AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
Çmimi “Nobel” që në krijimin e tij është çmimi më i dedikuar dhe i lidhur me veprimtarinë, kërkimin dhe arritjet në shkencë, në fusha dhe drejtime të ndryshme të saj. Një prej tyre është dhe dhënia e këtij çmimi në ekonomi. Ky vlerësim mban parasysh faktin se:
SHKENCA ESHTE PARARENDESE DHE PASQYRE E ZHVILLIMEVE HISTORIKE DHE REALE
Qëllimi i shkencës, i pandryshuar që nga antikiteti deri në ditët e sotme, është të kuptojë dhe të shpjegojë e të japë zgjidhje dhe të rekomandojë… Të kuptojë fenomenet natyrore dhe sociale, të prodhojë sa më shumë përshkrim, shpjegim dhe parashikim të këtyre fenomeneve. Shkenca është një përpjekje kolektive, sociale dhe si e tillë kurrë nuk mund të jetë e shkëputur nga konteksti social dhe historik. Dhe kjo vlen si për shkencat ekzakte dhe për ato sociale. Që nga koha e filozofëve të parë parasokratikë e deri te laureatët e sotëm të çmimit “Nobel”, roli i tyre në shoqëri ka mbetur po ai, një rol thelbësor, jetik dhe i pazëvendësueshëm. Kontributorët kryesorë të përpjekjes së shoqërive për progres, për gjetjen e zgjidhje të problemeve që bashkekzistence kolektive prodhon.
Në këtë kontekst, zhvillimet historike ndikojnë në zhvillimin shkencor në të njëjtën mënyrë që shkenca ndikon në zhvillimet historike. Dialektika e kësaj marrëdhënie është thelbësore në shpjegimin e drejtimit që do të marrë kërkimi shkencor në një periudhë të caktuar historike bazuar pikërisht te zhvillimet që periudha historike do të shfaqë. Nga ana tjetër, edhe zhvillimi i shkencës do të ndikojë në mënyrë bazike te rrugëtimi që historia do të nisë, vazhdojë apo ndryshojë. Pra, shkenca si pararendëse, por edhe si pasqyrë e zhvillimeve historike.
Jetojmë në një periudhë ndryshimesh historike dhe e ardhmja duket si përherë e pasigurt. Duke marrë në konsideratë ndryshimet rrënjësore që sistemi ndërkombëtar pësoi në fillim të viteve 1990 mund të themi që 30 vitet e fundit kanë qenë një tablo ndryshimesh të pandërprera ku fjala krizë është bërë sinonim i ndryshimit. Kriza politike, sociale, ekonomike, tregtare financiare, globale dhe rajonale. Kriza humanitare, ushqimore, ambientaliste dhe pandemi. Dhe vitin e fundit përplasje luftarake (Rusi-Ukrainë) në kufijtë e Europës. Bota gjendet në një ndryshim të vazhdueshëm, gjeopolitik dhe gjeoekonomik dhe ndryshimi vazhdon të mbetet e vetmja gjë që nuk ndryshon, siç do thoshte edhe Herakliti.
Nga ana tjetër, edhe shkenca nuk ndalon së zhvilluari dhe kërkimi shkencor vazhdon përpjekjet për të dhënë zgjidhje problemeve të thella të kohës sonë. Zhvillimi shkencor vazhdon herë të ndjekë ritmet e diktuara nga realiteti social dhe herë duke vendosur ai vetë këto ritme.
ÇMIMI NOBEL NE EKONOMI DHE ZHVILLIME REALE
Vlerësimi i përvitshëm i çmimit “Nobel” në Ekonomi është një tregues me shumë vlerë i marrëdhënieje që ekziston ndërmjet shkencës dhe realitetit social. Arsyet e akordimit të çmimit “Nobel” janë të lidhura ngushtë me nevojat që dalin si pasojë e problematikave, me të cilat përballet ekonomia në nivel global, por edhe në atë rajonal. Ekonomia-Shkollat dhe mendimi ekonomik (ashtu siç ndodh me të gjitha shkencat në tërësi secila në një fushë të caktuar të realitetit) duhet të japë përgjigje për çështjet teorike, por në të njëjtën kohë të ofrojë dhe zgjidhje konkrete për këto probleme.
