Një grup trafikantësh shqiptarë në Itali është goditur nga policia. Sipas medias italiane, në orët e para të ditës së sotme në provincat e Parmës, Arezzo, Grosseto dhe Romëa u zbatua urdhri i masave ndaj tetë personave të akuzuar për posedim dhe shitje të paligjshme të drogës, pastrim parash dhe dhunë.
Masa e paraburgimit u caktua për tre persona, krahas ndalimit të qëndrimit në provincën e Parmës.
Gjithashtu u dha masa e detyrimit të qëndrimit në provincën e Arezzo dhe Grosseto për një tjetër shtetas italian dhe një tjetër shqiptar.
Ata dyshohet se janë protagonistët kryesorë të një trafiku të strukturuar droge të përhapur në të gjithë provincën e Parmës dhe rrethinat e saj. Të dyshuarit banonin dhe punonin kryesisht ndërmjet Fidenzës dhe Salsomaggiore.
Dyshohet se të ardhurat e mëdha që rridhnin nga trafiku i drogës janë pastruar kryesisht në Shqipëri me investime në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Një nga tre të arrestuarit është i riu shqiptar i cili pak ditë më parë u sulmua në rrugën publike të Salsomaggiore. Ai u qëllua në këmbë me tre të shtëna me armë zjarri.
Në vazhdën e hetimeve të nisura në vitin 2018, karabinierët e Fidenzës kishin arrestuar tre persona për qëllime trafikimi të kokainës, duke denoncuar disa të tjerë dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine.