Përfituesit nga amnistia fiskale janë krimi, korrupsioni dhe vjedhjet. Këtë mendim ndanë në studion e A2 Business të gazetares Aurora Sulçe, ish-prokurori Besnik Muçi, deputeti demokrat, Arbi Agalliu, si dhe ish-zv.ministri i Financave, Elton Haxhi, të cilët hasën në kundërshtinë e deputetes socialiste, Pranvera Resuli, sipas së cilës, amnistia fiskale formalizon ekonominë.
Argumentim ky që u hodh poshtë nga ish-prokurori Muçi, sipas të cilit është e pamundur që të shmanget formalizimi i parave të pista.
“Në aspektin teknik përfituesit janë krimi dhe korrupsioni. U jepet sinjal i keq bizneseve të ndershme në Shqipëri, përfiton pastrimi i parave nga krimi i organizuar e korrupsioni i shtetasve shqiptarë e të huaj, këta janë përfituesit e vetëm. Formalizimin e ekonomisë nuk e bën amnistia fiskale, në këtë mënyrë e thellojmë këtë fenomen, thellojmë llumin dhe shkatërrojmë atë pak ekonomi të ndershme që ka ngelur. Amnistia ka rrezikun e pastrimit të parave të financimit të terrorizmit. Si mund të shmanget legalizimi i parave të krimit? Është e pamundur që të shmanget legalizimi i parave të krimit”.
Në të njëjtën linjë, edhe deputeti demokrat, Arbi Agalliu, tha se është e pamundur që një emigrant të ketë 2 milionë euro nga puna në të zezë. Sipas tij, kjo është një valvulë shkarkuese për paratë e vjedhura nga tenderat dhe prokurimet publike. Por një akt i tillë, sipas Agalliut, kërkon edhe konsensus politik.
“Vitet e fundit po mbizotëron ekonomia informale. Mjafton të shohim tregun e apartamenteve. Më pak banorë Shqipëria, më pak të ardhura dhe çmimet e apartamenteve variojnë mbi 2 mijë euro. Këto çmime vendosen në një vend të tillë që pamundësia e familjeve të ndershme dhe paraja e pistë nga ana tjetër. Shteti të zbatojë ligjin të mbajnë përgjegjësi penale ata që kanë lejuar informalitetin. Fatkeqësisht, administrata publike punëson individë që ose e kanë blerë atë vend ose punojnë për eprorin e tyre. Sot do të duhet një veting për ata drejtues, se në fund të ditës këto para duhen pastruar. Po e bën tani se ka ardhur një moment që këto 10 vite është marrë para nga sektorë të ndryshëm dhe do të gjejnë një valvulë shfryrëse. Nuk ka emigrant që të ketë kursyer 2 mln euro, ai që ka punuar në të zezë mund të blejë një apartament dhe jo 2 mln euro. Qeveria e bën këtë për të legalizuar këto para të mbledhura nga vetë ata dhe buxhetit i duhen të ardhura. Në akte të tilla duhet konsensus politik, por Shqipëria është rifutur në listën për pastrimin e parave 2 mln euro nga puna në të zezë? Administrata shqiptare është e brishtë në raport me korrupsionin kështu që t’i kërkosh të filtrojë këto para për mua është jo e duhura. Për të hequr vëmndjen dhe për të mbushur buxhetin dhe pastruar paratë e atyre që kanë vjedhur në tendera e prokurime”.
Sipas ish-zv.ministrit Haxhi, këto para duhen amnistuar fillimisht në vendet e origjinës dhe pastaj të sillen në Shqipëri. Haxhi thekson se duhet një strategji për amnistinë fiskale, pasi në të kundërt do të jetë e pasuksesshme
“Amnistia duhet të jetë një strategji më e gjerë që duhet të tregojë me shembuj konkrete luftën kundër informalitetin për të sensibilizuar biznesin dhe individët që ky është viti zero dhe ne këtë nuk po e shohim akoma. Qeveria duhet të tregojë me rezultate konkrete se çfarë po bën me informalitetin. Nëse nuk bën shembuj do të jetë e pasuksesshme. Pastrimi i parave patjetër që mund të shmanget, por ai projektligj ka disa probleme serioze. Paratë kesh nuk vijnë nga emigrantët, 10 mijë euro e ke kesh. Dhe ndërkombëtarët këtu ngulin këmbë që nuk mund të amnistosh një krim që është bërë në një juridiksion tjetër, kjo është e papranueshme. Nëse ke bërë krim amnistohu në atë vend, futi në bankë dhe pastaj silli në Shqipëri. Dhe pastaj personi përfitues është lehtësisht i identifikueshëm. Kjo rrit riskun e pastrimit të parave”./A2 CNN