Të dhëna të reja nga Ditari i Banca Nazionale Albanese
Nga Prof. Dr. Anastas Angjeli
Gjithkush do të shkruante, aq më tepër në 115 vjetorin e lindjes së tij, për një figurë të shquar si Mitrush Kuteli. Nuk mund të mos flas për 60 vitet e jetës së tij; që lindi në Pogradec, që familja e tij rrjedh fisi shqiptar i Kutelit; i shpërngulur në Mokër; e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shekullit të 19-të, apo që i ati, Pandi i biri i Pasko Kutelit ishte rrobaqepës e kishte jetuar për 24 vjet në Rumani, e më pas në Shqipëri dhe i burgosur shpesh herë në kohë të Osmanëve, gjatë pushtimit serb e atij bullgar.
Të gjitha studimet dëshmojnë se në shtëpinë e tyre, e cila bastisej dendur për libra shqip, vinin luftëtarët e kohës: Dervish Hima, Abdyl Ypi, Mihal Grameno, Telemak Gërmenji, Memduh Zavalani, Themistokli Germenji, Pasa Pema, Vasil Tromara, etj. Në një mjedis të tillë, të pleksur dhe me përrallat e nënës dhe pranë motrave të tij Agllaisë dhe Liries; Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Në kujtesë të të gjithëve është dhe shkollimi fillor i Kutelit në shkollën në Pogradec, më 1919, dhe më 1921 ai shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike.
Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut, ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç e propozoi Dhimitri. Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Shkrimet e tij flisnin për Atdheun, për ngjarjet e vitit 1924, vajtonin vrasjen e Gurakuqit e të Bajram Currit. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra te ndryshme.
Padyshim për shkak të formimit të tij pjesa më e madhe e shkrimeve i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Studioj ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekulimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas “Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare”, që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën “Telegraf”. Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Konstancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. Duke vazhduar punën e filluar në Selanik për të nxjerrë në pah disa nga vlerat e kulturës sonë sidomos në fushën e letërsisë, Kuteli shkroi artikuj mbi Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin, Lasgushin, Loni Logorin, Filip Papajanin, Ali Asllanin, etj..
Në fushën ekonomike – shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative, si dhe kundër disa koncesioneve, që i ishin dhënë kapitalit italian – Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP, për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.
Prandaj dhe unë, në këtë fjalë, nuk do të ndalem në këtë histori kaq aktive të jetës së tij, as në arritjet dhe vlerat e shkëlqyera në fushën ë letërsisë dhe kritikës letrare; por do të flas për vlerat e Kutelit në një fushë tjetër, e përmendur por e pa eksploruar shumë, në atë të Kutelit Bankier-ekonomist.
Janë dy vepra të tij, që jo vetëm kanë lënë gjurmë në fushën ekonomike e bankare, dhe qe pavarësisht nga koha kur janë shkruar; kanë jo vetëm vlera historike e shkencore, por njëhershmi për shumë fenomene të ngjashme në zhvillimet e sotme, ke se çfarë mëson. Ato janë doktorat e tij me titull…që jam i sigurt se kolegu im Civici do ndalet hollësisht në të.
Dhimitër Pasko (Mitrosh Kuteli) u diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori Doktoratën në Shkencat Bankare dhe Monetare, me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas mëse gjashtëdhjetë vjetësh:
Dhimitër Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtëzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qëndrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vëmendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe Guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në Financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskos iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike”.
Por unë jam ndalur në një vepër tjetër shumë pak të njohur për opinionin publik dhe shkencor ekonomik, në Diario di Direzione Centra, të Bankës Kombëtare Shqiptare, shtator 1943-tetor 1944
Mitrushi, gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe Bankën e Çernëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:
“Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”… Një nga pasojat e para ka qenë një “skedë e zezë” erdhi e më foli dikush në bankë: – Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?”
Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. Megjithatë, veshur me uniformë, në qëndrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Sidoqoftë, pati fatin të mos i afrohej kurrë Stalingradit, madje as arriti të hyjë në Rusi: një telegram urgjent nga Pogradeci i thoshte se, Nëna e tij ishte shumë e sëmurë e se duhej të nisej sa më shpejt për në vendlindje. E ndihmuan miqtë që kishte në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kishte ndërruar jetë më 28 gusht.
Gjatë vitit 1942 punoi në shoqërinë SASTEB dhe në periudhën e kapitullimit të Italisë fashiste dhe pushtimit nazist, mes vitit 1943, punoi si konsultent pranë Bankës Kombëtare.
