Stina e verës me gjithë bukurinë, përkushtimin dhe dashurinë për “VISAD” është dhe periudha përkujtimore për prindërit e bashkëshortit Arbenit të cilët nuk jetojnë më dhe në veçanti për nënë Engjëllushen e cila është larguar nga jeta në fillim të stinës së verës. Libri “Lulet e një zonje “është një libër me kujtime. Ky libër përfshin një periudhë kohore nga njohja dhe dashuria me Benin deri në adoleshencën e fëmijëve tanë Evis dhe Earda. Përshkrimi i jetës është bërë në këndvështrimin e prezencës së prindërve të Arbenit duke përshkruar ngjarje nga jeta jonë. Jeta jonë si produkt i familjes, shoqërisë dhe ambientit. Të tre këta element janë të rëndësishëm në jetën e njeriut, por familja është qeliza ku fillon gjithçka, fillon jeta. Prezenca e prindërve të Benit në krijimin e familjes, rritja dhe edukimi i fëmijëve, karrierës profesionale ka qenë një udhërrëfyese dhe ndihmë e madhe.
Në librin “Lulet e një zonje” prezencën e prindërve në familje e kam krahasuar “si një libër të gjallë”, duke sjellë në mendje kujdesin, këshillat, por ndonjëherë edhe tonet e larta, kuptojmë çdo ditë sa shumë vlerë ka patur prania e tyre me eksperiencën e tyre në jetën tonë.
Libri fillon me lulet e hedhura nga ballkoni i shtëpisë së Benit nga Engjëllushja në rrugën që isha duke ecur poshtë ballkonit me nënën time të dashur. Lulet aprovonin nga prindërit e Benit dashurinë tonë. Rrugëtimi i dashurisë sonë fillon nga lulet e ballkonit dhe vazhdon në verandën e “VISAD”, të zbukuruar me lule shumëngjyrëshe dhe skulptura të bardha. Janë lule të mbjella me dashuri, pasion, nostalgji, bashkudhëtare të jetës sonë, të realizimit të detyrave tona familjare. Ne këtë rrugëtim, do të citoja vargjet të cilat jam afeksionuar të shkrimtarit Indian R.Tagorës të cilat i kam vendosur pas një fotoje familjare” “Fjeta dhe ëndërrova se jeta është gëzim, u zgjova dhe pashë se jeta është detyrë, veprova sipas saj dhe nxora një përfundim, detyra është gëzim”.
Ky libër u ideua në kujtim të Engjëllushes, me të cilën jetova disa vite dhe mësova shumë. Mësova nga mënyra e komunikimit. Nga biseda me Engjëllushen kuptoje se ishte një grua e kulturuar, të cilën ajo e shprehte me fjalët e shprehjet e saj në çdo moment, në disa raste edhe në italisht. Komunikimi i saj me babin e Benit ishte për të patur zili, për delikatesën, zgjuarsinë, korrektësinë. Zëri i saj ishte i qetë, shumë meliodioz, dhe asnjëherë me tone të larta. Ajo dinte të bënte komplimente dhe i bënte ato shpesh, kur i pëlqenin gjërat. Unë shpesh ndihesha në siklet nga fjalët e saj “je veshur bukur”, “sa bukur të rri fustani”, “madama, molto belo”, etj. Veçanërisht kur shkoja në punë, pra ishin të përditshme. Një ditë i thashë: – Engjëllushe ndihem në siklet kur më bën komplimente. Ajo u përgjigj:- Unë i them shumë natyrshëm për gjërat që më pëlqejnë, të cilën unë e vërtetova në vite. Kur në veshjen time i pëlqente fustani dhe jo sandalet, ajo bënte komplimentin dhe jo vërejtjen, që të bënte të ndiheshe mirë gjithë ditën. Por këtë mënyrë komunikimi ajo e kishte me të gjithë të rrethit familjar dhe shoqëror. Një respekt të madh ajo kishte për prindërit e mi shumë punëtor dhe në veçanti për nënën time të dashur Manushaqe. Ato ishin me orgjinë nga e njëjta zonë e bregdetit të jugut nga fshati Borsh Sarandë dhe shumë kujtime të trashëgimisë familjare i diskutonin me shumë nostalgji.
Shprehje të Engjëllushes që unë kujtoj shpesh:
“Një femër , veçanërisht e shkurtër dy gjëra duhet ti ketë kujdes, flokët e rregullt dhe këpucët me taka”
“Femra e kulturuar duket tek paraqitja dhe sjellja, por më shumë tek komunikimi, në fjalorin e saj disa shprehje në gjuhë të huaj i rritin vlerat”
“Burri është pasqyra e gruas, paraqitja e tij tregon kujdesin e gruas ndaj tij për veshjen dhe ushqimin”
“Jeta provon gjithçka por e padrejte”; “Gjithçka të kishte në jetë por pleqëri jo”; Skam ë keq të jesh rritur me gjithë të mirat dhe pastaj të jetosh në të keq”
“Portokalli në mëngjes flori, në drekë argjend, në darkë flori”
Ky libër me kujtime u promovua në një cermoni të organizuar me familjar, miq, koleg, deputetë në Akademinë e Shkencave para 10 vitesh me kontributin e çmuar dhe prezencën e moderatorit, redaktorit të librit z.Albert Zholi, i cili punoj me shumë përkushtim për këtë libër që përcjell shumë emocione familjare.
Në promovimin e librit na nderuan me pjesëmarrjen e tyre; Z.Gramoz Ruçi, ish koleg të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shteteit, koleg të Ministrisë së Pushtetit Lokal,Bashkise Tirane, miq, familjar, koleg dhe shoqe të çmuara në vite si Sadi, Tana, Ana, Majlinda, Luljeta, familjar Teze bardha, Eva, Vjollca me bashkëshortin Petritin etj. Për emocionet dhe ngjarjet e librit pas prezantimit nga z.Zholi u lexuan pjesë të librit nga Earda, u shprehën emocionet nga motra ime Vjollca, Koleget dhe miket e mia Tatjana dhe Shqipja, teze Bardha, koleg shkrimtar etj. Ky libër bart shumë emocione dhe kujtime dhe vjen si mesazh për një jetë të ndershme dhe të bukur tonën dhe të fëmijëve tanë dhe si përkujtimore për prindërit e bashkëshortit Benit çdo stinë vere. Mesazhi përkujtimor është jetojeni jetën bukur të mbeteni në zemrat e njerëzve plot dashuri.