Pse duhet të lexojmë ende sot romanin “Alkimisti” të Paulo Koelhos? Cilat janë leksionet shumë të vlefshme që bart ai? I botuar për herë të parë në vitin 1988 në Brazil, dhe më pas ipërkthyer në 56 gjuhë të tjera, ky libër është shitur në mbi 100 milionë kopje dhe tek më shumë se 156 vende të botës.
“Alkimisti” si një mënyrë për ta mposhtur frikën
Duke qenë një roman bashkëkohor, “Alkimisti” i Paulo Koelhos trajton shqetësimet e një brezi, të rritur në një epokë të karakterizuar nga përparimi i shpejtë i teknologjisë dhe globalizimi. I botuar gjatë tensioneve të vazhdueshme ndërkombëtare të Luftës së Ftohtë në fundin e viteve 1980, romani trajton drejtpërdrejt temat e frikës dhe kontrollit.
Lufta e Ftohtë, midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, u karakterizua dukshëm nga përparime të mëdha teknologjike e ushtarake, dhe kur lufta bërthamore ishte një mundësi reale. Romani i Koelhos apelon drejtpërsëdrejti që të mos lejojmë që frika të diktojë vendimet individuale mbi jetën e gjithsecilit.
Fuqia për të vendosur mbi të ardhmen personale
Romani mbështet fuqimisht fuqinë që individi të marrë nën kontroll të ardhmen e tij. Ky mesazh ka ndikuar tek njerëzit e të gjitha kulturave, dhe tek një brez ku ekspozimi ndaj “tmerreve të botës” ka paralizuar shumë njerëz.
Tema më e spikatur e “Alkimistit”, është ideja se çdo njeri ka një “legjendë personale” – një lloj fati ideal – dhe se çdokush mund të zgjedhë nëse do ta ndjekë apo jo. Në fillim të romanit, protagonisti kryesor Santiago niset në kërkim të legjendës së tij personale, falë takimit me Melkizedekun, një plak i moshuar që ishte shumë i zgjuar.
Melkizedeku i shpjegon Santiagos se të gjithë njerëzit e njohin legjendën e tyre personale në rininë e tyre, por e harrojnë atë ndërsa rriten, pasi janë të verbuar dhe të bllokuar nga frika, ankthi dhe shqetësimet e tjera të kësaj bote. Edhe për këtë arsye, libri duket sikur i flet ndërgjegjes së njerëzve në vitin 2022.
Ne jemi të verbuar dhe penguar nga tundimet, ankthet, të mbyllur nëpër kafazet tona. Kafaze që na imponoi pandemia, por edhe kafaze që i kemi ndërtuar vetë për të “shpëtuar” nga frika. Prandaj ndihemi si të përhumbur. Ndaj leximi i një libri të tillë, duhet të na kujtojë se tek secili prej nesh, ekziston një “zjarr i brendshëm” që ia vlen të kultivohet.
Origjina e “Alkimistit”
Historia që trajton ky roman nuk është shpikur nga Koelho, pasi i ka rrënjët tek një literaturë shumë më e vjetër. Shëmbëlltyra e dy ëndërrimtarëve që ëndërrojnë thesarin e njëri-tjetrit,shfaqet në një histori tradicionale hebreje. Shkrimtari argjentinas, Horge Luis Borges, i ripërdori këto tregime të vjetra hebreje në “Përrallën e dy ëndërrimtarëve” të vitit 1935. Koelho, një shkrimtar i Amerikës së Jugut ashtu si Borges, iu bashkua kësaj tradite. Po ashtu është e drejtë që ai zgjodhi një tematikë të tillë si një kornizë për romanin e tij, që trajton në mënyrë të hapur çështjen e fesë, duke ia përshtatur këto tema lexuesit bashkëkohor.
Ky bashkim kompleks midis traditës dhe bashkëkohësisë, është i dukshëm në karakterin e Melkizedekut. Melkizedeku është një figurë biblike që përmendet në Bibël si prift dhe mbret i Salemit, por karakteri i të cilit nuk është zhvilluar plotësisht. Koelho e ripërdor këtë figurë, duke i caktuar atij një rol të ri si mbrojtës i njerëzve që ndjekin legjendat e tyre personale, duke ruajtur detaje biblike për personazhin, sikurse është edh titulli i tij “Mbreti i Salemit”. /bota.al