Nga Rozeta Hoxhallari, psikologe
Çerdhja është një institucion ku fëmija hedh hapat e para të daljes në jetë. Në këtë moment, ai kalon nga një etapë në një tjetër, nga qëndrimi në shtëpi dhe me vëmendjen e gjithë familjes, te shkëputja për rreth 6-8 orë në një ambient tjetër ku vëmendja nuk është më si më parë. Në këtë kontakt me çerdhen ai mëson vazhdimisht gjëra të reja, kalon kohë në mënyrë krijuese, kultivon aftësitë përmes lojërave, këngëve, vizatimeve, ndërtimeve etj.
Fëmija ndërvepron me fëmijë të tjerë dhe zhvillon aftësinë e të qenit social. Në kontrast me mjedisin e butë të shtëpisë, çerdhja ka rregullat e veta dhe një program që fëmija duhet të ndjekë, rregulla të cilat duhet t’i respektojë. Në këtë mënyrë fëmija bëhet më ‹autonom›, merr më tepër përgjegjësi dhe fiton më shumë besim tek vetja.
Përfitimet
Fëmija për herë të parë krijon aftësinë për t›u përballur me sfidat e para, në këtë rast sfidën për të qëndruar në çerdhe. Gjatë qëndrimit në çerdhe, ai fiton disa aftësi si: socializimi, ndërveprimi me moshatarët si dhe me stafin e çerdhes. Fëmijët nëpërmjet lojës, bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe marrin njohuri edukative.
Aktiviteti ditor në çerdhe përfshin higjienën, ushqimin, edukimin, argëtimin dhe gjumin, duke fituar kështu një disiplinë e cila është shumë e rëndësishme për mbarëvajtjen e fëmijës. Në këtë fazë, fëmija fillon kupton dhe zbaton rregullat e grupit, p.sh: koha për ushqim, rregullat e lojës, koha për gjumë etj. Mëson të ndajë gjërat me shokët, mëson t’i respektojë ato si dhe fillon e pranon në jetën e tij dhe aktorë të tjerë përveç familjes, siç është edukatorja.
Metodologjia dhe ndihmesa që jep çerdhja
Gjatë kujdesit për fëmijët dhe punës me to, është me rëndësi të kuptohet zhvillimi i tyre. Është e pamundur të mendohet për përmbushjen e nevojave të fëmijëve nëse nuk e dimë se çka pritet prej fëmijëve në raport me të menduarit, komunikimin dhe aftësitë fizike. Zhvillimi fizik përfshin zhvillimin e lëvizjeve, ekuilibrin, zhvillimin e aftësive për të përdorur muskujt e mëdhenj të trupit (p.sh. muskujt e shpinës, të këmbëve, që janë të nevojshëm për të ecur, për të vrapuar, për t’u hedhur, për të ngjitur shkallët) dhe muskujt e vegjël (muskujt e duarve që janë të nevojshëm për të kapur objekte të vogla), ose që ndryshe quhet zhvillim i madh motor dhe zhvillim i motorikës fine.
Duke qenë se çerdhja është një ambient ku fëmijët përveçse qëndrojnë, luajnë dhe ushqehen, ky ambient luan një rol jo të vogël në zhvillimin e kësaj fushe. Sipas programit edukativ që bëhet çdo ditë në çerdhe, i cili përfshin aktivitete dhe lojëra të ndryshme me plastelinë, me ngjyrosje, me top, me ujë dhe me mjete të ndryshme argëtuese, ato zhvillojnë dhe aktivizojnë absolutisht zhvillimin fizik.
Marrëdhënia me prindërit dhe bashkëpunimi dypalësh
Fëmijët zhvillohen në mënyrë të gjithanshme. Përvojat e hershme të fëmijëve mund të nxisin ose të frenojnë zhvillimin e tyre të përgjithshëm, në varësi të aksesit dhe cilësisë së ushqyerjes dhe shërbimeve shëndetësore, të praktikave të përkujdesit të familjes dhe të çerdhes. Një mbështetje e tillë jo vetëm që ka impakt tek vetë fëmijët, por ndikon dhe tek dinamikat familjare. Mjedisi i çerdhes ndikon në zhvillimin tërësor të fëmijëve. Përqasja e zhvillimit tërësor në fëmijëri përmban: zhvillimin kognitiv (njohës), social, fizik, emocional, gjuhësor, shpirtëror, moral etj.
