Eksperti i shëndetit publik, Artan Simaku shprehet se ka një shtim të rasteve të infektimeve me Covid, por nuk ka vend për panik dhe alarm.
Ai deklaroi sot në një emision televiziv se është një valë e stinës së verës që po përhapet në të gjithë Europën dhe që parashikohet të zgjasë rreth katër javë dhe se rënia parashikohet nga fundi i muajit korrik.
Sipas tij, me ardhjen e vjeshtës dhe dimrit vjen vala e re e infektimeve dhe parashikohet rritje e numrit të rasteve.
“Kur nuk ishte prodhuar vaksina, u morën masa për kufizimin e rasteve, në situatën aktuale nuk ka vend për panik dhe as për shqetësim, se kemi mjetin parandalues, vaksinën. Vaksinimi është shumë i rëndësishëm për të mbajtur një numër të ulët të rasteve dhe për të parandaluar shtrimet.
Pas një farë kohe qoftë imuniteti natyral qoftë ai me vaksinë bie, ndaj duhet të bëhet doza përforcuese. Personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje shoqëruese, duhet të bëjnë dozën e tretë dhe përforcuese.
Ka shumë rëndësi për të parandaluar shtrimet në spital, format e rënda dhe vdekjet. Këshillohen të gjithë pacientëve për të marrë dozën, sipas muajve dhe kohës kur kanë kaluar sëmundje. Kontaktet me mjekun e familjes janë të përditshme jo vetëm me grupin me risk por edhe për gjithë popullatën.
Alternimi i vaksinave ka gati një vit që është sqaruar, që mund të bëhet kombinimi i vaksinave. Çdo person i pavaksinuar paraqitet në qendrën shëndetësore me kartën e identiteti dhe ka zgjedhje të vaksinave dhe informohet për kombinimin nga mjeku i familjes. Është i domosdoshëm aplikimi i dozës së tretë, ose i dozës përforcuese. Ka një ritëm të ulët të marrjes së dozës së tretë, por është e domosdoshme për të parandaluar.
Nuk ka rëndësi numri ditor i rasteve të reja, por i rasteve që kanë nevojë për shtrim spital dhe i rasteve të rënda. Doza përforcuese është me rëndësi për të mos pasur raste të rënda. Nuk parashikohet mbingarkesë as në stinën e vjeshtës dhe të dimrit.
Shtamet që qarkullojnë në kontinentin europian, mbas tre javësh qarkullojnë dhe në Shqipëri, ka dyshime se qarkullojnë variantet BA4 dhe BA5, që janë nënvariante të Omicron dhe përhapen me shpejtësi.
Për stinën e vjeshtës dhe dimrit, rreziku i mutacioneve ekziston. Nuk përjashtohet që të lindin mutacione të reja dhe të kenë ashpërsim më të madh se Omicron. Këto mbeten për tu parë. Vaksina të mbron nga këto variante, por mund të ndodh se infektimi, por mrekullia e vaksinës është se të mbron nga shtrimi në spital dhe nga format e rënda. 90-95% personat që shtrohen në spital janë të pavaksinuar, shumë rrallë 3-4% është vaksinuar me një dozë.
Edhe rastet që kanë përfunduar në fatalitet kanë qenë të pavaksinuar, ndaj nënvizohet me forcë vaksinimi me dozën e tretë. Është ky kontingjent që ka më tepër gjasa të shtrohet në spital dhe të përfundojë me forma të rënda.”, u shpreh mjeku.