Nga Riccardo Romani
Në mesin e qershorit, termometri i kaloi 50 gradë Celcius, një shifër e paprecedentë këtë sezon edhe për një zonë shkretinore, që përcëllohet nga dielli për 10 muaj të vitit. Por kur kanë mbetur rreth 140 ditë para fillimit të botërorit të futbollit , nuk është ky rekord, ai që po e mban në ankth Katarin.
Ngrohja globale nuk është në krye të listës së shqetësimeve të këtij shteti të vogël. Nëse më pas e imagjinojmë që klima e kondicionuar brenda 8 stadiumeve përrallore të ndërtuara enkas për këtë aktivitet, i lejon tifozët të qëndrojnë në një temperaturë fikse 22 gradë edhe në mesin e vapës përvëluese jashtë tyre, e kupton se frika është diku tjetër.
Që kur FIFA mori në vitin 2010 vendimin surprizë, dhe mes shumë debateve, për t’i besuar vendit të vogël në Gjirin Persik organizimin e botërorit të këtij viti, Doha ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm kulturor dhe fizik. Emiri Al Thani ka bërë gjithçka për ta transformuar një oaz në shkretëtirë në një fuqi ekonomike botërore.
Popullsia e vogël e këtij vendi (rreth 300 mijë njerëz), ka hapur dyert dhe arkat për investitorët, profesionistët dhe punëtorët nga e gjitha bota, për t’u bërë një popullatë heterogjene prej 2.8 milionë banorësh. Pra është një vend që përbëhet nga 80 për qind emigrantë.
Ndeshja e parë e këtij kampionati, Senegal-Holandë, që do të zhvillohet në stadiumin AlThumama më 21 nëntor, do të tregojë nëse basti ia ka vlejtur apo jo. Megjithatë, euforia për këtë ngjarje që dominonte në Doha deri në vitin 2020, është zbehur ndjeshëm. Ethet e “herës së parë”, kanë krijuar një gjendje të dukshme ankthi.
I pari botëror në Lindjen e Mesme. I pari botëror në një vend me një sipërfaqe prej vetëm 11 mijë km2. Për herë të parë një botëror zhvillohet në dimër. Dhe i pari vend organizator që ndalon alkoolin dhe dënon sjelljet e shfrenuara në publik. Por sfida më e rrezikshme do të jetë logjistika.
Ndikimi i mbi 1 milion vizitorëve të mundshëm mund të shkaktojë kaos. Për këtë arsye, qeveria e Katarit ka marrë mbështetjen e qeverisë së Marokut, që do të dërgojë deri në 7 mijë ushtarë me detyrën dhe autoritetin e ruajtjes së rendit publik. Edhe Italia do të dërgojë qindra karabinierë dhe mbështetje teknologjike.
Po ashtu do të japin ndihmën e tyre edhe vende të tjera arabe dhe evropiane. Por të panjohurat mbeten të shumta. Kostot e mëdha të biletave të linjave ajrore dhe të hoteleve, kanë bërë që shumë tifozë të mundshëm të zgjedhin rrugë alternative. Njëra prej tyre është shkuarja në kryeqytetin saudit, Riad, dhe udhëtimi prej andej për disa orë më makinë.
Natyrisht, ata që kanë këtë plan në mendje, nuk e dinë që Katari po shqyrton mundësinë e vendosjes së një bllokade kufitare me Arabinë Saudite. Bllokimi i rrugëve dhe mungesa e sigurisë për numrin e shtretërve të disponueshëm apo vendeve për të ngrënë, janë makthet më të zakonshme.
Mjafton të mendosh për grumbullin e anijeve të mëdha turistike, por edhe për ndërtimin e fshatrave me tenda në shkretëtirë për t’i lejuar vizitorët të përfshihen plotësisht me kulturën lokale. Një gjë është e sigurt:në Katar do të hysh vetëm nëse ke një biletë për të parë ndeshje, dhe me një portofol plot me para.
Kampionati botëror i këtij viti do të jetë spektakolar, por jo popullor. Një shou për më fatlumët, që të gjithë të përzgjedhur me kujdes dhe të mirë-monitoruar falë një organi mbikëqyrës mbresëlënës. Sfidat janë shumë të mëdha, aq më tepër pas mosmarrëveshjeve të brendshme në lidhje me bllokadën politike që izoloi Katarin nga sauditët në vitin 2019, dhe më pas për shkak të pandemisë së Covid-19.
