Akademik Anastas Angjeli
Samiti i G7 zhvilloi punimet gjatë 3 ditëve të shkuara në Gjermani, në një periudhë ngjarjesh dhe zhvillimesh shumë të rëndësishme në nivel global. Lufta që po vazhdon për më shumë se 4 muaj ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka shkaktuar një zinxhir krizash të njëpasnjëshme me impakt ekonomik, politik, social dhe humanitar. Nëpërmjet takimeve të tilla, si forumi i vendeve të G7, synohet më shumë se kurrë, koordinimi i politikave të vendeve më të zhvilluara me qëllim përballjen sa më efektive dhe të përbashkët të sfidave të kohës. Liderët e G7, me qëllim intensifikimin e presionit ndaj Moskës, në përgjigje të pushtimit të saj në Ukrainë, njoftuan që në ditën e parë të samitit të tyre në Gjermani, synimin e tyre për të ndaluar importet e arit rus, i cili do të ndërpritet nga tregu kryesor i Londrës. Kjo gjë tregoi edhe tempin që do kishin punimet tre ditore të samitit, të cilat pavarësisht tematikave të gjithanshme që samite të tilla kanë fokusin kryesor e vendosën në çështjen e Ukrainës.
“Së bashku, G7 do të shpallë se ne do të ndalojmë arin rus, një burim kryesor i eksporteve, i cili do ta privojë Rusinë nga miliarda dollarë,” -tha Presidenti i SHBA Joe Biden në një mesazh në Tëitter përpara fillimit të Samitit. Britania, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Japonia njoftuan në vazhdim vendosjen e një embargoje ndaj importeve të arit të eksportuar së fundmi në Rusi, pa u fokusuar në atë që tashmë është shitur. “Këto masa do të godasin drejtpërdrejt oligarkët rusë dhe do të sulmojnë zemrën e makinës luftarake të Putinit. Putini po harxhon burimet e tij në këtë luftë të padobishme dhe barbare. Ai po ushqen egon e tij në dëm të popullit ukrainas dhe rus,” tha kryeministri britanik Boris Johnson në një deklaratë gjatë ditëve të Samitit.
Pra, mbështetja e palëkundur për Ukrainën ishte edhe fokusi qëndror i Samitit. Në deklaratën në lidhje me mbështetjen për Ukrainën liderët e G7 u shprehën: “Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Ukrainën që të ruajë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, të mbrojë veten dhe të zgjedhë të ardhmen e saj. I takon Ukrainës të vendosë për një zgjidhje të ardhshme paqeje, pa presion ose ndikim të jashtëm. Ne do të vazhdojmë të koordinojmë përpjekjet për të përmbushur kërkesat urgjente të Ukrainës për pajisje ushtarake dhe mbrojtëse. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të koordinojmë për t’i siguruar Ukrainës materiale, trajnime dhe logjistike, inteligjencë për të ndërtuar forcat e saj të armatosura.”
Një aspekt tjetër i mbështetjes për Ukrainën, përveçse asaj politike, konkretizohet edhe në mbështetje financiare. Mbështetja financiare nga G7 në vitin 2022 arrin në më shumë se 2.6 miliardë euro ndihmë humanitare dhe në rreth 28 miliardë euro ndihmë buxhetore, ndihmë, e cila është dhënë dhe pritet të jepet në muajt në vazhdim.
Njëhershi, liderët e G7 janë të përkushtuar fuqishëm për të mbështetur rindërtimin e Ukrainës, të shkatërruar nga bombardimet e luftës, nëpërmjet një plani dhe konference ndërkombëtare rindërtimi.
Një drejtim tjetër i deritanishëm dhe në vazhdimësi i strategjisë së ndihmës konkrete që perëndimi i ka ofruar Ukrainës në lidhje me këtë luftë që është në zhvillim e sipër (përveç ndihmës financiare) kanë qenë dhe mbetet edhe zbatimi i sanksioneve ndaj Rusisë. Duke qenë se një përballje ushtarake e NATO me Rusinë është diçka jo vetëm e padëshiruar, por që do të kishte pasoja katastrofike për të gjithë njerëzimin, sanksionet e imponuara ndaj Rusisë kanë qenë mënyra e zgjedhur për t’u përballur me të. Dhe siç ishte paralajmëruar edhe nga deklaratat e liderëve kryesorë përpara dhe gjatë samitit, G7 u shfaq e palëkundur në angazhimin ndaj masave të paprecedentë të sanksioneve të koordinuara ndaj Rusisë. Qëllimi është për të mbajtur dhe për të intensifikuar presionin ndërkombëtar ekonomik dhe politik mbi Rusinë duke e privuar atë nga mjetet ekonomike për të vazhduar, luftën kundër Ukrainës. Në deklaratën përfundimtare në lidhje me mbështetjen ndaj Ukrainës, thuhet “Ne do të vazhdojmë të eksplorojmë mënyra të reja për të izoluar Rusinë nga pjesëmarrja në tregun global. Ne jemi të vendosur të reduktojmë uljen e të ardhurave të Rusisë, duke përfshirë edhe ato nga ari. Ne do të reduktojmë më tej të ardhurat e Rusisë nga eksporti duke ndërmarrë hapat e duhur për të reduktuar më tej varësinë nga energjia ruse. Ne do të vazhdojmë të koordinojmë masat tarifore për importet nga Rusia dhe të eksplorojmë shtigjet e mundshme në përputhje me legjislacionin tonë përkatës për të përdorur të ardhurat për të ndihmuar Ukrainën aty ku është e aplikueshme. Ne do të rreshtojmë dhe zgjerojmë sanksionet e synuara për të kufizuar më tej aksesin e Rusisë në inputet kryesore industriale, shërbimet dhe teknologjitë e prodhuara nga ekonomitë tona, veçanërisht ato që mbështesin bazën industriale të armatimit dhe sektorin teknologjik të Rusisë.”