Në janar 1945 u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, por në gusht 1946 u detyrua të jepte dorëheqje, sepse ishte kundër marrëveshjes së qeverisë shqiptare me përfaqësuesit e Beogradit për kursin e këmbimit mes lekut dhe dinarit jugosllav.
U arrestua më 16 maj 1947 për “agjitacion e propagandë” dhe u dënua me pesë vjet burg. Vuajti dënimin në kampin e Vloçishtit. U lirua me falje në maj 1949, pra pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë.
Punoi si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore «Naim Frashëri». Vdiq në Tiranë, më 4 maj të vitit 1967.
Dr. Pasko për shkak të njohurive, eksperiencës, integritetit u ftua për të qenë këshilltar në Bankën Kombëtare, më saktësisht në Bordin Drejtues. Periudha në të cilën duhej të kontribuonte është thellësisht e vështirë, kur sapo kishte kapitulluar Italia fashiste, forcat naziste nuk kishin akoma nën kontroll territorin dhe forcat nacionaliste përpiqeshin të kishin kontroll mbi territore të caktuara. Kalimi i pushtetit ishte i avashtë kishte shkëmbime mes palëve duke përmbysur situatat në ditë të caktuara. Siguria ishte në nivele shumë të ulëta, lëvizjet e kufizuara. Asnjë nga forcat në veprim nuk kishte kontroll të plotë mbi territorin.
Në këto kushte Banka Kombëtare Shqiptare do të duhej të zhvillonte aktivitetin e saj normal në Selinë Qendrore dhe në selitë e rretheve, Prizren, Prishtine, Tetovë, Elbasan, Shkodër, Korçe, Berat, Gjirokastër, Vlorë.
Ditari i Direzione Centrale, në mënyrë skrupuloze sjell shënime dokumentative të periudhës, sjell opinine të drejtuesve të saj mbi situatat monetare, sjell qëndrimet e Qeverisë së Rexhep Mitrovicës, në lidhje me bankën dhe situatat monetare të kohës.
Roli dhe kontributi i Dr. Dhimitër Paskos, është i qartë dhe i admirueshëm në lidhje me politikat monetare që duhet të ndiqen, duke rezistuar presioneve të shumta që vinin nga gjithë aktorët ushtarakë, politikë, diplomatikë.Ruajtja e pavarësisë së Bankës Nazionale, nga këto ndikime shpesh dukej një mision i pamundur duke vënë në provë edhe qëndrimin apo jo në detyre të drejtuesve të saj për të mos marrë vendime në dëm të interesave të Bankës dhe të Shtetit të brishtë Shqiptar.
Për të krijuar një tablo më të qartë të situatës mund të përmendim përpjekjet e një grupi të armatosur për të hapur kasafortën e degës së bankës në Berat. Kërcënimin me jetë të drejtuesit të saj për të dorëzuar çelësat.
Plaçkitja e zyrave të bankës në Vlorë.
Plaçkitjet e vazhdueshme në banesat e funksionarëve të bankës në kryeqytet nga grupe me uniforme por të pakontrolluara nga Qeveria e kohës. Drejtuesit e lartë të Bankës, italianë e kishin të pamundur të lëviznin drejt Italisë pa lejen e autoriteteve gjermane. Kohë kur ishte në tavolinë dhe shtetëzimi i Bankës Kombëtare dhe kalimi në duart e shtetit shqiptar.
Ngjarjet e sipërpërmendura e bënin të mundur politikisht një sipërmarrje të tillë, por frika për humbjen tërësore të pavarësisë së krijuar dhe keqpërdorimin e strukturës së ngritur ishte po ashtu prezente.
Do të ndalem në dy tri momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me këtë periudhë dhe që lidhen ngushtësisht me njeri tjetrin dhe që kanë ngarkesa të mjaftueshme duke nxjerrë dukshëm në pah dhe profesionalizimin dhe integritetin e të nderuarit Dr.Dhimitër Pashko. (Mitrush Kuteli).
