Asambleja e Përgjithshme pritet të ketë përplasje të reja lidhur me të ardhmen e Ukrainës, si dhe me kërcënimet që vijnë nga uria dhe kriza klimatike në jugun e globit.
Samiti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë do të mbizotërohet nga përpjekjet e SHBA-së dhe të aleatëve të saj nga njëra anë, dhe të Rusisë nga ana tjetër, për të siguruar mbështetje globale lidhur me fatin e Ukrainës, ndërkohë që jugu i globit do të përpiqet që të mos lejojë këtë konflikt që të eklipsojë kërcënimet ekzistenciale të urisë dhe të krizës klimatike.
Pas një kthimi te debati i përgjithshëm që do të bëhet tërësisht me prezencë fizike, presidentët dhe kryeministrat do të mblidhen në Nju Jork, shumë prej tyre direkt nga Londra, aty ku diplomacia filloi punën e saj që me funeralin e Mbretëreshës.
Rusia aktualisht po tërhiqet në fushën e betejës dhe në garën për të fituar zemrat dhe mendjet e botës lidhur me fatin e Ukrainës. Asambleja e Përgjithshme votoi 101 me 7, me 19 abstenime, për të lejuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, që të mbajë fjalën e tij përmes një video-je të regjistruar paraprakisht, duke ofruar kështu një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që folësit duhet të paraqiten personalisht në Asamble.
India, një aleat i vjetër i Moskës, e cila ka tentuar të abstenojë në votimet për Ukrainën, votoi në favor të Zelenskiy. Votimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur kryeministri i Indisë, Narendra Modi, qortoi publikisht Vladimir Putinin, duke i thënë atij se “kohët e sotme nuk janë kohë për luftë” në momentin që patën një dalje të përbashkët publike në një samit rajonal të Azisë në Uzbekistan. Putin tha se ai ishte i vetëdijshëm për “shqetësimet” e Indisë, duke i bërë jehonë asaj që kishte thënë një ditë më parë për Kinën.
Seanca njëjavore e mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe fjalimet e liderëve të vendeve të botës fillojnë në një kohë kur po zbulohen varret masive pas tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas Izium.
Krimet e luftës pritet të përbëjnë pjesën kryesore të fjalimeve që do të mbahen të mërkurën nga Zelenskiy dhe Joe Biden, ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të thërrasë një takim të ministrave ditën e enjten në mëngjes, të kryesuar nga ministrja e jashtme franceze, Catherine Colonna, i cili do të fokusohet te përgjegjësia për krimet e luftës në Ukrainë.
Rusët “duhet të kuptojnë që gjërat nuk do të jetë si zakonisht kur të mbërrijnë në Nju Jork”, tha e dërguara e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
“Ata do të jenë të izoluar. Ata do të dënohen në këshillin e sigurisë, si dhe akoma më gjerësisht në asamblenë e përgjithshme”, tha ajo për CNN.
Këtë vit, dreka tradicionale e ministrave me pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të sigurisë nuk do të zhvillohet. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, do të flasë të shtunën, kur shumica e ministrave të tjerë do të jenë larguar, kështu që nëse do të ketë një largim të anëtarëve nga Asambleja kur Lavrov t’i afrohet foltores, ajo do të ketë një ndikim më të vogël.
Pavarësisht simpatisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për gjendjen e rëndë të Ukrainës përballë pushtimit rus, ka pasur pakënaqësi nga vendet në zhvillim që fokusi te ky konflikt po pengon diskutimet dhe masat lidhur me krizën e ushqimit dhe atë klimatike, të cilat rrezikojnë të sjellin zhvendosje masive dhe uri në jugun e globit.
Ukraina ka kërkuar për më shumë rezoluta që dënojnë Rusinë në këshillin e sigurisë dhe asamblenë e përgjithshme, por vendet e Perëndimit që mbështesin Kievin kanë paralajmëruar për rrezikun që numrat në rënie të vendeve që mbështesin këto rezoluta mund të bëhen kryesore lajmet nga ky samit i OKB-së.
“Ka pasur një fluks të interesit dhe të angazhimit nga vendet që nuk janë prekur drejtpërdrejt nga situata në Ukrainë dhe, kështu, na është dashur të punojmë shumë për ta bërë të qartë se do të flasim për ato çështje që i prekin këto vende,” tha një diplomat europian në OKB.
Të martën, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të kryesojë një samit lidhur me sigurinë e ushqimit dhe zyrtarët amerikanë kanë sinjalizuar gjithashtu se Uashingtoni është gati të flasë për reformimin e institucioneve të OKB-së, duke përfshirë edhe këshillin e sigurisë.
Shtetet anëtare të Perëndimit do të kërkojnë të përdorin samitin e sigurisë së ushqimit për të vënë në dukje lidhjet midis pushtimit rus dhe mungesës globale të ushqimeve.
“Lidhja e këtyre dy problemeve aty ku është e përshtatshme, është e dobishme sepse bën që Ukraina të mos shihet thjesht si një problem europian, dhe kjo ka shumë rëndësi,” tha diplomati europian.
Rusia dhe Perëndimi janë përfshirë në një betejë propagandistike në të gjithë Afrikën lidhur me përgjegjësinë për mungesën e grurit, të shkaktuar nga ndërprerja e eksporteve nga portet ukrainase të Detit të Zi.
Lavrov ka qenë në një tur në Afrikë, duke e portretizuar Rusinë si viktimë të një lufte imperialiste të Perëndimit, teksa ka theksuar rolin e Rusisë në mbështetjen e lëvizjeve për dekolonizim.
Në një lëvizje paralele për të forcuar mbështetjen e saj në asamblenë e përgjithshme, SHBA-ja ka braktisur qëndrimin e saj për mospërfshirjen në reformimin e institucioneve të OKB-së, të tilla si këshilli i sigurisë, për t’i bërë ato më përfaqësuese.
Duke folur për reformimin e këshillit, ndihmës sekretari amerikan për çështjet e organizatave ndërkombëtare, Michele Sison, tha të premten: “Ne nuk besojmë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbrojnë një status quo të vjetëruar”.
“Megjithëse jemi të qartë në lidhje me pengesat për reformimin e këshillit të sigurisë, ne do të bëjmë një thirrje serioze për të gjitha vendet që të krijojnë konsensus rreth propozimeve të besueshme dhe realiste për rrugën përpara,” tha Sison. “Për të mbetur të besueshëm në shekullin e 21-të, këshilli duhet të pasqyrojë më mirë realitetet globale dhe të përfshijë perspektivat rajonale.” Duke qenë se ka plane të ndryshme për ndryshimin e anëtarësisë së këshillit të sigurisë, të cilat do të marrin veton nga Rusia dhe Kina, ndryshimi në pozicionin e SHBA-së nuk ka gjasa të sjellë ndonjë reformë konkrete. Ai synon kryesisht izolimin e mëtejshëm të Moskës dhe të Pekinit, si rojtarë të status quo-së./The guardian