Bota është ndoshta në fillimin e një dekade paqeje të trazuar. Megjithëse nuk po hyjmë domosdoshmërish në një periudhë lufte të përhershme, duhet të jemi të përgatitur për më shumë – dhe më intensive – konflikte tregtare, sanksione ekonomike dhe financiare, sulme kibernetike, fushata dezinformuese dhe përdorim të forcës ushtarake si një instrument gjeopolitik. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk është fillimi i një epoke të re, por më tepër pasojë e një epoke që po përfundon.
Përtej dëshirës së tij të dukshme për të rindërtuar Perandorinë Ruse, presidenti Vladimir Putin qartazi nuk dëshiron t’ia lërë riorganizimin e botës vetëm Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Ai dëshiron që Rusia (ose të paktën ai vetë) të bëhet sërish një fuqi e madhe, me një peshë fjale në përcaktimin e çështjeve evropiane dhe euroaziatike.
Për më shumë se 30 vjet, Rusia nuk ka pasur asnjë rol të rëndësishëm për të luajtur në Evropë përveç atij të prishësit të hidhëruar. Në kohën kur aneksoi ilegalisht Krimenë në vitin 2014, vendi ishte zhytur në vlerësimin e shumë evropianëve për statusin e furnizuesit të energjisë, kërcënimet e të cilit kundër disa prej fqinjëve të tij të afërt reflektonin dobësi, jo forcë. E megjithatë Putini duhet të jetë në gjendje të ndikojë në të ardhmen e Evropës, nëse dëshiron të ketë ndonjë shans për të rindërtuar Rusinë si një fuqi të madhe globale. Kjo do të thotë se në luftën e tij rrezikohet më shumë sesa sovraniteti ukrainas. Në fakt, Ukraina është vetëm një mjet për qëllimet revanshiste të Putinit.
Në kërkimin e tij për ndikim gjeopolitik në shekullin XXI, Putini ende mendon në kategoritë e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe lufton me mjetet e shekullit të njëzetë. Por pikëpamja e Putinit për botën si një fushë beteje ka pak rëndësi për konfrontimin më të gjerë midis Rusisë dhe aleancës së udhëhequr nga SHBA-ja. Ai konfrontim është midis dy pikëpamjeve të rendit botëror. Nga njëra anë është një sistem i bazuar në rregulla në të cilin shtetet angazhohen reciprokisht për shenjtërinë e integritetit territorial dhe sovranitetit; në anën tjetër është parimi brutal se i forti mund të bëjë ç‘të dojë.
Me sulmin e tij ndaj Ukrainës, Putini ka thyer në mënyrë flagrante parimin më themelor të rendit të bazuar në rregulla. Nëse ia del mbanë, ai do të ketë krijuar një precedent të rrezikshëm për pjesën tjetër të botës.
HUMBËSI MË I MADH
Me gjithë pasigurinë që Putini ka krijuar me përbuzjen e tij për të drejtën ndërkombëtare, një gjë është tashmë e qartë: humbësi i madh është vetë Putini. Me një vendim, ai e shndërroi Rusinë në një vend që bota e refuzon, duke shkatërruar çdo shpresë që rusët mund të kishin për të ardhmen. Shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara dënuan sulmin e Rusisë, dhe ato që abstenuan e bënë këtë jo për shkak të besnikërisë ndaj Putinit, por sepse janë të etur për të qëndruar neutral.
Në mënyrë të ngjashme, në vend që të mbillte përçarje brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian, lufta e Putinit i bashkoi vendet menjëherë në solidaritet të plotë dhe dinamik. NATO-ja po rrit praninë e trupave të saj në fqinjësinë e afërt të Rusisë dhe shumë nga anëtarët e saj – më së shumti Gjermania – po rrisin ndjeshëm buxhetet e tyre të mbrojtjes. Edhe Suedia dhe Finlanda neutrale tani po mendojnë t’i bashkohen Aleancës.
Për më tepër, disa ditë pas pushtimit, Rusia iu nënshtrua disa prej sanksioneve ekonomike dhe financiare më të ashpra, më gjithëpërfshirëse të vendosura ndonjëherë ndaj ndonjë vendi. Duke braktisur qëndrimin e saj “miqësor ndaj Rusisë”, Gjermania ka marrë një rol udhëheqës në formësimin e regjimit të ri të sanksioneve. BE-ja – dhe më e rëndësishmja Gjermania – tani gradualisht do të bëhet e pavarur nga nafta dhe gazi rus. Shenja më e qartë e këtij ndryshimi historik është vendimi për të pezulluar gazsjellësin Nord Stream 2, i cili do të kishte dërguar furnizimet ruse drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar – dhe duke izoluar më tej – Ukrainën dhe Poloninë.