Nevoja për financime të ushtrisë gjermane kërkesat e shumta për të plotësuar nevojat e mëdha të kësaj ushtrie. Depozitimi i arit shqiptar në emër të Qeverisë Shqiptare, Bankës Kombëtare, në Zvicër. Presioni i autoriteteve gjermane për të shtypur kartëmonedha të pambuluara me rezervë ari. Shtrirja e pushtimit gjerman në Ballkan duket se ka vënë në vështirësi drejtuesit e lartë për të përballuar nevojat e larta për financimin e ushtrisë. Janë të gjitha instancat që i janë drejtuar qeverisë shqiptare dhe Bankës Kombëtare për të siguruar këtë financim përmes arit gjerman. Hermann Neubacher ishte një politikan nazist austriak që mbante një sërë postesh diplomatike në Rajhun e Tretë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u emërua zyrtari kryesor i Ministrisë së Jashtme Gjermane për Greqinë dhe Ballkanin. Neubacher i vendosur kryesisht në Beograd, personalisht vetë në takimet me përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe të bankës ishte interesuar për gjetjen e mjeteve monetare për financimin e trupave gjermane.
Përfaqësuesit diplomatikë dhe ushtarakë në Tiranë, gjithashtu përmes kërkesave të vazhdueshme kishin kërkuar kreditim për trupat në këmbim të arit gjerman.
Kërkesat për miliona franga ishin të shpeshta, të vazhdueshme dhe po arrinin të ishin të papërballueshme. Zyrtarët gjermanë nuk po pranonin jo si përgjigje as kanalet e zakonshme bankare për të plotësuar këto kërkesa.
“Dr. Pashko i jep konfidencialitet Dr. Melis kopje të letrës së Konsullatës Gjermane drejtuar Kryeministrit, në të cilën këshillohet që në datën 22, delegatët gjermanë të emëruar nga qeveria e Rajhut të mbërrijnë në Beograd, nga ku do të vazhdojnë në Tiranë për negociatat për krijimin e një Marrëveshja tregtare shqiptaro-gjermane për bazën e kleringut.
Në këtë letër Konsullata kujton kërkesën për një subvencion të mëtejshëm prej 10 milionë për trupat gjermane dhe rikonfirmon se Qeveria e Rajhut është e gatshme t’i transferojë Shqipërisë 1 milion marka ari.
Sa i përket një milion ari që zotërojmë, ne mësojmë me anë të Dr. Pashkos se qeveria gjermane ka shprehur rezervën, për arsye prestigji, t’i përmbahet kërkesës shqiptare për transferimin e tij në Zvicër. Në vend të kësaj, qeveria gjermane propozoi ose transferimin e arit në Shqipëri (megjithatë, duket në rrezik të Shqipërisë dhe për më tepër, në varësi të përcaktimit të një marrëveshjeje politike ushtarake midis dy vendeve), ose depozitimi i tij në Reichsbank për ruajtje në emër të Bancalba.”
Banka Kombëtare nga ana e saj i kërkonte qeverisë të respektonte procedurat dhe të ishte e kujdesshme në vendime, të cilat mund të kishin pasoja të mëdha edhe për të ardhmen.
Në këtë klime nga pala gjermane hidhet ideja e stampimit të kartëmonedhave të reja në Beograd apo diku tjetër, ku të ishte e mundur më parë.
Drejtuesit e bankës përfshirë dhe konsulentin Pashko, në një takim duke shprehur kundërtinë e tyre absolute ndaj kësaj vetëvrasje monetare, morën një vendim nëse kjo do të ndodhte pavarësisht vullnetit të tyre.
E diele, 27 shkurt 1944
Pasdite do të shqyrtojmë, gjithashtu me zotërinjtë Trapani dhe Stramignoni, linjën e sjelljes që do të ndjekim, në lidhje me këto zëra të shtypjes të kartëmonedhës sonë në Beograd. Është rënë dakord që nëse shtypja do të bëhej pa një marrëveshje paraprake me Komitetin e Administrimit, kartëmonedhat mund të konsideroheshin vetëm false dhe do të na duhej vetëm të mbyllnim sportelet, duke mos pasur asnjë mundësi kontrolli mbi këto emetime të reja. Prandaj ne vendosim të flasim nesër me doktor Paskon dhe Ministrin e Financave, për t’i vënë në dijeni delikatesën e çështjes dhe për t’i paralajmëruar se, në rast prerje pa autorizimin tonë dhe pa kontrollin tonë, do të detyroheshim të shkëputim menjëherë përgjegjësitë tona, duke kërkuar që ato të zëvendësohen në drejtimin e Bankës.