Çdo vit laureatët e çmimit “Nobel” në Ekonomi vlerësohen për kontributin e tyre shkencor, i cili asnjëherë nuk është i shkëputur nga problematikat bashkëkohore që shqetësojnë ekonominë. Kështu, në vitin e kaluar, Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vlerësoi kontributin shkencor të lidhur me tregun e punës, efektet e emigrimit dhe analizat natyrore shkakpasojë të përdorurura në proceset e politikave ekonomike. Në vitin 2020, u fokusua të një komponent i rëndësishëm i transaksioneve ekonomike siç janë ankandet, të cilat janë një pjesë e pandarë e përditshmërisë ekonomike anembanë botës jo vetëm në kohën e sotme, por historikisht. Në vitin 2019, çmimi “Nobel” u akordua për analizimin e problematikës së varfërisë në nivel global. Në vitin 2018, Akademia vendosi të fokusohet te disa komponentë të rëndësishëm siç ishin inovacioni teknologjik dhe ndryshimet klimaterike. Te këto fusha, të cilat janë aq të ndërvarura më njëra-tjetrën në periudhën ku jetojmë. Një vit më përpara çmimi “Nobel” u akordua për kontributin në fushën e ekonomisë bihejvoriste, kurse në vitin 2016 për teorinë e kontratave. Pra, mund të themi se vlerësimi më i madh që u bëhet studiuesve të ekonomisë në nivel botëror reflekton edhe rëndësinë e punës së tyre në ofrimin e zgjidhjeve teorike dhe praktike të problemeve që ekonomia shfaq, në këtë fazë të zhvillimit në të cilën gjendemi.
ÇMIMI NOBEL NE EKONOMI -2022
Këtë vit, çmimi “Nobel” iu dha përsëri tre shkencëtarëve, por që ndryshe nga treshja e vitit të kaluar që ishin specialistë të tregut të punës dhe kostove të edukimit, treshja nobeliste e këtij viti ishin shumë të lidhur me tregun financiar dhe krizat financiare. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe.
Ata janë: Ben S. Bernanke, ish-guvernatori i Rezervës Federale në SHBA (Banka Qendrore e Amerikës), Douglas W. Diamond, profesor në University of Chicago dhe Booth School of Business, ish-president i American Finance Association dhe Philip H. Dybvig professor në “Olin Business School of Ëashington” dhe “University in St. Louis”. Tre nga financierët më në zë të 20 viteve të fundit si në aspektin e teorisë së monedhës dhe bankave, ashtu dhe të politikave financiare.
Ish-kryetari i Rezervës Federale, Ben Bernanke, është i njohur në publikun e gjerë sepse pranoi publikisht që politikebërësit bënë gabime në masat politikoekonomike për kapërcimin e krizës financiare dhjetë vjet më parë (2008-2013). Para së gjithash, thotë ai, ata gabuan kur nuk e parashikuan se kriza do të vinte me një forcë të tillë, por gabuan akoma më rëndë sepse nuk parashikuan edhe kur ishte e dukshme që kjo krize do të shkaktonte dëme shumë të mëdha ekonomike. FED ka qenë shumë i ngadalshëm për të zbatuar programin e blerjes së aksioneve, lehtësimin sasior dhe masa të tjera që i mori me vonesë. “Askush nuk e kuptoi se sa e madhe dhe shkatërruese do të ishte kriza”, tha ish-shefi i Fed në një video, duke komentuar një dosje 90 faqesh mbi këtë çështje.
