Belgjika, kjo mbretëri e vogël, në veriperëndim të Evropës, me popullsi prej diçka më shumë se 11 milionë banorë, është kthyer në vitet e fundit në arenën e preferuar të përgjakshme të bandave shqiptare.
Banda që zënë fill në aktivitetin e tyre kriminal në Shqipërinë e viteve ‘90, por që me sofistikimin filluan ta shtrijnë aktivitetin e tyre në vendet e Evropës.
Midis tyre edhe në vendin e vogël, në brigjet e Detit të Veriut, e njohur për afërsinë e saj me disa nga portet më të rëndësishme të hyrjes së drogës në Evropë, siç është porti i Antwerpit (Antuerpit) në territorin belg, apo ai i Roterdamit në Holandë.
Ku influenca në trafikun e drogës është shoqëruar ndjeshëm me shumë të vrarë dhe të plagosur midis shqiptarësh. “Viktima” e fundit e breshërive të plumbave në Belgjikë është shqiptari Erion Hasanbelli.
Ai u qëllua pas shpine me 6 plumba, mesditën e 11 qershorit 2022, ndërsa po qëndronte përballë një hoteli në bulevardin “Adolphe Maxlaan” (Adolf Maxlan) që ndodhet në qendër të Brukselit.
Pamje tronditën edhe qytetarët e pranishëm në vendngjarje, të pamësuar me skena të tilla kaq të hapura dhune.
Recepsionisti i hotelit
“Nuk e kemi idenë se kush është viktima. Por kamera e sigurisë së hotelit ka filmuar gjithçka. Kolegu im ishte ai që pa atë që ndodhi dhe është në shok”.
Për fatin e tij të mirë, Erion Hasanbelli ia hodhi paq edhe këtë herë breshërisë së plumbave.
Ai u nënshtrua menjëherë operacionit në një nga spitalet e Brukselit dhe ja doli të mbijetonte pavarësisht se plagët që mori ishin të rënda.
Martin Francois, Zëdhënës i Prokurorisë Bruksel
“Ai u godit nga 6 plumba në shpinë dhe në të pasme. U operua menjëherë por është në rrezik për jetën”.
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, autorët ishin dy persona, ku njëri sipas tyre qëlloi disa herë papritmas ndaj objektivit të tyre, duke zgjedhur më pas të ikë nga një rrugë anësore në krahun e majtë të hotelit.
Sipas përshkrimit të bërë nga një grua dëshmitare gjatë krimit, burri që qëlloi ishte pa flokë dhe trupmadh.
Vetëm tri ditë pas këtij atentati, në orët e para të mëngjesit, policia e Vjenës ndaloi në lagjen Donaustadt (Donastad), shqiptarin Kasandër Noga, i cili po bëhej gati të kthehej në Shqipëri me fluturimin e radhës. Fluturimi u vonua enkas në Aeroportin e Vjenës nga autoritetet vendore policore, për të mos i dhënë asnjë mundësi Nogës për t’u arratisur.
Autoritetet austriake, kishin gati për të një urdhër arresti ndërkombëtar për ekzekutim të lëshuar nga kolegët belgë, të cilët e kishin shpallur në kërkim pikërisht për plagosjen më 11 qershor 2022 të Erion Hasanbellit.
Kasandër Noga, një emër shumë i përfolur në botën e krimit disa vite me parë, nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit, madje shprehu habinë e tij në momentin kur policia vjeneze i mësyu në banesë, pak minuta para se ai ta linte atë për t’iu drejtuar Shqipërisë.
Por cilat ishin përplasjet midis Kasandër Nogës dhe Erion Hasanbellit, që përfunduan në krisma të shumta plumbash drejt këtij të fundit?
Kush janë këta dy personazhe dhe çfarë sinjifikojnë emrat e tyre në botën e krimit?
Përse Belgjika është kthyer në batare plumbash për ta dhe shumë shqiptarë të tjerë?
Për të mësuar se përse këto dy personazhe iu drejtuan me gjuhën e armëve njëri-tjetrit, është me interes të kthejmë sytë nga e shkuara dhe e tashmja e tyre kriminale.