E hënë, 28 shkurt 1944
Zotërinjtë Melis dhe Olmastroni mbajnë mëngjesin e sotëm doktor Pasko për çështjen e njohur të prerjes së sasive shtesë të kartëmonedhave nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. Dr. Pasko pranon se një printim i tillë, për të qenë i rregullt dhe i ligjshëm, duhet të jetë subjekt i marrëveshjes së Këshillin e Administrimit të Bankës dhe nën kontrollin e tij. Nëse këto kushte nuk do të plotësoheshin, shtypja do të ishte e parregullt për ne dhe D.C.; as në heshtje nuk mund të jepte pëlqimin për të vlerësuar veprën. Prandaj, në një dëshmi të tillë, do t’i mbetej vetëm menaxhmentit që të shkëputë përgjegjësitë e tij, duke kërkuar nga Qeveria që të emërojë zyrtarë të tjerë. Doktor Pasko e njeh plotësisht saktësinë e këndvështrimit tonë dhe bashkohet me të, duke deklaruar se edhe ai do të kërkonte të lirohej nga detyra. E pyesim Dr.Pasko nëse nuk e sheh të arsyeshme, pasi do të ishte qëllimi ynë, të tërheqë vëmendjen e qeverisë dhe ndoshta edhe të autoriteteve gjermane për këtë çështje, në mënyrë që të dimë se në çfarë pozicioni të vështirë do të ishte Menaxhmenti i Bankës. E gjejmë veten nëse nuk ka ndjekur një procedurë të rregullt dhe ndarjen e pashmangshme të përgjegjësisë që duhet të arrijmë, duke kërkuar një zëvendësim. Doktor Pasko është plotësisht dakord, por mendon se është mirë që fillimisht të kërkohet këshilla e ministrit Berati (Dhimiter Berati, Ministri i Ekonomisë Kombëtare, aut.)
Në procesverbalin e mbajtur ne mbledhjen e zgjeruar te Bordit, ku merr pjesë dhe Dhimitër Pasko, ka një paragraf të rëndësishëm në lidhje me arin shqiptar, kërkesën për t’u depozituar në një bankë në Zvicër, e cila siç e dimë nuk ndodhi për shkak të mbajtjes nga ushtria gjermane:
Zoti Ettore Melis, drejtues i Bankës shprehet se: Ai thotë se pikëpamja e mbështetur nga përfaqësuesit e Qeverisë, është që ari të mos konsiderohet si pronë e Bankës, por e popullit shqiptar, i cili është bartës i kartëmonedhave të hedhura në qarkullim nga Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe prandaj është detyrë e saktë e qeverisë shqiptare të mbrojë interesat e popullit dhe si rrjedhim të sigurojë nëpërmjet formës së depozitimit vullnetar, që ari të mos jetë i destinuar për përdorime të ndryshme.
Nga një pasqyrë e shkurtër e një periudhe të trazuar për gjithë Botën, efektet e një lufte të gjatë, kërkonin zgjidhje emergjente, me pasoja të rënda për ekonomi të vogla të brishta dhe pamundësish të pavarura. Është pothuajse gjeniale kujdesi që ka treguar Dhimitër Pasko për të ruajtur ekuilibrat financiare, jo të një periudhe të shkurtër, por në një plan afatgjatë, duke dëshmuar dhe njëherë njohuritë e tij të thelluara, koherencën, largpamësinë.
Nuk do të thoja fati, sepse të gjithë e dimë që historia ka spiralet e veta dhe sot ndodhemi në një situatë të tillë shumë të ngjashme dhe po kaq të rrezikshme.Pas krizes se pandemise dhe te krizes aktuale nga lufta ne ukraine, ndryshimet e ekonomise globale jane te shpejta,rritja e cmimeve,inflacioni galopant,kriza energjitike dhe ajo ushqimore po tronditin boten.Duket se kohët dhe mekanizmat monetarë dhe financiare janë modernizuar, por mendoj që thelbi ka mbetur i njëjtë, si të ruajmë ekonominë me masa preventive afatgjate, për të mbajtur përgjegjësitë, jo për vetë, apo për të shpëtuar momentin, por dhe për brezat që do vijnë.
Sa aktuale dhe sot kjo, ky qëndrim, kur fenomeni i inflacionit po shndërrohet në hiper apo stagflacion, ky qëndrim i Kutelit gati 75 – 80 vite me parë. Ne të gjithë shtrojmë pyetjet, cfare duhet të bëjmë me mire dhe si?. Cilat janë rrugët e duhura? Historia, eksperienca jonë, ekonomia globale, tashmë i kanë dhënë saktësisht këto formula, të cilat duhen ndjekur dhe zbatuar me kujdes sipas kushteve të veçanta të çdo ekonomie brenda gjigantit global.