Gjatë takimit në Berat, ish-kryeministri Sali Berisha ka lexuar dhe një mesazh të një socialisti të dërguar pas Asamblesë së PS.
Ai thotë se në këtë parti nuk ka më votë.
Berisha u shpreh se kjo nuk është fatkeqësi vetëm për socialistët, por edhe për vendin.
“Në rast se kemi folur për rithemelim, e vërteta është se ne kemi themeluar bashkë PD-në. Sot kryetari juaj dhe kryetari i çdo dege të PD është zgjedhur me votën tuaj në mënyrë absolute. Asnjë prej tyre nuk ka qenë dhe nuk do jetë i rekomanduar nga qendra e PD-së. Kjo ka të bëjë me një parim shumë të madh në demokraci. ka të bëjë me respektin e vullnetit dhe votës tuaj të lirë. ka dhe faqen tjetër të ndritur, ka të bëjë me përfaqësimin.
Kryetari ju përfaqëson ju, deputeti që do dalë nga Berati do ju përfaqësojë ju. Qeveritari vendor do ju përfaqësojë ju ndaj dhe të gjithë pa përjashtim do përzgjidhen me votën tuaj në primare. Ne bëjmë gjithçka të rikthejmë demokracinë në këtë vend. Në qoftë se kryetari juaj këtu u zgjodh me votën tuaj, po të lexoj se çfarë shkruan pas mbledhjes së Asamblesë së PS-së një militant i kësaj partie: Dëgjova me vëmendje fjalën e kryeministrit në lidhje me procesin e zgjedhjeve në parti. Duke dashur të mos e pranoj atë që dëgjova telefonova një mikun tim. Kryetari i degës së partisë do zgjidhet nga një komision i posaçëm. Nuk ka më votë domethënë në partinë tonë. Kjo është një fatkeqësi e madhe jo vetëm e socialistëve, por e vendit. Kjo është rruga e përzënies së votës, e përçudnimit tonë. Çfarë është ky komb që nuk voton, çfarë i ka përfaqësuesit e kombit që nuk i voton, por i zgjedh.
Ja ku arritëm.
Këto norma që kemi vendosur kësaj radhe do t’i garantojmë me një kod elektoral për PD-në të vetin që askush të mos mundet të imagjinojë të cenojë votën tuaj. Ju do jeni ata që do zgjidhni, ju do jeni ata që do shkarkoni.
Këtu origjina e të gjitha këtyre që ne pësojmë ne janë vjedhjet. Si ka mundësi në Shqipëri nafta 2.2 dollarë, në SHBA, me të ardhura dhjetëra herë më të larta se Shqipëria, nafta ishte 1.05 dollarë litri. Sigurisht sepse Edi Rama e takson mbi 1 euro litrin e naftës. Si ka mundësi që vaji të rritet 3 herë, që buka të kushtojë 85 herë më shumë se në BE. Sepse në vend që të kompensojë ai, u rritën çmimet rriten, tregu këtë ka, o do pranojmë tregun e lirë, o do kalojmë në tregun e kontrolluar komunist, u rritën çmimet, qeveria ka një detyrë rrit rrogat në proporcion. Nuk bëhesh më i pasur, por të paktën nuk bëhesh më i varfër. Blen të njëjtën sasi mallrash me rrogën që merr. Bordet këtu vendosen për të përligjur vjedhjen e qytetarëve. Unë i kam paralajmëruar hiqni dorë nga bordet sepse e bëni me korrupsion për bizneset tuaja. I bëheni parzmore qeverisë”, deklaroi Berisha.