Sipas dinamikës së ngjarjeve përplasja e tyre e parë e madhe do të datonte në vitin 2000, në atë që njihet si “Masakra e Sanatoriumit”.
Aty, ku në dhomën e një spitali fillon edhe përgjakja e betuar deri në vdekje midis dy rivalëve.
Më 19 gusht të vitit 2000 rreth orës 16.00 Kasandër Noga dhe Julian Çela, u futën me automatik në duar në spitalin e Sanatoriumit në Tiranë dhe pasi u hoqën serumet nga krahët, vranë mizorisht Aqif Hasanbellin, babain e Erion dhe Geron Hasanbellit dhe Dritan Hajdinin, shokun e Geronit. Si edhe lanë të plagosur, Agron e Gentian Hasanbellin dhe Lavdosh Karaj.
Ngjarje e rëndë e cila vinte dy javë pasi në Patos, Kasandër Noga ishte konfiktuar me Gentianit, vëllain e Erion dhe Geron Hasanbellit, por që do të ishte edhe sipari i një hakmarrje të gjatë dhe të pambarimtë tashmë midis Kasandër Nogës në njërin krah dhe vëllezërve Hasanbelli në krahun tjetër, të cilët tashmë betimin për t’u hakmarrë do ta zhvendosnin nga Tirana në Belgjikë.
Më herët, Kasandër Noga, dyshohet se kishte kryer edhe dy vrasje të tjera.
Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, ai rezulton që me datë 20 mars 1999, qëlloi për vdekje me pistoletën e tij, tek vendi i quajtur “Gjashtëkëndëshi” në Patos, Edison Meminajn. Këtë të fundit e qëlloi me 3 plumba, pasi iu tha shokëve të tij, se “unë këtë njeri e urrej dhe do ta vras”.
Të nesërmen, pasi kreu krimin, ai kërcënoi miqtë, duke iu thënë që nëse flisnin për ngjarjen, do t’i vriste dhe ata.
Sipas dosjes gjyqësore, rezulton se më herët, më 20 shkurt 1999, ai dyshohet të ketë qëlluar për vdekje Kastriot Gropën, teksa ky i fundit po udhëtonte me mikun e tij, Edmir H., me një makinë tip “BMW” në qytetin e Patosit.
Viktima Kastriot Gropa, ndodhej i ulur në sediljen e pasagjerit dhe në momentin kur automjeti është ndaluar në afërsi të stacionit të autobusëve, aty është afruar një person me xhiboks në kokë dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të viktimës.
Dyshimet ranë mbi Kasandër Nogën, pasi sipas një akti ekspertimi balistik, rezultoi se gëzhojat e gjetura në vendin ku u vra Edison Meminaj, ishte qitur nga e njëjta armë me të cilën ishte qëlluar edhe Kastriot Gropa.
Po, ndërsa kishte këtë sfond të theksuar kriminal mbi supe, Kasandër Noga, vijonte të jetonte i lirë, përderisa në vitin 2000 mori armën dhe shkaktoi masakrën e Sanatoriumit.
Në dosjen gjyqësore thuhet se Kasandër Noga dhe Julian Çela se vepruan për hakmarrje.
Sipas të dhënave Erioni emigroi që herët në Itali dhe jetonte e punonte në shtetin fqinj. Në një prej ditëve, ai komunikon me një mikun e tij, Mariglen Hodaj, që jetonte në Itali dhe i jep një shumë parash që t’ia dërgonte babait të tij, Aqifit në Patos.
Por, duket se Marigleni nuk i dorëzoi paratë, ndaj për këtë arsye nisi një konflikt mes tij dhe Erionit.
Më 4 gusht 2000, në qytetin e Patosit vritet Mariglen Hodaj, vrasje që mendohet se ishte kryer nga Erion Hasanbelli, djali i viktimës Aqif Hasanbelli. Në këtë ngjarje, mbeti i plagosur djali tjetër i familjes, Hasanbelli, Geroni.
Ky i fundit pasi mori mjekimet e para ne spitalin e Fierit, për efekt sigurie u transferua në spitalin e Sanatoriumit, ku u regjistrua me një emër të rremë. Këtu hyn në lojë Kasandër Noga.
