Nga Adrian Civici
Dje, në 27 shtator 2022, me prezencën e shumë Kryetarë shtetesh e qeverish nga e gjithë bota, u zhvillua ceremonia funerale për Shinzo Abe, Kryeministri më jetëgjatë (2006 – 2007, 2012 – 2020) dhe nga më të rëndësishmit në historinë e Japonisë, i vrarë në një atentat në 8 korrik 2022.
Në dhjetor të vitit 2012, Kryeministri i sapozgjedhur japonez, z. Shinzo Abe, duke iu referuar politikave neoliberale të Presidentit amerikan të viteve ‘80, Ronald Reagan dhe platformës së tij Reaganomics, shpalli ambicien për një politikë të re “të rringjalljes ekonomike japoneze”, e cila u quajt Abenomics dhe u perceptua gjithashtu edhe si “politika e shansit të fundit”, qëllimi final i të cilës duhej të ishte “dalja nga situata deflacioniste dhe rrikthimi i rritjes ekonomike”.
Shqetësimet, instrumentet dhe objektivat e “tre shigjetave” përputheshin me shqetësimet e të gjitha vendeve të zhvilluara të botës, me preokupimet e institucioneve ndërkombëtare ekonomike e financiare. A ishte “politika e tri shigjetave” një recetë që duhej rekomanduar dhe përdorur masivisht, apo ajo ishte një “specifikë japoneze”, me rezultate të paqarta? Analizat dhe debatet për eficiensën e saj vazhdojnë ende sot.
Abenomics si “politika e tri shigjetave”
Nga një këndvështrim teorik, të tria shigjetat e Abenomics-it duket se i përgjigjen një situate ekonomike e financiare specifike, në të cilën u gjend Japonia në dekadën e dytë të shekullit XXI, por duke ruajtur interpretimin e fenomeneve ekonomike sipas frymës së analizës neoklasike, duket se shanset për sukses nuk ishin të barabarta me shpresat dhe objektivat fillestare të kësaj pakete reformash.
Që prej krizës së vitit 1997, ekonomia dhe financat e Japonisë u gjendën në një situatë preokupuese: rritje ekonomike e ulët në nivelet 0 – 1%, deflacion dhe inflacion negativ, borxh i jashtëm në përmasa të jashtëzakonshme, duke arritur në 240% të PBB-së, ekonomi në stanjacion, eksporte të lëkundura dhe gjithnjë e më pak konkurruese, të shoqëruara me një bilanc tregtar problematik, sidomos po të kihej parasysh roli i eksporteve në ekonominë dhe konsumin japonez, vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të përballuar aktorët e rinj ekonomikë rajonalë si Kina, Koreja e Jugut, Taiwani, etj.
Pas krizës financiare globale të vitit 2008, këto mund të ishin dhe janë shumë mirë edhe simptomat e shumicës së vendeve të zhvilluara, apo në zhvillim të botës. Në dhjetor të vitit 2012, Kryeministri i sapozgjedhur japonez, z. Shinzo Abe, duke iu referuar politikave neoliberale të Presidentit amerikan të viteve ‘80, Ronald Reagan dhe platformës së tij Reaganomics, shpalli ambicien për një politikë të re “të ringjalljes ekonomike japoneze”, e cila u quajt Abenomics dhe u perceptua gjithashtu edhe si “politika e shansit të fundit”.
Por, megjithëse këto dy lloj politikash janë thuajse të kundërta për sa u përket qëllimeve dhe mjeteve që përdorin, ato afrohen në një pikë: nevojën për të braktisur politikat e vjetra ekzistuese dhe vendosmërinë për të luftuar kundër një problemi të identifikuar qartë.
Abenomics-i u perceptua si imazhi i “tri shigjetave”, secila prej të cilave me destinacion “goditjen” e një objektivi specifik: politikë monetare lehtësuese, duke shtuar masën monetare në qarkullim, politikë fiskale aktive dhe rilançim i investimeve publike e reforma strukturore, që synonin rritjen e eksporteve, privatizime të rëndësishme dhe liberalizimin e tregut të punës. Qëllimi final i të cilave duhej të ishte “dalja nga situata deflacioniste dhe rikthimi i rritjes ekonomike”.
Shqetësimet, instrumentet dhe objektivat e saj përputheshin drejtpërdrejt apo tërthorazi me shqetësimet e të gjitha vendeve të zhvilluara të botës, me preokupimet e institucioneve ndërkombëtare e financiare si: FMN, Banka Botërore, OECD, BE, BQE, FED etj. A ishte “politika e tri shigjetave” një recetë që duhej rekomanduar dhe përdorur masivisht, apo ajo ishte një “specifikë japoneze”, me rezultate të paqarta? Tashmë, analizat dhe debatet për eficiensën vazhdojnw ende sot.
“Shigjeta e parë” konsistonte në zbatimin e një politike monetare ekspansioniste, duke hedhur një masë shumë të madhe likuiditeti në ekonomi, me synim krijimin e inflacionit, rritjen e konsumit, zhvlerësimin e jenit, stimulimin e eksporteve dhe rritjen e produktivitetit ekonomik.
Në praktikë, kjo nënkuptonte që Banka Qendrore e Japonisë, përveç fiksimit të një objektivi prej 2% për inflacionin, duhej të blinte masivisht bono thesari të qeverisë japoneze, duke financuar kështu drejtpërdrejt shoqëritë dhe korporatat e vendit, por kundrejt rrezikut të qartë të humbjes së pavarësisë së saj kundrejt pushtetit politik.
Këtu bëhej fjalë për të dyfishuar masën monetare në qarkullim dhe synimi i kësaj mase ishte i dyfishtë: të stimulonte eksportet dhe të shtonte koston e importeve. Duke rritur koston e importeve, Japonia kërkonte të “importonte inflacionin nga jashtë”, duke shpresuar që ky inflacion do të ndikonte në rritjen e çmimeve dhe pagave në vend. Rritja ekonomike dhe inflacioni do të ulnin automatikisht peshën e borxhit.
“Shigjeta e dytë” korrespondonte me një politikë buxhetore mjaft aktive e stimuluese. Shteti dhe qeveria, me objektivin e mbështetjes së aktivitetit ekonomik, lançuan e financuan projekte të mëdha publike, në një vlerë që i kalonte të 110 miliardë USD në fushën e infrastrukturës, transporteve, aeroporteve etj. Me këtë masë synohej të stimulohej prodhimi kombëtar, punësimi dhe konsumi. E kombinuar me një politikë monetare tejet ekspansioniste, kjo shigjetë duhej të godiste drejtpërdrejt inflacionin, duke e rritur atë, të stimulonte aktivitetin e korporatave kombëtare, si dhe të stabilizonte deficitet e tyre financiare.
“Shigjeta e tretë” kishte të bënte me reformat strukturore dhe synonte me përparësi zhvillimin e politikave liberalizuese dhe mbështetjen e atyre investimeve që dinamizonin prodhimin.
Në paketën e masave të paraqitur dallonin reformat strukturore, që synonin hapjen më të madhe ndaj tregtisë ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve të reja të tregtisë së lirë, rritjen e fleksibilitetit të tregut të punës, stimulimin e investimeve të huaja, duke iu krijuar atyre kushte sa më tërheqëse e lehtësuese, rritjen e aftësisë konkurruese të disa prej sektorëve çelës të ekonomisë japoneze, të tilla si: bioteknologjitë, robotika, bujqësia dhe industria agroushqimore, energjia etj. Masat e shigjetës së tretë duhej të ishin thelbësore, në mbështetje të dy shigjetave të para.
Analiza për rezultatet dhe vlerat e Abenomics-it mund të bëhet në tri plane të ndryshme.
- Së pari, në rezultatet që kjo reformë prodhoi në 15 – 16 muaj të aplikimit të saj në Japoni;
- Së dyti, në diskutimet dhe konkluzionet me karakter teorik e metodologjik që ajo prodhoi;
- Së treti, në mundësinë dhe hapësirat që një reformë apo koncept i tillë të mund të zbatohet edhe nga vende të tjera, që kanë pak a shumë të njëjtat shqetësime e objektiva.
Si vlerësohet në Japoni rezultati i kësaj reforme?
Politika voluntariste e Shinzo Abe prodhoi një zhvlerësim të fortë të monedhës kombëtare, jenit (26% në raport me euron dhe 20% në raport me dollarin amerikan). Me një jen të dobët, shoqëritë dhe korporatat japoneze eksportuese patën përfitime, pasi vëllimi i eksporteve u rrit me 9.3% gjatë vitit 2013, por ndërkohë, jeni i dobët pati një efekt negativ mbi importet, të cilat gjatë po kësaj periudhe u shtuan me 15%, duke e rënduar shumë sidomos faturën energjetike të vendit.
Me ndalimin e punës në centralin atomik të Fukushimës, tarifat e energjisë u rritën shumë, duke prodhuar një rritje çmimesh të produkteve të konsumit të gjerë si: ushqime, veshje etj. Sipas një sondazhi të realizuar nga agjencia e shtypit Kyodo, pavarësisht nga disa rezultate të dukshme pozitive dhe shpresëdhënëse, 73% e japonezëve vlerësojnë se reforma Abenomics nuk ka ndikuar pozitivisht në situatën e tyre personale. Fuqia e tyre blerëse nuk ka ndryshuar.
Duke pasur parasysh se konsumi i brendshëm paraqet 50% të PBB-së së Japonisë, kuptohet qartë se kur fuqia blerëse bie, e gjithë ekonomia japoneze vuan dhe nuk siguron rritjen e saj të dëshiruar.
Ndërkohë, rritja ekonomike dhe inflacioni që duhej të stimuloheshin maksimalisht nga paketa Abenomics, në fakt gjatë vitit 2013 u rritën vetëm në masën 1.3 – 1.4%. Dyshimet më të mëdha për eficiensën e Abenomicsit qëndrojnë te rezultatet e shpresuara nga shigjeta e parë, sepse procesi i zhvlerësimit të monedhës duhet të plotësojë disa kushte të rëndësishme.
Së pari, banka qendrore duhet të ketë kontroll të plotë mbi këtë operacion, e jo të jetë nën trysninë e vendimeve politike apo e kushtëzuar nga sjellja e tregjeve financiare.
Së dyti, duhet që kërkesa e jashtme botërore të jetë shumë e fortë, për të përthithur shpejt dhe në masë të madhe eksportet “më të lira” japoneze. Por, konteksti i krizës globale dhe përpjekjet proteksioniste që evidentohen në mjaft vende të botës e vështirësojnë kontekstin e favorshëm tëdëshiruar nga Abenomics-i.
Së treti, banka qendrore që zbaton politikën monetare lehtësuese duhet të jetë sovrane dhe e vetme në zhvlerësimin e monedhës së saj, për të eliminuar konkurrencën apo goditjet nga monedha të tjera. Në rastin e Japonisë, edhe pse ajo u bë vendi që zhvlerësoi më shumë monedhën e saj, edhe vendet e tjera bënë të njëjtën gjë, duke hyrë në një “luftë të egër monedhash” të filluar nga SHBA-ja dhe vende të tjera aziatike.
Nga një këndvështrim më teorik, të tria shigjetat e Abenomics-it duket se i përgjigjen një situate ekonomike e financiare specifike, në të cilën gjendet vendi, por duke ruajtur interpretimin e fenomeneve ekonomike sipas frymës së analizës neoklasike, duket se shanset për sukses nuk janë të barabarta me shpresat dhe objektivat fillestare të kësaj pakete reformash.
Bankat qendrore të shumë prej vendeve të mëdha e të zhvilluara si: SHBA-ja, Gjermania, Kina, Anglia, Kanadaja, Australia, Koreja e Jugut, Brazili, India, Rusia etj., janë të shqetësuara dhe ndjekin me kujdes efektet penalizuese që kjo politikë japoneze po shkakton, në mënyrë që të shmangin një rivlerësim të dukshëm të monedhave të tyre në raport me jenin japonez, në kontekstin e një ashpërsimi të luftës së monedhave, pasojat e së cilës do të ishin mjaft të rënda për ekonominë dhe financat botërore.
A mund të kopjohet apo të konsiderohet e vlefshme për vendet e tjera paketa e masave Abenomics?
Duke u nisur nga elemente të veçanta të saj, sidomos gjendja ekonomiko-financiare që e detyroi Japoninë të merrte këto masa, si: rritja e ulët ekonomike, popullsi e plakur, borxh sovran i lartë, tensione deflacioniste, papunësi e lartë etj., mund të thuhet se ajo ngjan jo pak me shumë vende europiane të tilla si: Spanja, Italia, Franca, Britania e Madhe, Portugalia, Greqia etj., por dhe me vende të tjera të botës gjithashtu.
Liderët europianë në shumë raste e kanë përmendur “eksperiencën japoneze”, që nëpërmjet “lehtësimit buxhetor e monetar” synon një sukses aq të dëshiruar dhe në Europë, e për më tepër në një mënyrë të kundërt me “ortodoksinë monetare e buxhetore të mbrojtur me fanatizëm nga Gjermania”.
Abenomics-i u përshëndet “modestisht” nga tregjet financiare, ndërkohë që FMN-ja mbeti skeptike për rezultatet e tij, pasi Abenomics-i rrezikon të provokojë një rritje brutale të përqindjeve të interesit, duke e bërë problematike financimin e borxheve publike dhe rrezikuar falimentime bankare të rrezikshme.
Në vendet perëndimore nënvizohet se leksioni më i madh që mund të nxirret nga masat me karakter ekstrem që përmban Abenomics-i, është shqetësimi që duhet të kenë vendet e zhvilluara për efektet e krizave dhe pasojat e keqmenaxhimit të tyre.
Pas efekteve shkatërruese të flluskës spekulative financiare të viteve ‘80, kohë kur kapitalizimi i Bursës së Tokios ishte dukshëm shumë më i madh se Wall Street-i, apo kur Mitsubishi blinte “pa iu dridhur qerpiku” qendrën “Rockefeller”, Japonisë iu deshën 24 vjet që të bëhej gati për një paketë reformash radikale, efekti i të cilave nuk ishte aq i sigurt.
Ekspertët e ekonomisë dhe financave evidentojnë efektet pozitive që po jep politika e Shinzo Abes, por vlerësojnë se do të duhet akoma kohë për të bërë analiza të qëndrueshme dhe nxjerrë konkluzione të besueshme për eficiensën e Abenomics-it, sidomos kur bëhet fjalë për ta servirur atë si një recetë shpëtimtare për vende të tjera që kalojnë situata të vështira ekonomiko-financiare si Japonia.
Janari i 2018-s ishte viti i bilancit 5-vjeçar të Abenomics-it. Rezultatet, mjaft të diskutuara e shpesh të paragjykuara nga europianët dhe amerikanët, duken impresionuese. I ardhur në pushtet në vitin 2012, me gjithë vështirësitë dhe situatën ekonomike e financiare të ngjashme me Greqinë e vitit 2010, Shinzo Abe dhe Abenomics i aplikuar prej tij reflektojnë shifra të paimagjinueshme disa vite më parë:
- 8 tremujorë rresht rritje ekonomike pozitive në nivelet 2 – 2.5%, aq më tepër me një popullsi në zvogëlim konstant;
- konsumi i familjeve japoneze ka njohur një rritje prej 5.5% gjatë kësaj periudhe. Dalje nga deflacioni shumëvjeçar dhe garantimi i një niveli inflacioni të qëndrueshëm pozitiv në intervalin 0.7 – 0.9%;
- një papunësi më të vogël se 3% me tendencë reduktim akoma më të madh në muajt në vazhdim, si pasojë e faktit se në tregun e punës ka aktualisht1.56 oferta pune për çdo të papunë. Gjatë këtyre pesë viteve të fundit janë krijuar më tepër se 3 milionë vende pune të reja.
Ndërkohë, për të lehtësuar mjedisin makroekonomik buxhetor, klimën e biznesit dhe shtuar mundësitë për investime publike, Banka e Japonisë ka blerë borxhin publik të qeverisë në shifra të barabarta me 75% të PBB-së të vendit.
Karakteristikat e modelit ekonomik japonez
Japonia u zhvillua me shpejtësi duke u bërë fuqia e dytë ekonomike e botës mbas SHBA-së, duke dëshmuar efektet e një modeli ekonomik, financiar e social mjaft eficient dhe njëkohësisht specifik për “Perandorinë e diellit”. Cilat janë karakteristikat e këtij modeli, por dhe problemet dhe kufizimet e tij?
Një “shtet kapitalist zhvillues”
Shteti japonez, që prej “epokës Meiji” – që korrespondon me periudhën historike të viteve 1868 – 1912, e cila simbolizon fundin e politikavetë izolimit vullnetar të quajtur sakoku dhe fillimin e politikës modernizuese të Japonisë, fundin e sistemitfeudal dhe orientimin drejt modelit perëndimor të industrializimit – është shndërruar në një aktorfondamental të zhvillimit ekonomiko-social të vendit. Është një shtet që drejton dhe rregullon jetënekonomike nëpërmjet veprimeve të kombinuara të Bankës së Japonisë (Bankës Qendrore), Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë Ndërkombëtare (MITN) dheMinistrisë së Financave.
Ministria e Financave është e ngarkuar të hartojëdhe zbatojë buxhetin, kontrollojë operacionet financiare dhe bursën, si dhe zbatimin e politikave fiskale dhe mbledhjen e të ardhurave. Banka e Japonisë është përgjegjëse për administrimin emonedhës lokale, jenit dhe politikës makroekonomike me objektiv qendror sigurimin e një mjedisi sa më të favorshëm për aktivitetet ekonomike. MITN gruponstrukturat e hartimit dhe zbatimit të politikave që kanë të bëjnë me politikën industriale, kërkimit shkencor dhe inovacioneve, tregtinë e jashtme dhe ndihmat financiare për bizneset.
