Historia është përsëritur me monotoninë e një ore zvicerane. Zv/sekretarja amerikane e shtetitit i ka dhënë një mbështetje të qartë grupit të kundërshtarëve të Berishës një ditë parpara kuvendit të 30 prillit në PD. Ndonëse në publik u shpërndanë imazhe shumë më pak glamour se sa ato përkrah Edi Ramës, znj. Donfried, përsëriti një mesazh të njohur të departamentit të shtetit, për Alibeajn, Bardhin dhe Tabakun. Kjo u duk qartë edhe nga deklarata që shefi i grupit parlamentar të PD, bëri menjëherë pas takimit për mediat.
Po të shohësh qëndrimin e qartë të zyrtares së lartë amerikane, ai nuk ndryshon aspak nga ato që vendi i saj ka mbajtur para përjashtimit të Berishës nga Basha, para kuvendit të 11 dhjetorit, para përplasjes fizike të 9 janarit dhe para zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Por, në të gjitha këto përballje, fatkeqësisht Berisha ka dalë i më fituar dhe grupi i atyre që vetëquhen si “pro amerikanë” në PD, gjithnjë e më i tkurrur në vota dhe më i zvogëluar në numra.
Edhe historikisht kjo nuk është një dukuri e re në gjirin e kësaj partie të djathtë. PD e ka provuar këtë eksperiment, në fillim të viteve 2000, kur prej saj doli PDR e Pollos. Mbështetja si e amerikanëve si e europianëve qe e madhe. Si pasojë e saj edhe ajo e qeverisë Meta dhe mediave që në atë kohë kontrolloheshin nga socialistët. Atëhere u shkua deri aty sa PD-së zyrtre ti vidheshin simbolet e konkurimit në zgjedhje. Por rezultati afatgjatë ishte i papërfillshëm.
E njëjta fabul u përsërit edhe pas djegjes së mandateve. Amerikanët thanë se opozita reale e vendit është ajo e Murrizit dhe Rudina Hajdarit, u sollën me sikur dhe i bënë ata pjesë të sistemit, por në fund, kur i hodhën para elektoratit, e panë sesa qesharake ishte butaforia e një opozite që edhe në qoftë pro amerikane, nuk ka asnjë vlerë kur është fallco.
Ky mallkim i kthimit të shpinës ndaj zgjedhësve, për tu konformuar me tekat e diplomatëve, rrezikon të përsëritet si një leksion i pamësuar edhe mbi Bashën, Alibeajn, Bardhin, Tabakun e me radhë.
Natyrisht, ata nuk bëjnë asnjë mëkat nëse mbajnë marëdhënie të shkëlqyera me diplomatët amerikanë. Ata janë në të drejtën e tyre të mendojnë se PD-nuk i duhet një prijës non grata. Ata bëjnë mirë që i mbajnë urat e komunikimit me cilindo ambasador. Opozita është më e pasur, më e plotë dhe më me shumë ngjyra, kur ka në gjirin e saj edhe ata që mendojnë se ajo nuk ka të ardhme me Berishën.
Por, nga kjo liri e mendimeve dhe obsioneve të ndryshme, për mënyrat alternative se si mund të kundërshtohet kjo qeverisje, e deri tek sjellja prej lakeu para diplomatëve, qëndron një hendek i madh.
I gjithë grupi kundër Berishës i bën nder vetes dhe ne të tjerëve, po ta vazhdojë betejën ndaj tij, por ama, nëse ata shkojnë e bashkojnë votat me Ramën për zgjatjen e vettingut, me justifikimin se këtë e bëjnë për Amerikën, nëse ata i puthin duart atyre që masakrën elektorale e propogandojnë si fitore historike, nëse ata përdoren si mashë për të hedhur shumicën e partisë në gjyq, sepse këshu i urdhëroi ambasada, nëse ata duan të ruajnë fasadën e stabilitetit, duke u përfshirë në farsën e zgjedhjes së presidentit, nëse ata trajtohen si mjete shantazhi para kuvendit të 30 prillit, kjo nuk është një sjellje prej politikani, por prej kamikazi.
Nga kjo sindromë duket se po preken edhe kundërshtarët e Berishës në PD. Njësoj si paraardhësit e tyre ata po ndjekin të njëjtat hapa: Sa më shumë kërkojnë mbështetjen e diplomatëve, aq më tepër bien në kurthin e stabilokracisë; sa më shumë duan të hiqen si politikisht korrekt, aq më tepër zhyten në prehrin e regjimit; sa më ‘tolerantë” dhe ‘të arsyeshëm” tregohen, aq më tepër i ngjajnë kolaboracionistëve.
Fati i atyre që ndërpresin marëdhëniet me zgjedhësit duke shpresuar se peshën e kësaj lidhjeje do ta zëvendësojnë duke u bërë pjesë e intrigave të politikës ditore tashmë dihet. Prova të qarta të saj janë që nga Avdulla Hoti në Prishtinë e deri tek Lulzim Basha në Tiranë.
Historia e shkuar duhet të shërbejë si shembull edhe për grupin e opozitarëve që përfaqësohet nga Alibeaj e Bardhi. Ata mund ti shërbejnë më së miri PD dhe opozitarizmit edhe si kundërshtarë të Berishës edhe si partnerë të Yuri Kimit. E vetmja gjë që nuk mund ti lejojnë vetes është që, në ekuilibrat e këtij raporti të vështirë, të përdoren si marioneta. Sepse kështu vërtet do të fitojnë, sot për sot, simpatinë momentale të ndonjë diplomati, por do ti bëjnë më shumë dëm opozitës, kur ashtu sikurse ndodh rëndom, amerikanët do të jenë të parët që do ti hedhin në plehra njësoj sikurse bëjnë me të gjithë humbësit.