Një investitor, vendas apo i huaj, i interesuar për një sektor të caktuar në Shqipëri, sot e ka shumë të vështirë për të gjetur informacion, për të pasur një analizë mbi situatën në këtë treg, numrin e kompanive ekzistuese, shërbimet që ofrohen, taksat dhe tatimet që duhen paguar, shërbimet që merren nga shteti apo projektet që parashikohen nga qeveria për zhvillimin e kësaj industrie. Kjo pasi të dhënat dhe informacioni i plotë mungojnë.
Hapi i pare, që çdokush i gjendur në këto kushte do të bënte, është hapja e faqes zyrtare të ministrisë që mbulon sektorin. Nëse bën një vëzhgim në të gjitha faqet e ministrive, jo vetëm të atyre të lidhura me biznesin dhe ekonominë, konstaton se informacioni i plotë mungon. Aty mund të gjesh thuajse të gjitha takimet zyrtare të ministrave apo drejtuesve të tjerë të dikasterit, me përshkime të përgjithshme dhe foto profesionale, apo edhe vendime të Këshillit të Ministrave, por është e vështirë, thuajse e pamundur që të gjesh informacion të dobishëm për çfarë interesohesh. Për Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, ky është një shqetësim jo i vogël për sipërmarrjen. Kjo pasi nëse ti do të investosh, informimi është gjëja e parë që bën dhe për këtë duhet të kesh dikë në ministri apo në institucionin përkatës; ndryshe, je i humbur. Faqet zyrtare të ministrive, aty ku duhet të bëhet edhe transparenca me publikun dhe aktorët e interesuar, nuk të ndihmojnë aspak.
“Nëse një sipërmarrës do të dijë një informacion më tepër në lidhje me një sektor të caktuar që mbulohet nga një ministri e fushës së përgjegjësisë, aty në site-et apo portalet e tjera, kanë një informacion super bazik. Mund të jetë i paazhornuar, por mund të jetë edhe i cunguar. Kjo do të thotë që sipërmarrja prapë duhet të njohë dikë në ministrinë e linjës, duhet të komunikojë me dikë, duhet të marrë shpjegime shteruese me qëllim që të kryejë operacionin e vet të biznesit. Këtu nuk janë vetëm ministritë, por edhe agjencitë e varësisë, që janë edhe më problematike, pasi ato e kanë krejtësisht bazik inofmracionin dhe nuk kanë një informacion të detajuar dhe të azhornuar”, shpjegon Shkodra.
Për juristin Jordan Daci, faqet zyrtare në internet të institucioneve kanë përmirësim të dukshëm vitet e fundit. Por problem mbetet mospërditësimi dhe vështirësia në perceptimin dhe përdorimin e informacionit, që është shumë teknik dhe i papërdorshëm për pjesën më të madhe të publikut.
“Mendoj se problematika vazhdon të mbetet, për shembull, mosazhornimi i rregullave dhe ligjeve, që kanë ndryshuar, dhe shpesh, do të duhej që ato të ndryshoheshin në kohë reale, pasi për një përdorues jo të avancuar me njohuri në fushën juridike, do ta kishte shumë vështirë që t’i bënte bashkë rregullat që ndryshojnë, tekset të cilat vazhdojnë të ndryshojnë. Kështu që duhet të ishte detyrë e çdo institucioni, që sapo të ndryshonin ligjet e fushës së aktivitetit që ata mbulojnë, ta përditësojnë në kohë reale dhe ta pasqyrojnë në faqen zyrtare. Së dyti, mendoj se informacioni është ende mjaftueshëm i papërpunueshëm dhe lehtësisht jo i perceptueshëm dhe i përdorueshëm nga publiku i gjerë. Mendoj se duhet të kalojmë në forma më të thjeshta, më të përmbledhura, më të shkurtuara në formë pikash, veçanërisht përsa i përket kritereve për marrjen e një shërbimi etj. Besoj që kjo mund të bëhet”, shprehet Daci.
