Nga Marc Berenson
“The Conversation”
Forcat ruse që shkojnë në luftën e nisur në Ukrainë, shënojnë në pajisjet e tyre një shkronjë të vetme që nënkupton objektivin e tyre. Ka pasur interpretime të ndryshme mbi domethënien e shkronjës “Z”, që shkruhet mbi tanket dhe autoblindat ruse. Ka disa zëra se ajo përfaqëson shkronjën e parë të fjalës ruse “Za pobedy”, që do të thotë “Për fitore”.
Por të tjerë, që e kanë parë presidentin ukrainas Volodimir Zelenski ta cilësojë veten si “objektivi nr.1” i Rusisë, gërma e madhe “Z” duket se konfirmon faktin se rrëzimi i Zelenskit, është prioriteti kryesor në mendjen përgjithësisht të palexueshme të Vladimir Putinit.
Jashtë Ukrainës, Zelenski është shndërruar në një figurë globale dhe në fokusin e rezistencës ukrainase, diçka e konfirmuar edhe nga fjalimi që mbajti përmes videos para Parlamentit Evropian, dhe së fundmi në Dhomën e Komunave në Britaninë e Madhe.
Rruga e Zelenskit drejt pushtetit, nuk mund të ishte më e ndryshme se ajo e njeriut që po synon ta rrëzojë ose eleminojë. Putin u ngjit në hierarkinë e KGB-së për të ndërtuar bazën e tij të pushtetit nën udhëheqjen kaotike të ish-presidentit rus Boris Jelcin.
Ndërkohë, presidenti ukrainas 44-vjeçar, tashmë i vlerësuar nga bota dhe në Ukrainë si një udhëheqës heroik i luftës, ishte fillimisht një komedian, një aktor filmi dhe protagonist i një seriali jashtëzakonisht të suksesshëm. Ai nuk kishte asnjë përvojë politike kur kandidoi për president në vitin 2019.
I lindur në vitin 1978 në Krvivi Rih, një qytet i madh i minierave të hekurit, dhe kryesisht rusisht-folës, që shtrihet në një gjatësi prej 126 km në Ukrainën Juglindore, ai është djali i një profesori të shkencave kompjuterike dhe një inxhiniereje.
Gjyshi dhe 3 xhaxhallarët e tij, luftuan në radhët e ushtrisë sovjetike kundër nazistëve, dheprej tyre mbijetoi vetëm i pari. Stërgjyshi i tij dhe të afërmit e tjerë u vranë në Holokaust.
Kur ishte në shkollën e mesme, Zelenski dhe miqtë u bënë pjesë e “Klub Vesyólykh i Nakhódchivykh” (KVN).
Ajo ishte një garë për komedianët dhe një shfaqje televizive për të rinj, që ka mbetur shumëpopullor që nga fillimet e tij në vitet 1960. Që kur u rikthye në modë në mesin e viteve 1980, ekipet nga universitetet konkurrojnë çdo javë midis tyre.
Edhe pse u diplomua për drejtësi, Zelenski ngriti trupën e tij të komedianëve “Kvartal 95”, duke zhvilluar turne në mbarë vendin. Në vitin 2003, “Kvartal 95” filloi të prodhojë shfaqje për televizionin ukrainas, dhe nga viti 2005, Zelenski nisi të luante rregullisht nëpër filma.
Në vitin 2006, ai fitoi versionin ukrainas të “Dancing ëith the Stars”. Roli i tij më i famshëm ishte në serialin televiziv të transmetuar gjatë viteve 2015-2019 “Shërbëtori i Popullit”, emrin e të cilit do të merrte edhe partia e tij politike.
Jeta imiton artin:Zelenski luan atje rolin e Vasil Petroviç Golloborodko, një mësues historie në shkollën e mesme, që zgjidhet papritur president i Ukrainës, pas kritikave të forta ndaj klasës politike për korrupsionin e shfrenuar në vend.
Në zgjedhjet presidenciale të Ukrainës në prillin e vitit 2019, pas një fushate të shkurtër pa shumë retorikë politike, përveç premtimeve për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur paqen në Donbas, Zelenski arriti të mposhtte presidentin në detyrë Petro Poroshenko.
Ai fitoi me 73 për qind të votave, një sukses i jashtëzakonshëm dhe i paprecedentë në politikën ukrainase, duke pasur parasysh se ukrainasit kanë një histori të gjatë të mosbesimittë tyre të madh ndaj liderëve të tyre. Si president, Zelenski bëri pjesë të stafit të tij disa anëtarë të “Kvartal 95”, promovoi shërbimin online të qeverisë, dhe e përsosi komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun përmes mediave sociale.
