Nga Prof. Akademik Anastas Angjeli
Ekonomia e luftës” është një skenar që po diskutohet gjithmonë e më shumë në fakt këto javët e fundit. Ajo po merr më shumë kuptimin e vet, pasi një luftë ka shpërthyer vërtet këtë herë në zemër të Evropës. Një luftë e vërtetë, me gjithë pasojat e saj humanitare, ekonomike, sociale, energjetike, të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me drithëra e produkte ushqimore, me lëndë të para, me rritje të “çmenduara” të çmimeve dhe rritje të inflacionit. Tregje të tronditura dhe në ridimensionime të reja etj. Dhe kjo është Lufta e Rusisë në Ukrainë, që po mbyll 120 ditë dhe që pasoi një luftë globale, e nisur prej gati dy vite e gjysmë, ajo kundër një “armiku te padukshëm”, Pandemia e Covid -19. Në këtë klimë politiko-ekonomiko globale ka lindur diskutimi i skenarëve të “ekonomisë së luftës”. Dhe kur ky nocion i kalon nivelet e eksperteve apo institucioneve dhe del nga “goja” e liderëve politikë, nuk mund të mos konsiderohet. Por çfarë kuptojmë me ekonomi të luftës?
KONCEPTI I “EKONOMISË SË LUFTËS”
“Ekonomia e luftës” janë veprimet e ndërmarra nga një shtet për të mobilizuar ekonominë e tij në prodhim gjatë periudhës së luftës. Philippe Le Billon e përshkruan “ekonominë e luftës” si më poshtë: “Sistemi i prodhimit, i mobilizimit dhe i shpërndarjes së burimeve për të mbështetur dhunën (luftën) është një ekonomi lufte”. Për sa i përket kërkesës agregate, ky koncept është lidhur me “kejnsianizmin ushtarak”, ku buxheti i mbrojtjes stabilizon ciklin ekonomik në kushtet kur ekonomia hyn në recesion.
Në aspektin e ofertës ekonomike, është vënë re se në disa periudha lufte, ka një përshpejtim të përparimit teknologjik (me synim luftën) që nuk mund të mos ndikojë në ekonominë e atij vendi, sidomos në fund të konfliktit. Por, ky parim vlen vetëm nëse ky vend nuk ka pasur shkatërrim masiv që sjell vetë lufta. Disa ekonomistë si Seymour Melman argumentojnë se shpërdorimi i burimeve në kurriz të kërkimit dhe zhvillimit teknologjik në fushën civile mund të jetë gjithashtu kundërproduktive dhe në kohë lufte ky fenomen negativ evitohet disi. Lufta përdoret në disa raste dhe si levë parandaluese kundër përkeqësimit të situatës së krizës (kur në vend janë shfaqur shenja të krizës), veçanërisht duke zgjeruar shërbimet dhe punësimin në sferën ushtarake. Në të njëjtën kohë, duke liruar burimet dhe duke zbatuar riorganizimin social dhe ekonomik kemi një riorientim të të gjitha politikave ekonomike të zhvillimit.
Le ta shohim pak problemin historikisht. Në mobilizim gjatë Luftës së Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan Bordin e Industrive të Luftës (WIB) për të ndihmuar prodhimin ushtarak. Organe të tjera qeveritare, si Administrata Federale e Karburantit, prezantuan kursime në kohë për furnizimin me qymyr dhe naftë, ndërsa Administrata e Ushqimit e Shteteve të Bashkuara inkurajoi prodhimin e drithit, “mobilizoi një frymë vetëflijimi dhe jo racionimi të detyrueshëm”, duke i bindur njerëzit të paguajnë taksa dhe të ruajnë ushqimin.
Po në Luftën e Parë Botërore, Gjermania pati mungesë në sektorin e bujqësisë, prandaj, me politika stimuluese që bëri të mundur nxitjen dhe krijimin e shumë bizneseve të fermerëve. Megjithatë, kërkesa për ushqim nga trupat në front ishte gjithashtu shumë e konsiderueshme dhe prodhimi nuk mjaftonte, autoritetet gjermane për këtë arsye patën vështirësi ekstreme në zgjidhjen e kërkesës për ushqim dhe futën racionimin dhe kontrollin e çmimeve. Pjesa e mbetur pa plotësuar u kompensua me shtetëzime ligjore të rezervave të vendeve të pushtuara.