Edhe në aspektin ushtarak, pushtimi ka qenë shpartallues për Rusinë. Trupat ruse nuk po priten si çlirimtarë, siç premtoi Putini (dhe ndoshta edhe e besoi) – as nga rusishtfolësit e Ukrainës, të cilët po i rezistojnë pushtuesve me guxim në Kharkiv, Mariupol, Mykolaiv dhe gjetkë . Në vend të fitores së shpejtë që Putini kishte pretenduar, trupat ruse nuk kanë arritur të përparojnë në shumë fronte. Gabimet elementare në logjistikë dhe morali i ulët nuk kanë ndihmuar, por faktori kryesor ka qenë zgjuarsia e forcave të armatosura ukrainase në shfuqizimin e disa avantazheve ushtarake të Rusisë duke përdorur njohuritë e tyre lokale për terrenin dhe taktikat e shkathëta guerile.
Më e rëndësishmja, ukrainasit e dinë se për çfarë po luftojnë. Ndryshe nga kjo, Putini duket se ka mashtruar shumicën e ushtrisë së tij për natyrën dhe objektivat e “operacionit të tij special ushtarak”. Ushtarët rusë, në fakt, nuk mendonin se do të shkonin në luftë kundër fqinjit të tyre të ngushtë; tani që janë aty nuk e kanë idenë se për çfarë po luftojnë. Nuk ka asnjë qëllim të dallueshëm përtej shkatërrimit të pakujdesshëm të Ukrainës.
Mjerisht, nuk shihet një përfundim i shpejtë i konfliktit. Edhe nëse epërsia ushtarake e Rusisë për sa i përket madhësisë së forcës dhe pajisjeve do të thotë që Rusia përfundon duke mposhtur mbrojtjen e Ukrainës dhe e detyron qeverinë të dorëzohet, ajo nuk mund ta pushtojë vendin. Gjeografikisht, Ukraina është vendi i dytë më i madh në Evropë. Ajo është shtëpia e 44 milionë njerëzve, shumica e të cilëve kanë zhvilluar ndjenja të forta anti-ruse pas dhjetë vjet përpjekjesh të Kremlinit për t’i nënshtruar ata.
Një prani e qëndrueshme ushtarake ruse do të përballej me një luftë të qëndrueshme guerile. Dhe gjatë gjithë kohës, sanksionet do të vazhdonin të mbysin ekonominë ruse. Sidomos tani që forcat ruse janë dokumentuar gjerësisht se kryejnë krime lufte, shkëputja graduale e evropianëve nga varësia e tyre nga energjia ruse nuk do të kthehet lehtësisht. Kthimi në kushtet që mbizotëronin para pushtimit thjesht nuk bëhet fjalë.
GJEPOLITIKA E RE
Një gabim strategjik aq masiv sa vendimi i Putinit për të pushtuar Ukrainën është një dukuri e rrallë në çështjet botërore. Pyetja tani është nëse Putini, duke u ndjerë i bllokuar, do ta përkeqësojë gabimin e tij duke e zgjeruar atë. Edhe pse epërsia dërrmuese ushtarake e NATO-s bën që një sulm i drejtpërdrejtë rus ndaj çdo anëtari të NATO-s aktualisht të duket i pamundur, rreziku i përshkallëzimit pasi ushtria ruse vazhdon të pësojë humbje të rënda është shumë i lartë. Merrni parasysh debatin e fundit nëse Ukraina duhet të furnizohet me avionë luftarakë polakë. Nëse kjo do të kishte ndodhur, Kremlini mund ta kishte interpretuar transferimin e armëve sulmuese si një sulm ndaj Rusisë. Udhëheqësit e NATO-s kanë bërë me mençuri atë që munden për të parandaluar skenarë të tillë.
Megjithatë, progresi i ngadaltë i Rusisë kundër mbrojtjes ukrainase ka rritur gjasat që konflikti të përshkallëzohet. Agresorët rusë do të shtojnë sulmet e tyre ajrore dhe granatimet pa dallim, duke shkaktuar dëme të rënda në qytetet ukrainase, duke rritur numrin e viktimave civile dhe duke përmbytur BE-në me miliona refugjatë. Në përgjigje të mizorive në rritje, Evropa do të ndjejë më shumë presion për t’i dhënë fund të gjitha importeve të naftës dhe gazit rus, edhe pse kostoja ekonomike e kësaj do të jetë e madhe.
