Pasi të lexoni këtë, s’do e shihni më ankthin si
PHOTO CREDITS: THE 19TH NEWS
Përpara pandemisë së Covid-19, Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor në SHBA vlerësoi se gati një e treta e të rriturve amerikanë përjetuan një çrregullim ankthi në një moment të jetës së tyre. Ajo që është edhe më shqetësuese është fakti se fëmijët “normalë” të shëndetshëm, duket se kanë nivele më të larta ankthi sesa pacientë të shtruar në psikiatri nga mesi i viteve 1950.
Pse ka kaq ankth sot?
Ne e kemi kthyer ankthin në diçka për t’u frikësuar. Kur ndihemi në ankth, menjëherë përpiqemi të çlirojmë veten nga mendimet dhe ndjesitë e pakëndshme. Megjithatë, duke e bërë këtë, ne i krijojmë vetes më shumë ankth.
Po sikur të propozojmë një qasje alternative: Ta interpretojmë ankthin jo si diçka “për t’u kapërcyer”, por si diçka që mund ta përmirësojë potencialisht jetën tonë. Ankthi mund të na bëjë më të suksesshëm dhe të rrisë kapacitetin tonë për lidhje emocionale.
Ju mund ta mendoni ankthin edhe si një alarm tymi. Nëse alarmi bie sepse keni lënë sobën ndezur nën një tigan, pasi keni mbaruar gatimin, kjo nuk është gjë e keqe. Alarmi na lajmëron se kemi një problem t’u përballur dhe për sa kohë që ia vëmë veshin zhurmës së atij alarmi, dhe marrim masat e duhura, mund të jemi krejtësisht mirë.
Megjithatë, nëse reagojmë tepër ndaj alarmit, mund të krijojmë një situatë të keqe nga një situatë potencialisht pozitive. Më keq akoma, nëse e shkëputim alarmin sepse zhurma e vazhdueshme është shqetësuese, mund të përfundojmë duke djegur shtëpinë.
Për më tepër, ankthi mund të jetë një tregues i inteligjencës më të lartë. Ekziston një grup kërkimesh në rritje që sugjeron se individët me çrregullime ankthi kanë rezultate më të larta të IQ sesa njerëzit “e shëndetshëm”.
“Përvoja ime klinike tregon se pacientët me nivele të larta ankthi janë shpesh më të ndërgjegjshëm dhe kanë një ndjenjë më të fortë se kanë ardhur në tokë për të bërë gjëra të mëdha. Unë besoj se kjo është për shkak se ankthi mund të shfrytëzohet për të krijuar vetëdije më të madhe për veten dhe ndërgjegjësim më të madh për nevojat e njerëzve të tjerë”, shprehet David Rosmarin, terapist.
Prandaj nuk është çudi që disa nga njerëzit më të suksesshëm në histori kanë pasur ankth të konsiderueshëm. Mark Twain, për shembull, dihet se ka luftuar fuqishëm me shëndetin e tij mendor, duke përfshirë përjetimin e simptomave të ankthit, veçanërisht gjatë pjesës së fundit të jetës së tij.
Për artistët modernë, ka ndodhur e njëjta gjë. Dick Cavett, dikur një drejtues kryesor në talk show, i është nënshtruar terapisë për ankth dhe depresion. Aktori komik Jim Carrey gjithashtu ka pranuar se ka vuajtur nga ankthi dhe depresioni dhe se ka marrë Prozac për vite me radhë (edhe pse e ndaloi sepse nuk e ndihmoi). Shumë yje të popit gjithashtu kanë pranuar se kanë vuajtur nga ankthi intensiv, sulmet e panikut dhe depresioni klinik, nga Selena Gomez dhe Adele tek Lady Gaga dhe Bruce Springsteen.
Përtej suksesit dhe përmirësimit të performancës, ankthi mund të përmirësojë gjithashtu marrëdhëniet tona me veten dhe të tjerët. Kur e dëgjojmë ankthin në vend që ta mbyllim atë ose të fokusohemi diku tjetër për ta hequr qafe, ne kemi më shumë gjasa të kuptojmë veten dhe të tjerët.
Në fakt, ankthi mund të përmirësojë edhe shëndetin tonë fizik: Kur kuptojmë dhe pranojmë se kemi ankth, ne mund të kthejmë sytë nga aktiviteti fizik, social, gjumi dhe ribalancimi i prioriteteve tona. Të gjitha këto mund të na ndryshojnë jetën.
Ankthi mund të na kujtojë gjithashtu nevojën për të qenë më të dhembshur me veten.
Kur bëhet fjalë për lidhjen me të tjerët, mund të shkojmë aq larg sa të themi se është potencialisht më e lehtë të zhvillohen marrëdhënie të mira dhe të dashura kur dikush është në ankth. Kjo ndodh sepse ankthi ofron mundësi për të qenë të pambrojtur dhe për ta ndarë frikën tonë të brendshme, duke u dhënë kështu të tjerëve një mundësi që të kujdesen për ne. Marrja e dashurisë është një komponent i domosdoshëm i çdo lidhjeje të ngushtë, kështu që kur heqim dorë nga nevoja për kontroll dhe pranojmë kujdesin dhe mbështetjen që të tjerët dëshirojnë të na japin, krijojmë më shumë dashuri për jetën tonë.Anabel