Në Luftën e Dytë Botërore, SHBA u detyrua të hynte në një ekonomi lufte pas sulmit japonez në Pearl Harbor. Për këtë arsye, qeveria rriti taksat dhe emetoi para në formën e “bonove të luftës” për të mbuluar deficitin buxhetor, gjë kjo që do të sillte stimulimin e shpenzimeve ushtarake. “Institucionet tregtare si bankat blenë gjithashtu miliarda dollarë obligacione dhe letra të tjera me vlerë, duke mbajtur në portofolat e tyre më shumë se 24 miliardë dollarë në fund të luftës”. Dy të tretat e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë direkte apo indirekte u përfshinë nga përpjekjet e përgatitjes së luftës deri në vitin 1943. Kjo, edhe për faktin se këto politika krijuan kushte edhe për të ndihmuar aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nuk po flasim këtu për politikën amerikane pas luftës dhe Planin Marshall.
Lufta e Dytë Botërore filloi me faktin se nazizmi prezantoi një politikë të re riarmatimi në kundërshtim me Traktatin e Versajës. Rajhu i Tretë zbatoi një zgjerim ushtarak, duke rritur numrin e fabrikave ose transformonin e atyre ekzistuese në funksion të luftës. Kjo bëri të mundur uljen e papunësisë së krijuar pas Luftës së Parë Botërore. Si rezultat, borxhi publik u rrit përtej 40 miliardë Reichsmark. Pas përfundimit të luftës ndodhi, sipas Boldorf dhe Scherner, shpërthimi i ekonomisë franceze”. Kjo e dhënë mbështetet nga fakti se Franca siguronte me ekonominë e saj 11% të PBB-së së Gjermanisë naziste, gjatë periudhës së pushtimit, duke mbuluar buxhetin gjerman për pesë muaj. Gjatë pushtimit, qeveria franceze paguante Reichmark 20 milionë në ditë.
A PO SHKON SOT DREJT NJË “EKONOMIE TË LUFTËS” EKONOMIA EVROPIANE?
Pothuajse me siguri, asnjë qeveri evropiane nuk do t’u kërkojë qytetarëve të saj “të dorëzojnë arin”, por vetë vendet e BEsë po ndërmarrin një skemë ekonomike, që ngjason me të gjithë elementët e ekonomisë së luftës. Më konkretisht një nga tiparet e ekonomisë së luftës është “racionimi”. A po ndodh kjo në ekonominë europiane? Para së gjithash, Komisioni Europian që në shkurt kishte parashikuar për të zhvilluar një plan për racionimin e energjisë elektrike dhe gazit duke e vënë në zbatim atë për të gjitha vendet e BE-së. Arsyeja është e thjeshtë: nëse Rusia mbyll rubinetet, Europa nuk do të kishte më gaz të mjaftueshëm për nevojat saj. Do të duhet të kërkohet një zgjidhje kompromisi mes nevojës së familjeve për t’u ngrohur dhe asaj të bizneseve për të prodhuar. Në mes të dimrit, disa fabrika prodhuese në shtetet e Evropës Veriore u mbyllën nga qeveritë pikërisht për të kufizuar konsumin. Dimri po përfundon, por nevoja e energjisë jo. Dje, Gjermania shpalli “nivelin e dytë të alarmit për furnizimin me gaz”, duke iu kthyer termocentraleve me qymyr për të plotësuar disa nevoja (një goditje tjetër kjo edhe për ekonominë e gjelbër.
Kriza rrezikon të përfshijë asete të tjera. Në skenarin e paketës së fundit të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, Evropa mund të pezullojë plotësisht brenda një kohe të shkurtër importet e naftës ruse. Do t’i mungojë asaj karburanti dhe energjia elektrike? A do të gjeneronte kjo një racionim të konsumit, duke vështirësuar ata që udhëtojnë për punë? A mjaftojnë burimet alternative të energjisë që të zëvendësojnë këtë vakum të madh në energjinë europiane dhe botërore brenda një kohe të shkurtër?