Bernanke drejtoi bankën qendrore të SHBA nga viti 2006 deri në vitin 2016 dhe tani është profesor në Institutin Brookings në Uashington. Ai shpjegoi sesi paniku i lëshuar në sistemin financiar me kolapsin e Lehman Brothers e zgjeroi dhe thelloi recesionin në SHBA. Dështimi për të parashikuar fuqinë e atij recesioni “kërkon që ne të përfshijmë faktorët që rregullojnë tregun e kredisë në modelet dhe parashikimet ekonomike”, të paktën për të ardhmen, shkroi ai. Bernanke i kushtoi një pjesë të rëndësishme të studimeve të tij Depresionit të Madh, krizës së rëndë ekonomike dhe financiare globale që filloi në fund të viteve 1929- 33. Ai analizoi sjelljen dhe evolucionin në drejtimin e bankave kur krizat bëhen të gjata dhe gjithnjë e më të thella. Një nga pasojat e dështimit të bankave për të menaxhuar krizën e viteve 1930 ishte humbja e informacionit të rëndësishëm për sistemin e aksesit në kredi, i cili më pas kishte pasoja në aftësinë e kompanive për të drejtuar kursimet e tyre drejt investimeve produktive.
Si teoricien i makroekonomisë financiare, sidomos pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, Bernanke u distancua nga ekonomistët, të cilët argumentuan se kolapsi i çmimeve të pronave të patundura, ndikimi i tyre në asetet e pronarëve të shtëpive dhe fuqinë konsumatore ishte shkaku kryesor i krizës së thellë, që goditi sistemin financiar 13 vite me pare. Ai pranon që këto fakte luajtën një rol të madh, veçanërisht në zgjerimin e krizës, por argumentoi se recesioni nuk do të ishte aq i vështirë për t’u kapërcyer, nëse investitorët nuk do të kishin nxjerrë para nga bankat dhe institucionet e tjera financiare. Paniku shoqëror dhe mosbesimi reciprok i subjekteve të tregut financiar ishte i njëjtë me atë të krizës së vitit 1929- 1933.
Pjesa më interesante e bindjeve të Bernanke duket në faktin se si analizon jehonën e asaj që tha ish-sekretari i Thesarit dhe ish-kryetari i Fed-it të Nju Jorkut, Timothy Geithner. Ai vuri në dyshim mënyra që reformat gjatë e pas krizës u dhanë politikëbërësve mjetet për të luftuar krizën e ardhshme. Në një përpjekje për të shmangur ndihmat e ardhshme të qeverisë (Kongresi ka shkurtuar aftësinë e Fed, Sigurimit Federal të Depozitave dhe Departamentit të Thesarit) për të ofruar mbështetje urgjente për sistemin financiar është shpesh një domosdoshmëri ekzekutive. Prandaj, ndërsa reformat kanë përmirësuar ndjeshëm qëndrueshmërinë e bankave ndaj goditjeve falë kërkesave për më shumë kapital dhe masa të tjera, “krijuesit e politikave duhet të kenë mjetet e duhura për të luftuar krizën e ardhshme”.
Le te kthehemi pak më prapa në kohe për këta tre ekonomistë. Në fillim të viteve 1980, Bernanke, Diamond dhe Dybvig ishin ndër të parët që hetuan problemet e bankave dhe si t’i bënin ato më pak të cenueshme në kohë krize. Nga kërkimet e tyre, më pas do të dilnin rregullat dhe ligjet për të rregulluar tregjet financiare dhe për të rritur besimin publik te bankat.
Në sistemin ekonomik që është krijuar gjatë shekullit të njëzetë, kursimet duhet të bëhen për të rrjedhur në investime. Problemi është se ata që kanë kursime shpesh duan të kenë mundësi t’i aksesojnë paratë e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa individët dhe kompanitë kërkojnë garanci për pagesën e hipotekave ose kredive të tyre. Diamond dhe Dybvig kanë treguar se si bankat janë një zgjidhje ideale për këtë problem: ato veprojnë si ndërmjetëse, duke pranuar depozita parash nga shumë kursimtarë, në mënyrë që të ofrojnë gjithmonë akses në kredi për ata që e dëshirojnë, por duke bërë njësoj të mundshme kreditë dhe investimet afatgjata për një pjesë të parave të mbledhura për një kohë të konsiderueshme. Gjithashtu, Diamond dhe Dybvig kanë treguar se si kjo natyrë e dyfishtë i bën bankat, veçanërisht të ekspozuara në rast se përhapen thashethemet për falimentimin e tyre të mundshëm dhe të afërt.