Problemi tjetër është Kina. Megjithëse presidenti kinez Xi Jinping e ka përshkruar tani situatën në Ukrainë si një “luftë” – një refuzim i mprehtë i eufemizmit zyrtar të Kremlinit – bota ende duhet të supozojë, për momentin, se Kina nuk do të ndërmarrë asnjë hap konkret për të ushtruar presion mbi Rusinë ose për të siguruar një armëpushim.
Thirrjet për paqe që vijnë nga Kina mbeten thjesht retorike. Tani që lidershipi kinez i shikon të gjitha ngjarjet globale përmes thjerrëzës së konkurrencës me SHBA-në, konsideratat strategjike i kalojnë të gjitha të tjerat – madje edhe angazhimin e deklaruar të Kinës për sovranitetin kombëtar, integritet territorial dhe mosndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera. Megjithëse Rusia nuk është as historikisht dhe as aktualisht një aleat i vërtetë i Kinës, të dy regjimet janë bashkuar nga kundërshtimi i tyre ndaj Perëndimit gjeopolitik.
Por, duke pasur parasysh këto rreziqe afatgjata për mirëqenien e saj dhe pozitën globale, qëndrimi i Kinës ndaj luftës në Ukrainë mund të ndryshojë fare mirë. Në fund të fundit, një ndërprerje e qëndrueshme në tregtinë botërore dhe çmimet e naftës mbi 200 dollarë për fuçi do të përbënte një problem të madh për një regjim, fuqia e të cilit mbështetet kryesisht në aftësinë e tij për të ofruar rritje të qëndrueshme të GDP-së për qytetarët e tij, veçanërisht për qindra miliona që mbeten të zhytur në varfëri.
Liderët politikë evropianë dhe amerikanë duhet të ndjekin një dialog më të ngushtë me Kinën për këto çështje. Për më tepër, ata duhet të pranojnë realitetin ekonomik: domethënë, se nuk do të ketë shkëputje nga Kina. Përkundrazi, marrëdhënia e Perëndimit me Kinën do të shfaqë konfrontime të pashmangshme mbi të drejtat e njeriut dhe Tajvanin; konkurrencë në fushën e biznesit dhe teknologjisë; dhe bashkëpunim për sfidat kryesore globale si ndryshimet klimatike dhe sigurimi i paqes.
Sigurisht, nëse Kina do të ndërhynte dhe do të ndërmjetësonte negociatat që çojnë në një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, ajo mund të mburret me një nga sukseset e saj më të mëdha politike që nga themelimi i Republikës Popullore. Por Kina nuk ka gjasa të marrë rolin e një ndërmjetësi aktiv nëse suksesi nuk duket i sigurt. Prandaj, ne duhet të presim që vendi të mbetet mënjanë – të paktën tani për tani.
FORCË PËRMES FATKEQËSIVE
Së fundi, disa fjalë për Evropën: 80 vjet pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, historia është rikthyer në kontinent me një hakmarrje. Pavarësisht tronditjes fillestare të pushtimit rus, Evropa është treguar e vendosur dhe e aftë përballë luftës. Tani duket qartë se BE-ja do të dalë shumë më e fortë nga kjo krizë. Pavarësisht të gjitha tensioneve brenda Bashkimit, lufta në Ukrainë dhe sfida e Putinit ndaj rendit të bazuar në rregulla i kanë afruar evropianët më shumë së bashku. Edhe marrëdhëniet me Britaninë po përmirësohen sërish.
Ashtu si me luftën kundër pandemisë, BE-ja do të veprojë për të miratuar një nismë të dytë, të financuar bashkërisht për të ndihmuar ekonomitë më të dobëta të vendeve anëtare të përballojnë stuhinë. Qeveritë e BE-së po bashkohen gjithashtu për çështjen kritike të një politike të përbashkët të mbrojtjes. Edhe fluksi i papritur dhe i madh i refugjatëve duket se nuk ka gjasa t’i ndajë evropianët siç ndodhi në vitin 2015.
E gjithë kjo tregon se demokracitë nuk janë të pafuqishme përballë sfiduesve autokratikë. Nëse besojnë në forcën e tyre dhe përqafojnë diversitetin e tyre, ata do të jenë të pozicionuar mirë jo vetëm për t’i mbijetuar dekadës së ardhshme të mungesës së paqes, por edhe për të dalë më të fortë. Demokracitë perëndimore kanë pasur sukses në beteja të tilla edhe më parë. Ata munden dhe duhet ta bëjnë përsëri.
Marrë nga Project Syndicate, përkthyer nga BIRN