Bashkë me Julian Çela, ai vendos të hakmerret për vrasjen e shokut të tij dhe vihet në kërkim të vëllezërve Hasanbelli. Duke studiuar lëvizjet e të afërmve të tyre, ata mbërritën në Sanatorium dhe shkaktuan masakrën me dy të vrarë dhe tre të plagosur.
Kasandër Noga tha asokohe ne gjykatë se kishte pasur si qëllim të vriste vetëm Geron Hasanbellin, por kur hyri në dhomën nr.11 të spitalit para tij u shfaqën persona të tjerë, ndaj të cilëve ai dhe miku i tij, Juliani nuk hezituan të qëllonin mbi ta.
Kështu nisi dhe përplasja mes Nogës dhe vëllezërve Hasanbelli, hakmarrja e të cilëve nuk do të vononte.
Më 17 mars 2002, sipas dosjes gjyqësore ata u gjendën përballë lokalit ‘Pre-Historie’ (Pre Histori) në qytetin e Antwerpit (Antuerpit) në Belgjikë aty ku Julian Çela dhe Kasandër Noga po konsumonin një kafe së bashku.
Sipas dëshmive të kohës, në orën 17:15 minuta të kësaj dite, Erion Hasanbelli dhe vëllai i tij Geroni, u futën në brendësi të lokalit dhe qëlluan pa mëshirë mbi tavolinën ku ndodheshin të ulur dy armiqtë e tyre, ku lanë të vrarë Julian Çelën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën.
Elena B., kameriere e lokalit
“Rreth orës 17:00 dy persona kanë hyrë në lokal dhe porositën një kafe dhe një çaj. Pas rreth 20 minuta kanë hyrë në lokal dy persona të tjerë dhe porositën çaj me qumësht dhe u ulën në të njëjtin vend ku ishin ulur dy personat që u kishte shërbyer më parë të cilët ishin ngritur nga tavolina. Papritur dy personat që u kishte shërbyer herën e parë, duke ardhur nga WC-ja u sulën mbi dy personat e ulur pranë dritares.
Ndërsa ishte duke vrapuar, një prej tyre qëlloi mbi këta dy persona rreth 5 herë. Pastaj të dy u larguan ne drejtim të ‘Sint- Gummarusstraat’.
Personi që qëlloi kishte veshur një rrobë të verdhë të modelit ‘Milet’. Ishte rreth 1 metër e 85 cm i gjatë, flokë të zeza, fytyrë të rrumbullakët.
Personi tjetër ishte rreth 1 metër e 75 cm i gjatë, kishte veshur një xhaketë lëkure të zezë me flokë të zeza me fytyrë të parruar.
Të dy ishin rreth 25 vjeç dhe flisnin një gjuhë të panjohur për mua, them se ishte shqip”.
Dy ditë më vonë, kamerieres së lokalit ku ndodhi krimi tronditës, iu vunë përpara fotot e gjashtë të dyshuarve. Ajo drejtoi gishtin tek numri 4.
Elena B., kameriere e lokalit
“Unë mund të them 100 % e sigurt se numri 4 është ai që qëlloi. Ishte ai që bëri pagesën.
Dy kriminelëve u shërbeu pronari i kafes por personi i fotos 4 erdhi tek unë dhe më bëri pagesën. Dhe unë mendoj se personi i fotos 4 i ngjan atij. Kriminelin e dytë nuk e kam parë mirë, por di se ishte pak ezmer”.
Sipas dosjes belge, Kasandër Noga i pyetur menjëherë pas ngjarjes, njohu në fotografi vetëm shtetasin Erion Hasanbelli, duke thënë se me 99% ai është personi që e ka qëlluar.
Hetuesit e ripyetën në nëntor të 2002, por ai ndryshoi qëndrim dhe mohoi të njihte personin që e kishte qëlluar dhe atë që e shoqëronte.
Disa vite më vonë, në korrik të 2008, Kasandër Noga foli për hetuesit teksa vuante dënimin e përjetshëm për masakrën e Sanatoriumit, dënim që do ta rrëzonte më vonë dhe dha një tjetër version për ngjarjen e ndodhur në lokalin “Pre Historie”, (Pre Histori) në Antwerp.