Nëse shumë kursimtarë nxitojnë të tërheqin paratë nga llogaritë e tyre, nga frika se mund t’i vijë një fund i keq, banka nuk mund të mbështesë më aktivitetet e tjera të saj duke filluar me kreditë hipotekore dhe kështu logjikisht do të jenë të detyruara të përfundojnë në falimentim. Kjo është arsyeja pse garancitë e ofruara nga qeveritë janë të rëndësishme. Duke ditur depozituesit se shteti do të jenë në gjendje të ndërhyjnë për të shpëtuar një bankë ose se çdo llogari rrjedhëse e çdo depozituesi është e garantuar brenda një shume të caktuar, kursimtarë të mesëm e të vegjël kanë më pak gjasa të tërheqin paratë e tyre nëse gjërat duken keq. Kjo ishte teza kryesore e të tre nobelistëve që në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar.
Douglas W. Diamond dhe Philip H. Dybvig kanë përveç studimeve teorike të ciklit të krizave ekonomike dhe krizave financiare, një kontribut shumë të madh në politikat e komunikimit të Bankave Qendrore me publikun dhe subjekteve të tregut financiar. Humbja e besimit të publikut nuk është një problem vetëm teknik sepse masa e gjerë që përbëjnë investitorët e vegjël dhe depozituesit pak kuptojnë nga bilancet e bankave. Më shumë ata kuptojnë sinjalet publike që elementë të veçantë dhe përfaqësues të veçantë japin në një moment krize. Sipas tyre, jo vetëm analiza teknike e krizës financiare të vitit 2009 ishte e gabuar në aspektin e politikës ekonomike të përdorur, por mbi të gjitha e gabuar ishte komunikimi i kësaj krize në subjektet e tregut. Një tren nuk ndalohet kur ai ka fituar shpejtësinë maksimale, sepse atëherë ka kosto shumë të mëdha shkatërruese, por kur fillon të fitojë këtë shpejtësi dhe kjo bëhet vetëm kur ke qetësuar pasagjerët që nuk do të marrë shpejtësi maksimale. “Bankat qendrore janë në gjendje të mposhtin inflacionin dhe të riekuilibrojnë tregun financiar nëse nuk harrojmë një mësim nga Milton Friedman, që ai gjithmonë evidentonte: “Politika monetare e bankave qendrore vepron gjithmonë me vonesë”. Kështu deklaroi Douglas Diamond, i thirrur në kohë reale nga Akademia Mbretërore e Shkencave gjatë konferencës për shtyp për dhënien e çmimit “Nobel” për Ekonominë për të, si dhe Ben Bernanke dhe Philip Dybvig. Megjithatë,- tha Diamond – “pjesë e problemit janë deficitet shumë të mëdha në mbarë botën, prandaj politika monetare dhe politika fiskale duhet të punojnë së bashku”. Diamond theksoi se sistemi financiar global sot “është shumë më i përgatitur” për eventualitetin e një krize financiare sesa në vitin 2008. Ai jep garanci me riskun e matur që vetë tregu lejon të përllogaritesh.
Në tërësi, shumë studiues shikojnë se ky çmim “Nobel” rikthen vëmendjen në krizat financiare dhe politikat monetare që sot me shumë se kurrë pas ngjarjeve si pandemia dhe lufta janë rreziku më i madh për tregjet e zhvilluara në të gjithë botën. Ata mundohen të ruajnë qetësinë dhe të jenë gati për çdo masë, që do të jetë e nevojshme për të mos jetuar më gjendje si ajo e vitit 2009. Çmimi “Nobel” në Ekonomi i këtij viti është dhe një mesazh thirrjeje për mendimin ekonomik kudo, në çdo vend, politikëbërësit dhe ligjvënësit, institucionet ekonomike e financiare, bankare dhe ato shkencore për reagime të studiuara dhe menduara mirë përballë krizave që po kalon ekonomia globale, europiane, rajonale dhe në çdo vend.