Që ky zhvillim të jetë sa më efektiv në mjedisin tonë, është shumë e rëndësishme një prezantim me prindërit ku i shpjegohet protokolli i përshtatjes së fëmijës në çerdhe si dhe rregullorja e brendshme e çerdhes. Bazuar në përvojën time në këto vite, kur prindi merr informacionin e nevojshëm dhe të plotë, bashkëpunimi dhe besimi është në nivele më të larta duke ndikuar në një përshtatje më të shpejtë dhe më efektive tek fëmijët. Në këtë rast fëmijët janë më të qetë, ndihen më të sigurt si dhe krijojnë marrëdhënie në kohë më të shpejtë me edukatoret si dhe me bashkëmoshatarët.
Në momentin kur krijohet marrëdhënia atëherë fillon procesi i stimulimit të hershëm, bashkëveprime pozitive sociale dhe emocionale me kujdestarët, loja, mundësitë e të mësuarit, dhe kontakti i vazhdueshëm me prindërit ku shkëmbehet informacioni i nevojshëm i ecurisë së fëmijës si prind-edukator ashtu dhe edukator-prind.
Zgjedhja e pakënaqësive dhe ndihmesa e mjekut
Stafi mbështetës siç është mjeku, psikologu dhe punonjësi social sipas detyrave që përshkruan protokolli i profesionit të tyre japin një ndihmesë jo të vogël në mbarëvajtjen e punës me fëmijët në ambientin e çerdhes. Prania e mjekut në varësi të ditëve të caktuara në ambientin e çerdhes jep një ndihmesë në ecurinë e shëndetësore të fëmijëve si dhe trajnon dhe udhëzon stafin edukator rreth aspektit mjekësor të situatave të ndryshme që hasin me fëmijët, duke e përçuar këtë informacion deri tek prindërit.
Psikologu po ashtu vëzhgon çdo ditë fëmijët duke identifikuar nevojat bazë psikologjike dhe fizike të tyre, të cilat i diskuton me prindërit duke i dhënë zgjidhjen e duhur. Gjithashtu udhëzon dhe trajnon stafin edukator për përdorimin e teknikave të ndryshme të punës me fëmijët të cilët shfaqin vështirësi në zhvillimin e fushave përkatëse. Punonjësi social po ashtu operon duke identifikuar rastet e familjeve, të cilat kanë nevojë për referim mbështetës në sektorë të ndryshëm.
Puna e gjithë stafit mbështetës lidhet me ndihmën që i jepet fëmijëve për një zhvillim sa më të suksesshëm të të gjithë fushave përkatëse. Po ashtu, ndarja sipas grupeve është një aspekt shumë i rëndësishëm, i cili i lejon fëmijës zhvillimin tërësor sipas çdo etape, duke mbajtur në ekuilibër zhvillimin me aftësinë e të bërit të gjërave.
Emocionet më të bukura nga puna si drejtuese
Momentet e bukura fillojnë çdo ditë që në mëngjes kur merr buzëqeshje nga fëmijët, të cilët vokalizojnë po ashtu dhe emrin tënd, ndjesi kjo e cila vështirë të përshkruhet. Kënaqësia e prindërve në lidhje me ambientin ku fëmija qëndron, është një moment tjetër kënaqësie jo e vogël, pasi qetësia dhe besimi i tyre është motivimi im.
Ama një ndër momentet ku unë ndjehem vërtet e suksesshme në punën time, e cila absolutisht shoqërohet me doza të larta kënaqësie, është kur në zyrën time pres prindër të cilët pavarësisht bashkëpunimit, janë shumë skeptikë në fillimet e para të frekuentimit të çerdhes e më vonë përfundojnë duke më mbuluar me falënderime e mirënjohje, pasi shohin dhe ecurinë e fëmijëve të tyre, të cilët tashmë janë përshtatur dhe reagojnë edhe duke recituar një këngë apo një vjershë.
Një ndër momentet më të veçanta të punës time është kur disa fëmijë rikthehen thjesht sa për të na përshëndetur, dhe për një përqafim më shumë edhe pasi kanë filluar frekuentimin e kopshtit, pasi ndjejnë mall për këtë ambient. Këto janë disa nga kënaqësitë e kësaj pune, të cilat të japin akoma më shumë motivim për të punuar me fëmijët.