Duke eksploruar gadishullin, kuptojmë se shumë vepra infrastrukturore nuk do të përfundojnë në kohë. Një përfaqësues i Komitetit Organizativ, që preferon të mbetet anonim, na shpjegon: “Kriza politike ka pasur një efekt ekonomik të drejtpërdrejtë. Shumë menaxherë të huaj janë pushuar nga puna për të kursyer para nga pagat e larta, ndërsa projektet ehartuara nga profesionistë evropianë dhe amerikanë, u janë besuar punëtorëve të pakualifikuar dhe të papërvojë. Rezultati? Vonesa dhe kaos”.
Kriza ukrainase dhe situata e re e favorshme që solli ajo, për vende që kanë rezerva të mëdha të gazit si Katari, e ka rikthyer besimin në vend. Por koha e humbur është e pakthyeshme. Frika se diçka mund të shkojë keq është shumë e madhe.
Rregullat e hyrjes në stadiume në lidhje me statusin e vaksinimit ndaj Covid-19, premtojnë probleme. Në fakt, Katari nuk e njeh pasaportën e gjelbër evropiane, dhe i kërkon çdo vizitori të bëhet pjesë e Ehteraz, programit kombëtar të gjurmimit që kërkon ndarjen e të dhënave personale, regjistrimin në bazën e të dhënave lokale, dhe marrjen e një miratimi në kohë reale, pa të cilin nuk është e mundur as të hysh në një qendër tregtare.
Po çfarë do të ndodhë në nëntor kur pritet një rritje e rasteve me Covid-19? Është e kuptueshme që Katari dhe vetë FIFA, po luajnë shumë me njëri-tjetrin. Në rastin e FIFA-s, është më gjasë në rrezik vetë e ardhmja e organizatës. Sidomos nëse është i vërtetë lajmi që presidenti i saj, Gianni Infantino, me një vendim të paprecedentë, ka vendosur të zhvendoset për të jetuar me familjen e tij në Doha.
Si një provë e përgjithshme për të kuptuar limitet dhe të metat e sistemit organizativ, Katari u dha disa javë më parë, me rastin e ndeshjes play–off midis Australisë dhe Perusë, që u zhvillua në stadiumin Al Rayyan, një paketë udhëtimi rreth 10 mijë peruanëve.
Përveç disa problemeve në portat hyrëse (për shkak të shërbimeve të rrepta të sigurisë, që zbuluan dhe asgjësuan çdo paketë me cigare), gjithçka shkoi “zyrtarisht” mirë. Por 10.000 tifozë, nuk janë 200.000 që priten në javët e para të turneut.
Pastaj është fushata e pamëshirshme për shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilës Katari i është nënshtruar që nga dita kur fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në futboll. Në këto 12 vite, cilësia e jetës së punëtorëve që punojnë në qindra kantiere – dhe jo vetëm të lidhura me projektet e FIFA– është përmirësuar ndjeshëm.
Kafala, praktika e paligjshme e importimit të punëtorëve nga jashtë, duke ua marrë pasaportat për t’i përdorur në kushte pune çnjerëzore, është shfuqizuar me ligj. Po ashtu është e ndaluar me ligj të bësh punë në natyrë gjatë orëve më të nxehta të ditës. Numri i punëtorëve nga vendet në zhvillim (India, Bangladeshi, Afganistani, Uzbekistani) po rritet.
Por e vërteta është se Kupa e Botës, ashtu si Olimpiada – në Rusi, Kinë, Brazil apo Katar – është kryesisht një mundësi e jashtëzakonshme politike për disa, dhe një mundësi ekonomike për të “dyshuarit e zakonshëm”. Dhe në këtë skenar, historia e të drejtave të njeriut kalon thuajse gjithmonë në sfond dhe harrohet shpejt.
Në fund do të kenë rëndësi driblimet në fushë të Cristiano Ronaldos apo Kylian Mbappè. Emiri i Katarit, ashtu si Gianni Infantino, shpreson sinqerisht që bëmat e këtyre kampionëve, përveç rekordit të nxehtësisë, do të jenë të vetmet ato që do të hyjnë në histori. / “Linkiesta” – Bota.al