Meqenëse gruri dhe plehrat kimike mbërrijnë gjithashtu nga Rusia dhe Ukraina, mbjelljet e ardhshme dhe të korrat e ardhshme do të jenë në rrezik. Në supermarkete në disa vende (lande të Gjermanisë) mund të lexojmë shenja që kufizojnë blerjen e ushqimit për çdo klient, por këto ishin ngjarje sporadike të një paniku fillestar.
Në përgjithësi, racionimi në luftë është për faktin se burrat thirren në armë dhe në fabrika e në fusha mungon shumë fuqi punëtore për prodhim, pa përmendur shkatërrimin infrastrukturor dhe varfërinë e shkaktuar nga bombardimet. Në rastin tonë, nëse NATO nuk ndërhyn në mbështetje të Ukrainës (do të ishte Lufta e Tretë Botërore), askush nuk do të thirret në front, por lëndët e para do të jenë të pakta dhe kjo do të detyrojë shumë kompani të pezullojnë ose kufizojnë prodhimin. Probleme mund të krijohen gjithashtu në uljen e kapaciteteve prodhuese të shumë fabrikave për shkak të mungesës apo rritjes së çmimeve të lëndëve të para.
Shumë ekonomistë në konceptin e racionimit fusin edhe vendosjen e tavanit të çmimeve, gjë kjo që mund të konsiderohet si një kufizim sasior dhe ndërhyrje në treg. Në të gjitha luftërat, ky fenomen lidhej ngushtë me kontrabandën dhe tregun e zi. Pikërisht përpjekja për të mos vënë “tavan në çmime” nga njëra anë dhe të kufizohet tregu i zi nga ana tjetër është edhe kjo një shenjë për kalimin në një “ekonomi lufte”.
Pas çdo pakete ekonomike të vendosur nga komuniteti europian dhe të gjitha praktikat ndërkombëtare kushtëzonin kontrollin e trafiqeve ilegale të lëndëve të para nga Rusia me anije të flamujve të tjerë dhe nga Bjellorusia me transport me goma në kamionë të targave të vendeve të treta jo anëtare të BE-së. Gjithë kjo situatë në fakt është tipar i një ekonomie lufte, por, në thelbin e saj ekonomik, ka rritjen e madhe të kostove si në lëndët e para, ashtu dhe në çmimet e faktorëve të prodhimit.
A ËSHTË RRITJA E PRODHIMIT USHTARAK NJË TIPAR TJETËR I EKONOMISË SË LUFTËS?
Duket se periudha e çarmatimit po mbaron dhe një garë e re armatimesh po rishfaqet.
Kështu, një tipar tjetër i një “ekonomie luftarake” konsiston pikërisht në rritjen e shpenzimeve ushtarake (prodhimit ushtarak). Po të shikojmë të dhënat për nivelin e prodhimit ushtarak për vitin 2020, vëmë re se në vendin e parë për shpenzimet ushtarake në raport me PBB e zë Rusia me 4,2% dhe 4% Ukraina. Pra, rezistenca e popullit ukrainas që habiti boten mbështetej edhe në rritjen eksponenciale të shpenzimeve ushtarake, të cilat në vitin 2014 zinin më pak se 1% të GDP-së, në vitin 2020 arritën në 4% të tij.
Pas këtyre dy vendeve vijnë SHBA me 3,5%, por me një PBB 2,5 herë më të madhe se Rusia dhe me poshtë Kina me 1,8%, Italia me 1,7% dhe Gjermania me 1,4%. Sigurisht, % ndaj PBB nuk tregon masën absolute të shpenzimeve ushtarake, por po të vëmë re pas luftës të gjitha vendet rriten buxhetin e armatimeve. Për herë të parë, Gjermanisë pas luftës së Dytë Botërore iu dha e drejta të ketë një buxhet ushtarak prej 2% të GDP-se. Pra, tendencat në rritje të buxheteve ushtarake janë indirekt skena të një ekonomie të orientuar të paktën nga parandalimi i luftës.
A ËSHTË “KUFIZIMI I GLOBALIZIMIT TË EKONOMISË” KALIM DREJT NJË “EKONOMIE LUFTE”, QOFTË EDHE LUFTE TË FTOHTË?