Në lidhje me luftën në Donbas, ai besonte se në fillim duhej thjesht të negocionte drejtpërdrejt me Putinin. Por një marrëveshje paraprake e shpallur nga Zelenski në tetor 2019 – dhe e tërhequr më vonë – u përball me kritika të forta si në Ukrainë ashtu edhe jashtë saj.
Ajo i bënte thirrje për Rusinë të tërhiqte trupat e saj, dhe parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve në zonat e pushtuara nga separatistët, që janë pak të populluara nga votues pro-ukrainas, dheqë do të konsideroheshin si të ndikuar shumë nga Rusia.
Në pranverën e vitit 2020, Zelenski largoi nga qeveria e tij shumë reformatorë pro–perëndimorë, përfshirë kryeministrin e tij dhe kreun e Byrosë së re Kombëtare Kundër Korrupsionit . Zëvendësimi i tyre me besnikë të tij me më pak përvojë, u kritikua sërish me tone të forta.
Ndërkohë, ai filloi të shprehte mbështetje për akuzat e ngritura kundër paraardhësit të tij Poroshenko, që në janar të këtij viti u padit në gjykatë për tradhti, në lidhje me një marrëveshje të tregtisë së qymyrit në Donbasin e pushtuar nga pro-rusët.
Zelenski u kritikua me arsyetimin se mbështetja e tij ndaj akuzave, po e dëmtonte imazhin ndërkombëtar të Ukrainës në një moment krize, ndërsa ushtarët e Putinit ishin grumbulluar në kufi. Në vitin 2020, popullariteti i Zelenski ishte vetëm 30 e ca për qind. Edhe pse mbeti politikani më popullor në vend.
Korrupsioni ka qenë një problem i kahershëm për Ukrainën, dhe përpjekjet e Zelenskit për ta luftuar këtë fenomen kanë dhënë rezultate të përziera. Kur ai bëri fushatë për t’u zgjedhur president në vitin 2019, ishte shumë pranë Igor Kolomoiskit , një oligark ukrainas që është pronari i televizionit që transmetoi serialin e tij të suksesshëm.
Por Zelenski refuzoi të lejonte ri–privatizimin e “PrivatBank”, dikur në pronësi të Kolomoiskit. Vitin e kaluar, Zelenski miratoi një ligj për të kufizuar veprimtarinë e mediave në pronësi të oligarkëve, që do të hynte në fuqi më vonë këtë pranverë.
Më parë, Zelensku u hoqi imunitetin deputetëve, gjyqtarëve, vetes, si dhe rifuti në fuqi një ligj kundër pasurimit të paligjshëm. Në vitin 2020, presidenca u përplas me gjykatën kushtetuese të Ukrainës, e cila hodhi poshtë një ligj për deklarimit të pasurisë për politikanët dhe gjyqtarët, duke reduktuar ndjeshëm kompetencat e Agjencisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit.
Ndërkohë, një vit më vonë, mes shumë zbulimeve në lidhje me elitat politike në mbarë botën, skandali i “Pandora Papers” zbuloi se Zelenski kishte asete në parajsat fiskale, edhe pse ai mohoi çdo akuzë për pastrim parash. Kundërvënia e tij ndaj Rusisë, u ndërtua gradualisht përpara pushtimit.
Në shkurtin e vitit të kaluar, ai mori një qasje të fortë kundër Putinit, duke mbyllur kanalet televizive të kontrolluara nga Vikor Medvedçuk, një oligark ukrainas, për shkak të nxitjes sënjë narrative pro-Kremlinit për rajonin e Donbasit.
Në prillin e vitit 2021, në kohën kur Putin nisi të grumbullonte trupat e para përgjatë kufijve të Ukrainës, Zelenski i kërkoi NATO-s që Ukraina të pranohej shpejt në aleancë. Në nëntor, ai akuzoi një oligark tjetër, Rinat Akhmetov, për bashkëpunim me Rusinë për të kryer një grusht shteti që synonte rrëzimin e tij.
Jashtë Ukrainës, Zelenski mbahet mend për bisedën e tij telefonike të vitit 2019 me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, i cili i bëri presion edhe pse pa sukses Zelenskit, për të hetuar djalin e rivalit të tij në fushatën e nëntorit 2020, Xho Bajden, Hanter.
Ajo telefonatë solli edhe impeachment-in e parë për Trump.
Por ndërsa Zelenski refuzon të largohet nga kryeqyteti i tij Kiev, dhe vazhdon të mbajë tëbashkuar vendin në luftën e tij ekzistenciale kundër Rusisë, ky skandal ka të ngjarë të shndërrohet në një detaj të parëndësishëm në historinë e tij./ bota.al