Nga Martin Sandbu
“Financial Times”
Shprehja është e shëmtuar, dhe përmbajtja e saj edhe më e shëmtuar, por “lodhja nga lufta në Ukrainë”, është një rrezik real për demokracitë perëndimore. Qytetarët e tyre janë të tmerruar nga lufta e paprovokuar e nisur nga Vladimir Putin në vendin fqinj me Rusinë, dhe janë plot simpati për popullin ukrainas.
Udhëheqësit e tyre kanë habitur edhe veten me forcën e mbështetjes së tyre për Kievin. Por ndërsa lufta po zgjat, sfidat më afër shtëpisë mund t’ua “vjedhin” gjithnjë e më shumë vëmendjen. Është e lehtë të shihet se si kriza e kostos së jetesës, e cila është e rënduar nga lufta dhe problemet me zinxhirët e furnizimit, mund ta zhvendosë fokusin e liderëve perëndimorë ndaj Ukrainës.
Nëse do të lejohet të ndodhë kjo, do të ishte një gabim dhe një dështim i madh. Një gabim, sepse inflacioni në vendet perëndimore, është shkaktuar në një masë të konsiderueshme nga veprimet e Moskës. Dhe një dështim, sepse do të nënkuptonte se liderët politikë kishin lënë pas dore detyrën e tyre kryesore:përgatitjen e publikut për zgjedhjet e vështira dhe të pashmangshme, që do të pasonin përkrahjen për Ukrainën.
Për këto arsye, unë mendoj se politikanët perëndimorë, duhet t’u shpjegojnë votuesve të tyre se kriza e kostos së jetesës ka të ngjarë të përkeqësohet, bashkë me arsyet e detajuara. Ata mund të mbajnë para tyre një fjalim pak e shumë të tillë:
“Bashkëqytetarët e mi,
Vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për të gjithë ne. Pandemia e Covid-19 solli me vete sëmundje dhe vdekje, zemërthyerje dhe vetmi, si dhe kërcënime për jetesën dhe bizneset e miliona njerëzve.
Edhe kur po i hapnim ekonomitë tona dhe mendonim se e kishim lënë pas më të keqen, u goditëm nga rritja e inflacionit dhe çmimet e larta të energjisë. Që nga data 24 shkurt, ne kemi qenë dëshmitarë të tmerreve të luftës që nuk ishin parë në Evropë ndër dekada, pasi u betuam solemnisht ”Kurrë më!” pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ne qëndrojmë përkrah Ukrainës dhe kundër sulmit të pajustifikuar nga Rusia e Vladimir Putin. Ushtarët tanë nuk do t’i bashkohen betejës në front. Ne nuk do të hyjmë në një Luftë të Tretë Botërore, në rast nuk na sulmon Rusia e para.
Por do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar qytetarët e guximshëm të Ukrainës, që të mbrohen dhe të dobësojnë kapacitetin e Putinit për të shkaktuar luftëra nëpër botë si kjo që po shohim. Nëse ne vetë nuk jemi në luftë, pasojat e kësaj të fundit na kanë prekur prej kohësh.
Çmimi i lirisë në Evropë po paguhet në radhë të parë nga ukrainasit, por edhe nga shumë prej jush, të cilët shqetësohen me të drejtë se si do t’i mbani ndezur dritat apo të ngroheni gjatë stinës së dimrit, sesi do të blini ushqime të shëndetshme për fëmijët tuaj, apo të mbani hapur bizneset tuaja.
Le të jemi të qartë:kostoja e energjisë është rritur ndjeshëm sepse diktatori rus e ka kthyer në një armë naftën dhe gazin e vendit të tij. Çmimi i ushqimeve po rritet, pasi Rusia po sulmon dhe bombardon tokën bujqësore më produktive të Evropës.
Dhe sanksionet tona ndaj Rusisë, përfshijnë në mënyrë të pashmangshme edhe sakrificën ekonomike nga të gjithë ne. Unë do të doja t’ju thosha se gjërat do të përmirësohen shumë shpejt. Por e vërteta është se për momentin ato ka të ngjarë të përkeqësohen.
Çmimet e energjisë, ushqimeve dhe mallrave, mund të rriten akoma më shumë. Rritja jonë ekonomike dhe të ardhurat tona mund të ngadalësohen. Në këto momente dramatike, është thelbësore që ne ta shohim në sy këtë realitet, dhe të punojmë së bashku për të përballuar sfidat që kemi përpara.
Ne nuk mund ta mohojmë se çmimet e larta të importit, e bëjnë më të varfër ekonominë tonë kombëtare. Bankat tona Qendrore nuk mund të kompensojnë dot të korrat e humbura të Ukrainës, apo të rregullojnë zinxhirët e furnizimit global duke rritur koston e kredisë.
Dhe nëse Vladimir Putin e ndërpret akoma më shumë apo brenda natës të gjithë furnizimin me gaz të Rusisë për Evropës, ne nuk mund të pretendojmë se nuk do të dëmtoheshim. Po na imponohet diçka e ngjashme me ekonominë e kohës së luftës.
Jo sipas zgjedhjes sonë, por gjithsesi ne nuk duhet të tërhiqemi para saj. Kjo kërkon që të gjithë ne të vendosim në radhë të parë të mirën e përbashkët. Ata që kanë më shumë mundësi financiare, duhet të përgatiten të kontribuojnë më shumë në taksa.
Ata që janë më të ekspozuar ndaj inflacionit, duhet të presin më shumë ndihmë ekonomike, por gjithashtu ata duhet ta pranojnë se kjo e fundit nuk mund të zhdukë nevojën për t’iu përshtatur realitetit të luftës. Po ashtu mund të na duhet të racionojmë disa produkte thelbësore.
Të gjithë duhet të jenë të durueshëm me financat publike të zhytura në borxhe. Ndërkohë, ne duhet t’i ndihmojmë vende më të varfra se ne, në të kundërt problemet e tyre do të jenë së shpejti edhe tonat. Është joshëse të mbyllësh sytë përballë asaj që është e drejtë, dhe të zgjedhësh atë që duket më e rehatshme.
Por rruga e rezistencës më të vogël, është edhe e gabuar edhe e pamatur. Ulja e toneve dhe zbutja e qasjes ndaj Vladimir Putinit tani, vetëm për të përfituar një lehtësim afatshkurtër në çmimet e mallrave, do të na linte akoma më shumë në mëshirën e tij.
Dhe le të jemi të sinqertë edhe mbi diçka tjetër:kjo krizë po na detyron të ndërmarrim hapa, te cilat duhet t’i kishim ndërmarrë shumë kohë më parë për hir të nipërve tanë. Shëndeti i ardhshëm i planetit të tyre, kërkon t’i japim fund përdorimit të karburanteve fosile.
Sot, siguria jonë e menjëhershme gjeopolitike kërkon të njëjtën gjë, duke filluar që nga energjia ruse. Është detyra jonë të investojmë mbi një sistem energjetik që është sa i pastër dhe i sigurt nga armiqtë e demokracive. Në këtë kohë mund të humbasin jo pak vende pune dhe konsumi mund të kufizohet. Por si lufta, edhe kjo është një detyrë, të cilën brezi ynë duhet ta përmbushë për hir të të ardhmes të brezit tjetër./ bota.al