Përmbajtja e faqeve zyrtare në internet të ministrive
Nga një vëzhgim i faqeve zyrtare në internet të 11 ministrive, rezulton se ato janë thuajse identike. Këtu nuk i referohemi paraqitjes grafike, që logjikisht është e njëjtë, por përmbajtjes. Lajmet kryesore në site janë takimet zyrtare të ministrave, shoqëruar me foto dhe një tekst me fjalë të përgjithshme. Madje, në faqen zyrtare mund të pasqyrohen edhe disa takime të zhvilluara brenda një dite, të cilat jo domosdoshmërisht përbëjnë interes publik, pasi janë pjesë e procesit të punës së titullarit, apo fjalimet e tyre në parlament dhe aktivitete të tjera, ku janë të ftuar. Ministri të caktuara, që mbulojnë edhe fusha specifike, kanë informacion për çështje të caktuara, por ai është shumë teknik dhe shpesh herë i cunguar. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, publikohen të dhënat e ecurisë së buxhetit, lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet; të dhënat lidhur me ecurinë e borxhit publik; të dhënat mbi ecurinë financiare të pushtetit vendor; vendimet e Bordit të Transparencës për karburantet dhe çmimet; Strategjitë për Menaxhimin e Financave Publike etj. Në pjesën më të madhe të tij, informacioni publikohet dhe ka transparencë, por është teknik dhe i vështirë për t’u kuptuar nga një publik i thjeshtë.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë gjen rëndom fjalimet e ministres në aktivitete të ndryshme apo publikimet zyrtare për situatën e COVID 19 dhe vaksinave lidhur me të. Por mungon informacioni i detajuar për çështje specifike apo prioritete të këtij dikasteri. E njëjta gjë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Pjesa më e madhe e informacionit në faqen zyrtare të këtij dikasteri ka të bëjë me takimet zyrtare të ministres dhe fjalimet e saj në evente të ndryshme, parlament apo mbledhje qeverie. E njëjta gjë ndodh edhe me pjesën tjetër të faqeve zyrtare në internet të ministrive.
Informimi dhe transparenca
Një informim i cunguar tregon për transparencë të munguar. Qytetarët dhe bizneset sot e kanë të vështirë për të gjetur një informacion të saktë dhe të plotë. P.sh, për të ditur sesa është buxheti vjetor i Ministrisë së Drejtësisë, ti nuk e gjen dot në faqen zyrtare në internet të këtij dikasteri. Për të marrë këtë shifër, duhet të futesh në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të gjesh në rubrikën “Raportime”, seksionin “Buxheti në vite” dhe aty të klikosh për të gjetur Buxhetin 2022. Më pas, të shfletosh në këtë draft për të gjetur buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë. Një rrugë kërkimi që nuk e bën dot kushdo, ose jo kushdo ka infomacion sesi ta gjejë. Kur shumë thjesht, kjo shifër mund të ishte në faqen zyrtare në internet të Ministrisë së Drejtësisë, pasi me anë të këtij buxheti mundësohet aktiviteti vjetor i gjithë dikasterit.
Arben Shkodra i Shoqatës së Prodhuesve shpjegon se ka probleme me informimin dhe sipas tij, kjo është e qëllimshme. “Përsa i përket informimit, lë për të dëshiruar, pasi unë mendoj personalisht që është e paramenduar. Pra, me ndërgjegje që informaiconi është më i paktë me qëllim që jo vetëm qytetari, por edhe sipërmarrja të trokasë tek dyert e autoriteteve publike. Ne e shohim këtë gjë me konsultimin publik. Edhe pse ka një ligj për konsultimin publik, vetëm 10 -15% e akteve ligjore kalojnë në një proces të mirëfilltë të konsultimit publik. Pjesa tjetër, ose bëhet sikur konsultohet, pra i jepet drafti në momentin e fundit sipërmarrjes ose nuk i jepet fare”, shprehet Shkodra.
“Duhet bërë dallimi mes transparencës për arsye të llogaridhënies dhe zbatimit korrekt të ligjit me transparencën ose pasjen e informacioneve në dispozicion të publikut përsa i përket lehtësimit të qasjes së publikut në shërbime që ato ofrojnë e të tjera me rradhë”, argumenton juristi Jordan daci. Por edhe këtu, biznesi ka për të thënë. Ofrimi i shërbimeve online nuk është shoqëruar me informacion online për mënyrën sesi mund të veprohet me institucionet.
“Në lidhje me të drejtën e informimit që sipërmarja ka, bazuar në aktet ligjore dhe nënligjore, në këtë moment që flasim, duket se ka një agjendë digitale ose të shërbimeve online dhe ajo që pritet është që përveçse të ketë shërbime on line, të ketë edhe një informacion të plotë online për mënyrën sesi një sipërmarrës duhet të operojë në marrëdhënie me autoritetet publike. Nga ajo që ne shohim, është krejtësisht një gjë tjetër. Pra, nëse flasim për shërbimet online kemi vetëm aplikime on line. Por më pas duhet të vazhdohet të kontaktohet dhe të procesohet gjithçka nga ana e autoriteteve publike në hard copy, pra në letër dhe më pas, patjetër që përgjigja mund të kthehen online”, shpjegon Arben Shkodra.
Në një botë virtuale, informacioni nuk është pasuri e askujt. Por në funksion të transparencës dhe mire-informimit, të paktën të dhënat publike dhe informacionet zyrtare duhet të jenë të aksesueshme në vendin e duhur, që janë faqet zyrtare në internet të ministrive, në mënyrë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjithë përdoruesit, si një guidë që nëse nuk të udhëzon qartë, nuk të çon në destinacion.
Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania – ActionALBANIA”, që po zbatohet nga Lëvizja MJAFT!. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Lëvizjes MJAFT! dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit.
Ky grant mbështetet nga “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, e përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë, dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me organizatë partnere Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.