Partia Demokratike ka reaguar pak orë para se Bajram Begaj të betohet si president i Shqipërisë.
Në një deklaratë zyrtare, PD shkruan se ‘24 korriku është dita e instalimit të monizmit të plotë të Ramës në Shqipëri’.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike:
24 korriku i vitit 2022 do të gdhendet me germa të zeza në muret e kohës si një ditë fatkeqësie kombëtare për demokracinë dhe liritë e shqiptarëve.
Sot, me inaugurimin e Presidentit socialist, pas 32 viteve, në Shqipëri rivendoset monizimi i plotë.
Nga sot, Edi Rama dhe partia e tij shtet, kontrollojne mbi 99% të pushteteve në Shqipëri. Ata kanë të përqendruar në duart e tyre 11% pushtet më shume se sa kontrollonte në 1991 Ramiz Alia, diktatori i fundit komunist i Shqipërisë.
Sot, për herë të parë në 31 vite, në Shqipërinë moniste, në pushtetin ekzekutiv të vendit, të gjithë qeveritarët qendrorë ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët, punonjësit, janë vetëm të një partie, dmth të partisë shtet të Edi Ramës.
Sot, pas 31 viteve, të gjithë qeveritarët vendorë dhe të gjithë këshilltarë vendorë të vendit janë të një partie, dmth të Partisë (shtet) Socialiste.
Po kështu, për herë të parë pas 31 viteve, Presidenti i Republikës, të gjithë drejtuesit e institucioneve kushtetuese apo të ngritura me ligj, janë vetëm të një partie, partisë-shtet.
Sot, falë pseudoreformës sorosiane të drejtësisë, që shndërroi drejtësinë e vendit në degë të ekzekutivit socialist, të gjithë drejtuesit e institucioneve kryesore të drejtësisë, KLGJ, KLP, ILD, çdo prokuror, çdo hetues, sikundër dhe çdo gjykatës Fakti apo Apeli, gjykatës në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, përveçse njërit, janë, që të gjithë, të përzgjedhurit dhe në tërësi të emëruarit e Edi Ramës dhe partisë-shtet.
Sot, si asnjëherë në 31 vite, kreu i partisë-shtet, Edi Rama, pasi e mori peng, bën në parlament, para shqiptarëve dhe botës, lojrat e turpshme me fasadë opozitën dhe shtyp në mënyrë antikushtetuese të drejtat legjitime të opozitës së vërtetë.
Sot, në Shqipërinë moniste partia shtet, me klientelën dhe oligarkët e saj, kontrollon plotësisht ekonominë, financat dhe çmimet e energjise, ushqimeve dhe shërbimeve të qytetarëve.
Sot, të gjitha mediat e mëdha, dhe në tërësi 95% e mediave të tjera, kontrollohen nga partia- shtet dhe kreu i saj.
Partia Demokratike deklaron se, me vendosjen sot të monizmit të plotë në Shqipëri, kanë rënë rendi demokratik, kushtetues dhe vetë Kushtetuta, që garanton kontrollin dhe balancën e pushteteve.
Me këtë rast, rikujtojmë se Edi Rama mori pushtetin nga një koalicion në të cilin Partia Demokratike, si partia më e madhe qeverisëse në dy mandatet e saj, kontrollonte nga 37% në vitin 2005 në 48% në vitin 2013, të pushtetit të vendit. Pasardhës i bllokmenëve hoxhistë demonë të pushtetit, Edi Rama, në traditën e tyre, shtriu nga viti në vit duart e tij të zeza gjersa arriti të rivendosë sot, me zgjedhjen e Presidentit të tij, monizmin e plotë në Shqipëri.
Edi Rama, i etur pafundësisht për pushtet personal, për pasurimin e tij arriti të rivendosë monizmin pas 30 viteve pluralizmi në Shqipëri. Ai e relizoi këtë para së gjithash, dhe mbi te gjitha, duke kontrolluar votën e shqiptarëve me:
1-perdorimin per këtë qellim të gjithë pushtetit të tij;
2-me drogën dhe krimin, duke instaluar në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë;
3-me patronazhistët e vet, shumë prej tyre janë sjellur si terroristë të kuq;
4-duke mbjellë frikë dhe terror, nëpërmjet arrestimve masive për çështje civile, gjer në 38 mijë qytetarë në vit, dhe duke larguar nga vendi, vetëm katër vitet e fundit, 540 mijë shqiptarë;
5- duke ushtruar dhunë mbi lirinë e fjalës dhe rikthyer censuren, por kryesisht autocensurën;
6-duke vjedhur dhe varfëruar në mënyrën më të pamëshirë dhe të papërmbajtur, në dogana, tatime, tendera, prokurime, koncesione e PPP, qytetarët shqiptarë, si kurrë më parë në historinë e tyre;
7-duke patur mbështetjen e fuqishme të mafias së George Soros-it, këtij armiku të egër të demokracisë dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.
Partia Demokratike deklaron se, në historinë e njerëzimit, monizmi ideologjik, fetar, apo i bazuar në drogën dhe krimin, u ka sjellë kombeve dramat më të mëdha në tërë ekzistencën e tyre. Më mirë se çdo komb tjetër, pasojat shkatërrimtare të monizmit i kemi provuar ne shqiptarët.
Për të gjitha këto: Partia Demokratike dhe Fronti i Shpëtimit të Shqipërisë angazhohen dhe konsiderojnë se liria, demokracia, qenia, identiteti dhe kultura shqiptare janë në një rrezik ekzistencial dhe, zotohen se do të bëjnë gjithçka, së bashku me të gjithë shqiptarët, për shpëtimin sa më parë të Shqipërisë nga monizimi i partisë-shtet të Edvin Ramës, duke i rezervuar atij fatin e monizmit të parë.