhe transformimi i saj në një ekonomi të varur nga turizmi e ekspozon atë ndaj efekteve të ndryshimit të klimës. Përshtatja duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave dhe planeve të qeverisë. Miratimi i praktikave të gjelbra të MFP dhe SAA mund të ndihmojë në financimin e kostove të përshtatjes dhe për përmbushjen e objektivit të Shqipërisë për të arritur neutralitetin në emetimin e karbonit deri në vitin 2050. Falënderojmë autoritetet shqiptare dhe të gjithë partnerët e tjerë për bashkëpunimin e ngushtë dhe shkëmbimin e frytshëm të pikëpamjeve.