Igli TOLA, Pedagog, ekspert ekonomie
Europa duket se është mbërthyer nga një valë inflacioniste që po del përtej edhe skenarit më pesimist. Në Eurozonë inflacioni nuk po ndalet, saqë në një prognozë paraprake për marsin, publikuar pak orë më përpara, kapte nivelin rekord historik +7.5%. ‘Rekord’ i ri, pas ‘rekordit’ të shkurtit +5.9%, norma më e lartë e rregjistruar që nga futja e monedhës së përbashkët Euro. Ndaj, shumë ekspertë po hedhin tezën se inflacioni faktik gjatë 2022 do të jetë me shumë gjasa dyshifor, mes 10-15%.
Çmimet e energjisë, hidrokarbureve dhe jo vetëm po i rrisin në mënyrë të frikshme kostot e jetesës për qytetarët europian.
Këto shifra kalkuluar në nivel europian, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përforcojnë analizat e bëra në rang kombëtarë nga shtetet anëtare. Gjermania bëri të ditur se inflacioni arriti në 7.6%, për herë të parë që nga bashkimi i 2 Gjermanive (asaj të Lindjes me Perëndimin). Ndërsa Spanja mban kryesimin për marsin, 9.8%, gjë e padëgjuar në 37 vitet e fundit. ‘Promotorët’ e këtij inflacioni në vlera stratosferike janë së pari çmimi i energjisë që shënon një rritje +44.7% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë (gati +13% rritje nga shkurti i këtij viti) ; nafta bruto që vijon të luhatet në $110 për fuçi, pasi OPEC nuk po jep shenja të rritjes së prodhimit për të amortizuar ekspansionin e çmimeve të hidrokarbureve, çmime të pazakonta këtë dekadën e fundit ; gazi natyror që është lënda djegëse dominante për ngrohjen e shtëpive europiane dhe vënien në funksion të industrisë, kuotohet mbi 190 Euro për MËh në bursat kryesore të ‘komoditis’ ; produktet ushqimore të shtrenjtuara mesatarisht me 5%, kryesisht ato me origjinë nga Ukraina e Rusia, etj.
‘Goditja’ e madhe e çmimeve bazë, të cilat ‘filtrojnë’ haluçinacionet e çmimeve të pazakonta të energjisë dhe naftës, , ka rritur ndjeshëm riskun e ‘rrënjosjes strukturore’ të inflacionit të lartë, inflacion që do të na shoqërojë për gjatë, dhe jo vetëm një fenomen i përkohshëm. Një situatë që do të mbarset në ‘efekt orteku’ në vijimësi te kostot e përgjitshme të sipërmarrjeve, shpenzimet e përditshme të konsumatorëve, me rrezik për të nxitur edhe psikozat e ‘stoqeve’ dhe ‘spekullimeve’.
. . . . .
Nga frika e “Stagflacionit”, Banka Qëndrore Europiane po tregohet akoma e rezervuar për të operuar direkt me instrumentin e saj kryesor të politikës monetare, rritja e normës bazë të interesit për monedhën Euro. Dilema është e madhe: rritja e normave të interesit për të qetësuar inflacionin, apo kjo gjë do të sillte më tej një përballje akoma më të rrezikshme me rrezikun e frenimit të rritjes ekonomike në ekonominë e Eurozonës, që nuk kishte shumë që kishte filluar të jepte sinjale pozitive për rimëkëmbje dhe ekspansion të qëndrueshme pas periudhës së vështirë pandemike. Sa larg duhet të shkohet me lehtësimet sasior, duke mbështetur rritjen ekonomike pa shkaktuar rritje të inflacionit, kjo është pyetja ‘1 milion dollarshe’ që askush nuk po i jep një përgjigje ezauruese ende.
Përkundër këtij hezitimi të BQE, apo edhe ndërhyrjes minimale nga Banka e Anglisë që e çoi normën bazë nga 0.5% në 0.75%, apo FED amerikan që e korrektoi po me 0.25% ; Banka e Shqipërisë vendosi ta dyfishonte normën tonë bazë, nga 0.5 në 1%, pas më shumë se 11 vjetësh.
A ishte ky një veprim i nxituar, apo i rakorduar me partnerët tanë? Kjo mbetet për tu parë.
Duke kuptuar që volumi ynë tregtar me Eurozën kap 75% të totalit të importeve tona, duke u kompletuar nga Rusi-Ukrainë me mbi 2.7%, Serbia etj; këto tregues janë të mjaftueshëm për të kuptuar se ‘importimi’ i inflacionit dhe krizës do të vijojë po aq gjatë sa të stabilizohen tregjet europiane dhe botërore. Në këtë mënyrë ndërhyrja në tregje duhet të ishte bërë më e rakorduar dhe kujdesshëm, pasi shfrytëzimi i pothuaj tërë hapësirës që të lejon norma bazë e interesit që në fillim (kur presim që inflacioni të rritet më tej), na lë pak hapësira në të ardhmen.
Stagflacioni ku kemi hyrë, është një nga spiralet më delikate të ekonomisë. Prodhimi i brendshëm qëndron në stanjacion, ndaj mundësitë e punësimit ulen. Në nivele të larta papunësie, të ardhurat e disponueshme të shoqërisë tkurren dhe ndaj ata kanë më pak para për të shpenzuar e konsumuar në përditshmëri. Ama në të njëjtën kohë inflacioni rritet në mënyrë konstante, duke i bërë mallrat dhe shërbimet shumë më të shtrenjta, dhe paratë që kanë njerëzit nëpër duar të vlejnë në real shumë më pak. Çdokujt ky përkufizim besoj i duket se përshkruan qartë gjendjen e ekonomisë sonë sot. E nqs nuk ndërhyet në kohë, me nisjen e falimentit të një pjese të kompanive vendase, apo ndërprerjen e aktivitetit normal papunësia do të rritet më tej eksponencialisht, dhe stagflacioni do të thellohet.
Stagflacioni është i rrallë, edhe i rrezikshëm, sepse të ardhurat e njerëzve zvogëlohen por në të njëjten kohë rriten kostot e jetesës. Menaxhimi i tij duhet të jetë i ngjashëm me një operacion kirurgjikal kompleks, por pa prekur funksionalitetin e organeve të tjera. Me veprime të kujdesshme dhe të studiuara, jo me ‘goditje të përqëndruar’ e inerci./Konica/