Një fokus i veçantë ju kushtua edhe krizës humanitare të shkaktuar nga lufta. Është fakt që lufta në Ukrainë ka shkaktuar vuajtje të pamatshme njerëzore dhe humbje jetësh. Evropa po përballet me zhvendosjen më të madhe të civilëve që nga Lufta e Dytë Botërore. G7 ka ofruar deri tani më shumë se 2.8 miliardë dollarë ndihmë humanitare ndaj Ukrainës duke kontribuar në mënyrë thelbësore në nevojat immediate, të cilat të shpërngulurit e luftës kanë. Në deklaratën përfundimtare liderët shprehën angazhimin e tyre përbashkët për të vazhduar dhënien e mbështetjes thelbësore dhe të vazhdueshme humanitare për ata që janë prekur nga lufta. “Ne riafirmojmë vendosmërinë tonë për të mbrojtur dhe mbështetur personat dhe refugjatët e zhvendosur me forcë, dhe për t’u ofruar ndihmë vendeve pritëse. Ne përshëndesim solidaritetin dhe përpjekjet e të gjitha vendeve që mbështesin Ukrainën me pritjen e mesme të refugjatëve që ikin nga zonat e luftimit. Ne do të rrisim mbështetjen tonë nëpërmjet ofrimit të ndihmës afatshkurtër, si dhe forcimit të aksesit në një sërë shërbimesh mbështetëse për ata të zhvendosur dhe të prekur si në Ukrainë ashtu edhe në vendet e tjera pritëse.”
Një nga efektet më tragjike të luftës në Ukrainë është padyshim edhe kriza ushqimore. Lufta ka ndërprerë zinxhirin global të furnizimeve dhe skenaret në lidhje me muajt në vazhdim nuk janë nga më optimistët. Rajonë të tëra (sidomos ato më të varfrat) kërcënohen në mënyrë të paprecedente nga kjo krizë. Për këtë arsye një pjesë e rëndësishme e bisedimeve të Samitit ju kushtua edhe masave që duhet të merren për të përballuar këtë situatë. G7 lajmëroi shtimin e fondeve për të mbrojtur rajonet më vulnerabël nga kriza ushqimore, me rreth 4.5 miliardë dollar. Gjithashtu ju bë thirrje Rusisë që të ndalojë në mënyrë urgjente bllokadën e vendosur ndaj porteve të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar ndikimin ekonomik të krizës së pandemisë COVID-19 dhe ka penguar rimëkëmbjen që filloi në gjysmën e dytë të 2021. Efektet fatkeqësisht po ndihen thuajse në të gjitha vendet duke ulur rritjen ekonomike, duke shkaktuar rritje të konsiderueshme në çmimet e mallrave, energjisë dhe ushqimeve, dhe në këtë mënyrë duke e cuar inflacionin në nivele të papara për dekada jo vetëm për vendet e G7 por thuajse për të gjithë pjesën tjetër të globit. Liderët e G7 në deklaratën përfundimtare të punimeve të Smitit deklaruan se : Mbetemi të përkushtuar ndaj koordinimit të vazhdueshëm për të minimizuar ndikimin e luftës në nivel global, si dhe në ekonomitë dhe popullsinë tonë, duke përfshirë edhe dhënien e mbështetjes së synuar mirë, aty ku është e nevojshme.”
Përballja me ndikimet negative që lufta ka sjellë në ekonominë globale është një nga sfidat më emergjente, sfidë e cila kërkon një koordinim politikash në nivel global, por edhe masa konkrete, që duhen marrë nga qeveritë me qëllim mbrojtjen e shtresave më vulnerabile si edhe rifutjen e ekonomisë në shinat e zhvillimit. Kuptohet që kjo kërkon kohë dhe për momentin përfundimi i luftës është edhe synimi kryesor, por megjithatë uniteti dhe vendosmëria e treguar në nivelin e politikës së lartë (siç është ky samit) duhet patjetër që të shoqërohet edhe me një vendosmëri në nivel shtetesh dhe me masa sa më efikase që qeveritë duhet të marrin.