Shumë analistë mendojnë se ndryshimi më i madh që solli në sferën ekonomike agresioni rus në Ukrainë dhe periudha e postpandemise ishte kufizimi i procesit të globalizimit të ekonomisë botërore. Personalisht nuk mendoj se globalizimi i ekonomisë botërore do të zhduket, por një ristrukturim i tij është tashmë i dukshëm. Ky ristrukturim fillon nga elementet e tregtisë ndërkombëtare të kushtëzuara nga sanksionet deri te pagesat ndërkombëtare dhe sistemet e tyre. Është fakt se kapitalet nuk do të qarkullojnë vetëm mbi bazën e kostove krahasuese të vendeve të ndryshme, por edhe në bazë të politikave ekonomike të shteteve kryesore eksportuese të mallrave dhe kapitaleve. Nëse Kina ishte një nga vendet që mbështeti ekspansionin e saj ekonomik te globalizimi, shumë vende të tjera mbështetën konkurrencialitetin e ekonomisë së tyre te ky fenomen. Jo më kot, gjithë Evropa Perëndimore eksportoi kapitale për prodhimin e saj në vendet në zhvillim. Vështirë të parashikohen efektet e këtij fenomeni pas mbarimit të këtij konflikti, por të gjithë pranojnë se bota nuk do të jetë e njëjtë si përpara tij.
SI REAGOJNË TREGJET NË RASTET E KONFLIKTEVE USHTARAKE?
Tregjet janë “organizmat më të çuditshëm” në sjelljen e tyre dhe është shumë vështirë të parashikohen lëvizjet e tyre afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Megjithatë, është mirë të kujtojmë disa të dhëna historike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Daw Jones nga viti 1939-1945 u rrit me 50 %, d.m.th. më shumë 7% mesatarisht në vit. Sipas “SWISS Finance Institute”, tregjet dhe bursat ndikohen shumë nga luftërat, por masa e ndikimit varet nga llojet e luftërave, ku bëhen ato (rajonet) dhe kohëzgjatja e tyre. Fenomeni më interesant është se bursat ngaqë nuk parapëlqejnë pasigurinë në shumicën e luftërave kanë pësuar rënien e tyre para fillimit të luftës, pastaj, pas fillimit të saj, kane hyrë në ekuilibra të plotë ose te brishte pas një periudhe të caktuar. Kjo është logjike sepse tregjet atë që urrejnë më shumë është pasiguria dhe pikërisht bien më shumë nga ajo që mund të ndodhë, sesa nga ajo që ndodh. Pra, mirë apo keq, bursat (tregjet) kanë një logjikë përtej ndodhjes së gjerave. Gjithë ky fenomen në gjuhen ekonomike quhet “the war puzzle”.
Sipas Institutit Zviceran të Financës që ka botuar studimin mbi efektet ekonomike të luftës, janë rreshtuar ndikimi i tyre në indeksin e S&P 500 në ditën e shpërthimit të luftës, pastaj është analizuar sa dite i duheshin indeksit të kapte pikën më të ulët pas ditës së shpërthimit, pastaj sa ditë i duheshin po këtij indeksi të arrinte nivelin e parangjarjes. Kështu, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit të 2001 indeksi S&P 500 humbi ditën e parë -4,9%; pas 11 ditëve arriti humbjen më të madhe të tij në masën -11,6% dhe arriti ta rikuperoje pozicionin para ngjarjes vetëm pas 31 ditësh. Me bombardimet në Siri, 4.07.2017, ditën e parë S&P 500 humbi -0,1%; pas 7 ditësh kapi pikën më të ulët -1,2% dhe rikuperoi pozicionin e para ngjarjes në 18 ditë. Është e kuptueshme se efektet e luftës në bursa janë tërësisht të paparashikueshme ashtu siç është plotësisht e vërtetuar se që luftërat para apo prapa saj çojnë në një rënie të ndjeshme të bursës.