Kasandër Noga
“Unë dhe Julian Çelaj kishim folur me të pandehurit ne telefon për t’u pajtuar lidhur me hasmërinë që kishim më përpara si pasojë e vrasjes së babait të tyre.
E lamë për t’u takuar me të në bar “Pre Historie”. Porositëm diçka për të pirë dhe pritëm ulur në tavolinë rreth 20 minuta. Kemi parë që jashtë lokalit po vinte për të hyrë brenda në lokal Geron Hasanbelli, me telefon në vesh duke folur.
Kur ky shtetas ka qenë rreth 3 metër pa hyrë në lokal, nga krahu i kundërt i lokalit ka dalë shtetasi Erion Hasanbelli duke qëlluar drejt nesh me armë zjarri. Unë kam marrë një plumb në bark dhe jam palosur me fytyrë nga xhami i lokalit.
Në këtë moment kam parë dhe dëgjuar Geron Hasanbellin që erdhi tek dera e lokalit dhe kapi Erionin nga krahu i majtë duke i thënë ‘Hajde ikim se i vramë’, dhe i kam parë nga xhami duke u larguar”.
Gjatë këtij episodi të përgjakshëm, Kasandër Noga, thuhet se u përplas me armë edhe me policinë belge, gjë e cila vërtetohet edhe në dosjen shqiptare të tij të gjykimit, pas ekstradimit në Shqipëri.
Dosje nga ku del edhe një vrasje e kryer më 25 gusht 2001, po në qytetin Antwerp (Antuerp) të Belgjikës, ku i dyshuar ishte sërish Kasandër Noga, ku thuhet se tashmë shqiptari problematik që ishte zhvendosur në Belgjikë pas vrasjes së kryer në Tiranë, qëlloi për vdekje këtë herë ndaj shqiptarit, Astrit Shpërdheja.
Sipas mediave belge të kohës, 37-vjeçari shqiptar, u qëllua në mes të ditës në Saint Jansplein (Sënt Zhasplin) në Antwerp (Antuerp), nga një person që ngiste një biçikletë tip “BMX”.
Dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje thuhet se ishin dy 12-vjeçarë që po qëndronin në derën e një godine.
Dosja gjyqësore
“I dënuari Kasandër Noga alias Kosuta Michal është arrestuar në Antwerp të Belgjikës më datë 17 mars 2002, pas një shkëmbimi me armë zjarri me policinë ku mbeti i vrarë një shtetas tjetër shqiptar dhe u plagos rëndë vetë Kasandër Noga”.
Por në vitin 2005, gjykata belge e pabindur nga provat, e shpalli të pafajshëm Kasandër Nogën.
Dosja gjyqësore
“I dënuari ishte nën hetim në shtetin belg për vrasjen e shtetasit shqiptar Astrit Shpërdheja, e kryer po në shtetin belg më datë 25 gusht 2001.
Mbi këtë bazë më datë 25 Mars 2002 është vendosur arrestimi i tij për shkak të falsifikimit të dokumenteve, me të cilat ky shtetas qëndronte në Belgjikë, ndërsa më datë 28 mars 2002 është vendosur arrestimi i tij në funksion të hetimeve për vrasjen e kryer në shtetin belg më datë 25 gusht 2001 të Astrit Shpërdhejas dhe të shkëmbimit të zjarrit me policinë belge më datë 17 mars 2002.
Nga data 17 mars 2002, deri më datë 25 mars 2002 i dënuari ka qëndruar në spital për shkak të plagosjes së tij nga forcat e policisë.
Në datë 11 qershor 2002, Kasandër Noga është deklaruar fajtor për falsifikimin e dokumenteve dhe është dënuar me 6 muaj burgim, ku gjysma e dënimit prej 3 muajsh u pezullua.
Nga data 17 mars 2005 deri më datë 16 maj 2005, Kasandër Noga, është mbajtur i arrestuar për shkak të kërkesës për ekstradimin e tij në Shqipëri që është realizuar më datë 16 maj 2005”.
Por kur dukej se mëria ishte bjerrë dhe armiqtë e vjetër kishin rënë në qetësi, në fakt hakmarrja e tyre flinte si prushi në mangall dhe do të zgjohej shumë vite më vonë edhe më e dhunshme.