MITN ka gjithashtu detyrë sigurimin e informacionit dhe njohurive në nivel ndërkombëtar në sferën ekonomike, tregtare, shkencore e teknologjike. Ajo administron respektimin e kodit të standardeve dhepatentave, inkurajon kërkimin e avancuar shkencor, politikat energjetike, orienton strukturimin e aparatit produktiv duke mbështetur proceset e kooperimit ndërmjet bizneseve, ndihmat për ristrukturimin dhe modernizimin e tyre dhe stimulimin e statup-ve.
Shteti japonez është një shtet intervencionist, që nëpërmjet këtyre tri instrumenteve substanciale favorizon kompetivitetin nëpërmjet një presioni fiskal të moderuar dhe shpenzime sociale e ushtarake të ulëta. Kjo politikë, sidomos kur ështëfjala për përpunimin e strategjive të reja ekonomike apo rregullimin e konflikteve sociale, realizohet në harmoni të plotë me sindikatën e fuqishme të pronarëve të quajtur “Keidanren” (Federata e Organizatave Ekonomike Japoneze), e themeluar që në vitin 1946.
Një ekonomi “dualiste”
Dualizmi i ekonomisë japoneze shfaqet në përballjen ndërmjet firmave dhe korporatave të mëdha dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme(SME). “Zaibatsu”-t e epokës Meiji – sipërmarrjet që ishin prezente në çdo sektor të ekonomisë dhe përbënin kolonën vertebrale të kompleksit militaroindustrial të Japonisë, mbas Luftës II Botërore u zëvendësuan nga grupi i ndërmarrjeve të fuqishme të quajtura KEIRETSU, të cilat ishin grupime të shumë bizneseve rreth një banke, e cila ishte elementi federues në formën e shoqërive tregtare multifunksionale të quajtura SOGO SHOSHA.
Funksionet e tyre kishin të bënin me tregtinë në nivel nacional e ndërkombëtar, funksionin e komunikimit, organizimin dhe koordinimin e financimit të sipërmarrjeve, orientimin drejt sektorëve të rinj teknologjikë etj. Këto ndërmarrje gjigante dominonin industrinë, tregtinë dhe sektorin bankar japonez. Një pjesë e tyre kontrollonin dhe një numër të konsiderueshëm SME-sh.
Nga ana e tyre, SME-të korrespondonin me ndërmarrje që kishin më pak se 300 punonjës, duke përfaqësuar gati 90% të strukturës industriale dhe 75% të të punësuarve të vendit. SME-të ishin përpunues dhe furnizues të firmave e kompanive të mëdha, nga të cilat vareshin në aktivitetin e tyre.
Një shoqëri “konsensusi dhe progresi”
Një nga karakteristikat bazë të shoqërisë japoneze është niveli i lartë i shkollimit të popullsisë. Mbi 90% e të rinjve kanë të paktën një shkollim 15-vjeçar ekuivalent të bachelor-it dhe zotërojnë titullin “Inxhinier”. Kjo është rezultat i një sistemi edukativ performant bazuar në traditat konfuciane të shoqërisë japoneze: ndershmëri, korrektesë, respekt për hierarkinë, dashurinë për punën, disiplinën e hekurt në punë dhe progresin.
Shoqëria japoneze postindustriale e pas viteve 1960, është një nga shoqëritë më të orientuara drejt Kursimit. Ky model origjinal i zhvillimit ekonomik e shndërroi Japoninë në një nga fuqitë më të mëdha industriale, tregtare dhe financiare të botës, duke u evidentuar në pozicione lider në robotikë, nanoteknologji, prodhimin e automobilave, elektronikë, bioteknologji, telekomunikacion, petrokimi etj. Bursa e Tokios është një nga tri bursat më të rëndësishme të botës.
Me gjithë sukseset e tij, ky model socio-ekonomik po gjendet në vështirësi për një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm: financiarë (borxhi publik ka arritur në 250% të PBB-së), natyrorë (sasia e paktë e tokës bujqësore, varësia ushqimore nga importet, vullkanet dhe tërmetet, mungesa e burimeve energjetike sidomos naftës etj.), historikë, gjeopolitikë (rivaliteti me Kinën, Korenë e Veriut dhe Jugut, Rusinë) dhe demografikë (zvogëlim i popullsisë, popullsi e plakur. Personat mbi 65 vjeç përbëjnë mbi 22% të popullsisë).