Ne prej kohësh, qëkur filloi kriza e Covid-19, filluam të flisnim për luftë dhe për “luftë me armikun e padukshëm”. Kjo terminologji po përdoret edhe tani (edhe pse jo shpesh) që po zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë. Efektet tashmë të kësaj krize janë të dukshme për të gjithë. Le të shohim pak si reaguan bursat muajin e parë të shpërthimit të Covid-19 dhe muajin e parë të luftës Ruso-Ukrainase. Nga data 23 shkurt deri në datën 24 mars, muaji i parë i luftës Rusi-Ukrainë 2022, Daw Jones u rrit me +4.76% dhe S&P 500 me +6,97%, ndërsa muaji i parë i pandemisë, 23 shkurt deri në datën 24 mars të vitit 2020, Daw Jones humbi -25.95% dhe S&P 500 humbi -24,25%. E njëjta pamje ishte dhe për bursat europiane, pavarësisht se ato muajin e parë të luftës Parisi kishte – 3.32% dhe Frankfurti -2.44% kur muajin e parë të pandemisë humbën respektivisht – 26,75% dhe -5.58%.
Me shifrat e mësipërme vështirë se mund të bëjmë krahasime paralele, por logjika ekonomike shpeshherë në sistemet e saj të krahasimit përdor analogjinë. Pra, nëse edhe ne përdorim analogjinë, duke marrë parasysh një zgjatje të luftës dhe të sanksioneve ndaj Rusisë, parashikimet për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë europiane në veçanti, janë jo optimiste…
PO CILAT JANË EFEKTET E LUFTËS NË EKONOMINË SHQIPTARE? ÇFARË DUHET TË BËJMË?
Ekonomia shqiptare, e efektuar nga kriza ekonomike e pandemisë, në startimin e ringjalljes së saj u godit edhe nga efektet e luftës në Ukrainë. Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, sa kohë që kjo ekonomi tashmë është pjesë e ekonomisë rajonale, evropiane dhe asaj globale, aq dhe ashtu siç është. Kjo dukshëm është shfaqur në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, energjetike (karburantet), të lëndëve të para shoqëruar me një inflacion më shume se dyfishi i objektivit. Këto kanë goditur buxhetet familjare, veprimtarinë e biznesit dhe shtresat në nevojë. Për këta të fundit, një paketë sociale e qeverisë ka qenë reagimi i parë për të zbutur efektet e kësaj krize. Por, në kushtet e një klime të “ekonomisë së luftës” dhe të vazhdimit të ndikimit të pasojave ekonomike të saj, do të ishte me vend konsiderimi i disa elementeve. Së pari, përpjekjet për frenimin e rritjes së inflacionit nuk duhen konsideruar thjesht dhe vetëm si detyrë e Bankës së Shqipërisë (kryerja e misionit të saj është e padiskutueshme). Banka e Shqipërisë, me “vigjilencën” e saj dhe instrumentet e veta politikën monetare dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit -sidomos Lek/euro po e bën atë. Por sot debatet që bëhen është se inflacioni që ka shpërthyer në ekonominë globale a mund të përballohet vetëm me këto masa? Prandaj.. Së dyti, sot më shumë së kurrë duhet harmonizuar më mirë politika monetare me atë fiskale dhe buxhetore. Për këtë është e domosdoshme për një rikonsiderim më të mirë e më të akomoduar të shpenzimeve buxhetore për: -mbështetjen e sigurisë kombëtare (në koordinim me NATO-n) -mbështetjen e sigurisë energjetike -mbështetjen e sigurisë ushqimore – dhe sektorit të bujqësisë -mbështetjen e shëndetit publik -mbështetjen e shtresave në nevojë dhe sigurisht me mundësitë që janë, edhe prioritet ekzistuese që janë arsimi, shkenca, infrastruktura etj. Kjo në rishikimet e mundshme buxhetore dhe sidomos në projektbuxhetin e vitit 2023. Së treti, politika tatimore të orientohet më drejt dhe të dëshmojë fleksibilitetin e duhur në përputhje me ndryshimet dhe zhvillimet e reja ekonomike. Së katërti, në funksion të politikave buxhetore vazhdimi i ristrukturimit të ekonomisë sipas kushteve dhe faktorëve të rinj të shfaqur në ekonomi, duhet të vazhdojë si një domosdoshmëri.