Pasi Kasandër Noga u ekstradua në Shqipëri në vitin 2005, Erion Hasanbelli vazhdonte të bënte jetën e tij në Belgjikë.
Por ndërkohë që Erion Hasanbelli vazhdonte të ishte i lirë në Belgjikë dhe nuk ishte sjellë ende me pranga në Shqipëri, Kasandër Noga që tashmë ishte ekstraduar kishte nisur betejën e tij për t’i shpëtuar dënimit maksimal që ishte dhënë në mungesë për të, për vrasjen e dyfishtë që kishte kryer në Sanatorium ndaj babait dhe mikut të Erion Hasanbellit, synim të cilin ai e arriti shpejt.
Menjëherë pas ekstradimit në Shqipëri në vitin 2005 ai fillimisht ia doli t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm që drejtësia shqiptare i kishte dhënë në mungesë për vrasjen e kryer ne Sanatorium të Aqif Hysenbellit dhe Dritan Hajdinit, dhe të pranonte një gjykim të shkurtuar që e dënonte me 25 vite burgim.
Por sigurisht që Kasandër Noga nuk kishte pranuar të ekstradohej në Shqipëri për të vuajtur një dënim të tillë.
Me qetësi, vendim pas vendimi, teksa lirimi pritej të ishte çështje kohe për të, Kasandër Noga duket se i kishte akoma të freskëta plagët e hakmarrjes.
Ai duket se po bluante nga hekurat e qelisë hakmarrjen e radhës ndaj Hasanbellit.
Ndërsa nga ana tjetër, planifikonte me detaje lirimin nga qelia, që nuk do të vononte shumë, pasi ndonëse kishte mbi supe dy dënime të rënda me nga 25 vite secili, ai arriti ta shihte veten në lirë.
Por hakmarrja e tij vonoi dhe duket se u shty në kohë pasi më 21 tetor 2013, Erion Hasanbelli u ekstradua nga Belgjika në Shqipëri.
Ndërkohë që vëllai i tij Geroni ishte vënë në pranga, vetëm disa muaj më parë, më 14 qershor 2013, pranë rrugës së Barrikadave në Tiranë.
Ekstradimi i Erion Hasanbellit erdhi pasi Gjykata e Fierit e kishte dënuar më 7 shtator 2009, me 25 vite heqje lirie me akuzat për “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje, e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë”.
Ndërsa vëllai i tij, Geroni u shpall i pafajshëm, pasi nuk u provua se i pandehuri e kishte kryer veprën penale.
Saga e përballjes së tyre me drejtësinë, do të ishte e gjatë, çka duket se i dha mjaftueshëm kohë Kasandër Nogës të planifikonte goditjen e radhës.
Kështu, në vitin 2012, Gjykata e Apelit Vlorë, e la në fuqi vendimin e shkallës së parë për Erion Hasanbellin.
Ndërsa vëllain e tij, Geronin e dënoi me 21 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ai do të vuante 14 të tilla.
Tri vite me vonë, Gjykata e Lartë vendosi ta kthente çështjen për rigjykim në gjykatën e Apelit të Vlorës, për shkak se gjeti shkelje procedurale.
Pas rigjykimit, Apeli me vendimin nr.6 të vitit 2017 e shpalli të pafajshëm Geron Hasanbelli, ndërsa për të pandehurin Erion Hasanbelli vendosi pushimin e çështjes penale.
Ky vendim i nxori përfundimisht në liri vëllezërit dhe i hapi rrugën rikthimit të Erion Hasanbellit në Belgjikë, aty ku e priste Kasandër Noga, që kishte thurur planin kriminal të radhës, i cili më 11 qershor 2022 thuhet se e qëlloi pas shpine, por pa ia dalë ta vriste.
Plumba që u lëshuan pikërisht 4 muaj pasi Gjykata e Lartë vendosi më 17 mars 2022 ta kthente për të dytën herë për rigjykim dosjen penale ndaj vëllezërve Erion e Geron Hasanbelli për krimin tronditës që dyshohet se kishin kryer në Belgjikë plot 20 vite më parë.BW