Nga Andi Bushati
Rastet e shumëpërfolura të përplasjes së Edi Ramës me gazetarët, Ambrozia Meta dhe Klevi Muka, si dhe vendimi i kryeministrit për ti shpënë ata për riedukim, ndonëse u fshikulluan ashpër nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit, janë parë të relativizuara nga një pjesë e publikut shqiptar.
Shumëkush i ka lidhur ato me karakterin e shefit të qeverisë, me stilin e tij kontrovers të komunikimit dhe bacground-in e njeriut që ka kapërcyer në jetën politike duke përdorur mediat si trampolinë.
Shprehja “e ashtu e ka zakon ai” është bërë standarte, si në rastet e përplasjes me dy reporterët, në konferenca shtypi, po ashtu edhe në ato kur ai vihet në vështirësi në emisionet e mbrëmjes.
Por, tendencës së Edi Ramës për të agresuar atë që bën një pyetje “të papëlqyeshme”, apo që ka një këndvështrim të fakteve të ndryshme nga i tiji, po i shtohet edhe një mëkat tjetër, ai i rieduktimit përmes heshtjes.
Ka mëse një javë që kreu i qeverisë as nuk gjen guximin të belbëzojë ndaj akuzave të përsëritura të opozitës për sakndalin e grabitjes me anë të inceneratorëve. Që kur Kryemadhi bëri denoncimin e parë, në media parakalojnë, pleq nga azli, emigrantë për bukën e gojës, madje edhe të larguar nga kjo jetë, që luajnë miliona fiktive në ajër, duke lëshuar fatura tatimore për inceneratorët, në mënyrë që këto të fundit të justifikojnë punët e pa bëra, për të cilat janë paguar nga buxheti i shtetit. Për të gjitha këto nga qeveria nuk ka asnjë reagim.
Lapsi.al i ka qëmtuar të gjitha daljet publike të kryeministrit, ku mund të gjenden plane të përbashkëta me Hagën për të shpëtuar Evropën, zbulimi i supozuar i sasive kolosale të naftës e deri tek postimet e këngëve polifonike për lavdinë e liderit. Por ama aty është e kotë të kërkohet ndonjë përgjigje për mënyrën se si dy Klodianët kanë rrëmbyer paratë tona pa bërë asnjë lek punë.
Rama që nuk lë edhe rastin më episodik pa replikuar, pa reaguar dhe pa u hedhur në sulm edhe ndaj ndjekësve të Facebook, këtë herë e ka mbyllur gojën.
Nga njëra anë ai mirë bën. Sa më shumë kohë kalon, duket qartë se afera e inceneratorëve përbën një krim shtetëror, të nxitur dhe të preojektuar nga maja e piramidës. Sa herë që dikush e tenton të prodhojë alibi për të, ato i shndërrohen në boomerang. Vetë shefi i qeverisë e ka provuar këtë në kurriz, kur doli bllof, njëherë duke e mbrojtur projektin qe kishte me Mërtirin dhe Zoton, si një fat që po shpëtonte qytetet shqiptare, ndërsa më pas u detyrua të pranojë vjedhjen, por duke u shfajësuar se ajo qe bërë pas shpinës së tij.
Këtë radhë, çfarë do që të thotë, e ka të vështirë të shpjegojë se si një shtet i tërë ka mbyllur sytë teksa i kalonin nën hundë milionat. Edhe tatimorët edhe krimi ekonomik, edhe drejtoria e koncesioneve edhe bashkitë edhe ata që duhet të çertifikonin punën e kryer, nuk kanë qenë në gjendje të dallonin se kishin të bënin me një sistem që prodhonte fatura dhe rëmbente para pa plotësuar detyrimet kontraktuale. Kjo nuk është symbylltësi, por pjesmarrje në një grupim kriminal. Dhe çfarëdo argumenti të prodhojë, qoftë edhe një orator i paskrupullt si Rama, ai nuk është në gjendje të bindë askënd se e tëra ka ngjarë në mënyrë të pafajshme.
Por ama edhe rruga tjetër nuk përbën zgjidhje, pasi opozita nuk është një gazetar që i trembet pronarit, apo konkurencës me kolegët e tij të tredhur, ajo nuk mund të kërcënohet me riedukim. Në këtë rast është Edi Rama që humbet nga pak përditë. Sepse duke heshtur, ai jo vetëm nuk e zgjidh problemin, por i lë hapsirë rivalëve të ngulisin në publik versionin e tyre. Ajo plaka nga azili, ai çobani nga Greqia, ajo gruaja që mblidhte kanoçe dhe ajo tjetra që firmoste nga varri e përforcojnë idenë që këtu është bërë nami. Ndërsa duke u shtirur sikur ky realitet nuk ekziston, Edi Rama vetëm e bën atë më të besueshëm./ lapsi.al