Në Shqipëri mund të ketë hyrë një variant tjetër i C OVID19.
Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një nënvariant të Omicron, i quajtur BA.2, i cili është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht ato europiane.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu tha se për shkak të këtij nënvarianti, ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Duke u shprehur se situata po monitorohet në dinamikë, Manastirliu bëri se po vlerësohen mostrat për identifikimin e variantit të ri të Omicron, BA.2.
“Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Por sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në ISHP, për t’i çuar në laboratorët e referencës.
“Kemi vendosur me Komitetin Teknik të Ekspertëve që të kemi një rivlerësim mbi baza periodike të procesit të vaksinimit tek të rinjtë dhe në zona të caktuara, për të pasur edhe një plan të mirëfilltë derë më derë, tashmë edhe me zona ku ka një qasje më sfiduese ndaj këtij procesi, për të rritur mbulesën vaksinale. Sepse e dimë shumë mirë që vaksinimi është një sfidë në vetvete. Nuk është një proces i lehtë që mund të bëhet thjesht me një apel publik, por duhet shkuar derë më derë. Duhet bindur çdo qytetar për rëndësinë e vaksinimit”, theksoi Manastirliu.
Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino apeloi për rëndësinë e vaksinimit anticovid, si mbrojtje për të gjitha variantet e Covid-19.
“Kemi dërguar mostrat nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve Europiane në laboratorët e referencës në Gjermani dhe po presim përgjigjiet. brenda 10 ditëve përgjigjia vjen dhe ne do të kemi një rikonfirmim të dyshimeve apo të varianteve që ne shikojmë të qarkullojnë. Ajo që doja të theksoja është që vaksinimi vlen për të gjithë variantet”, tha Bino.