Tre të rinj kanë shkaktuar probleme në qytetin e Bulqizës teksa nuk iu bindën efektivëve të policisë. Drejtuesit të mjetit iu kërkua të bëjë testin e alkoolit por jo vetëm që ai nuk ka pranuar por dy shokët që e shoqëronin janë përplasur me policinë.
Policia e Bulqizës ka arrestuar një 30-vjeçar për veprat penale “Kundërshtim me forcë i punonjësve të policisë”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Në pranga ka rënë shoferi Indrit Losha i cili akuzohet se ka goditur punonjësit e Policisë Rrugore. Gjithashtu uniformat blu kanë shpallur në kërkim dy pasagjerët Alketo Stafa dhe Armand Dumani të cilët kanë goditur punonjësit e policisë duke u shkaktuar dëmtime në trup, me qëllim që mos shoqërohej në Komisariat drejtuesi i automjetit.
Njoftimi i policisë Bulqizë:
Kundërshtuan me forcë dhe goditën punonjësit e Policisë Rrugore, vihet në pranga drejtuesi i mjetit dhe shpallen në kërkim dy pasagjerët.
Shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rugore, pranë mbikalimit në Qytetin e Bulqizës, kanë konstatuar dhe ndaluar një automjet “Benz”, pasi u konstatua se kryente manovra gjatë lëvizjes.
Gjatë procesit të verifikimit, punonjësit e policisë hasën në rezistencën e drejtuesit të mjetit dhe të pasagjerëve që ndodheshin në këtë mjet, për të mos kryer testin e alkoolit drejtuesi i mjetit. Të tre shtetasit në bashkëpunim me njëri tjetrin kundërshtuan me forcë punonjësit e policisë duke ju shkaktuar dëmtime fizike dy prej punonjësve të policisë.
Shërbimet e policisë kanë mundur të vënë në pranga drejtuesin e mjetit,shtetasin I. L., 30 vjeç, banues në Bulqizë, i cili duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit, ka kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë duke mos i lejuar të kryenin testin e alkoolit dhe të mos shoqërohej në komisariat.
Ndërsa dy pasagjerët kanë mundur të largohen por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe konketisht shtetasit A. S., 22 vjeç dhe A. D. 30 vjeç, banues në Bulqizë, të cilët kanë goditur punonjësit e policisë duke u shkatuar dëmtime trupore, me qëllim që mos shoqërohej në Komisariat drejtuesi i automjetit.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale ” Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi me forcë i punonjësit të policisë”, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.