Është shoqëruar me debate A2 Business në studion e A2 CNN me gazetaren Aurora Sulçe, në lidhje me rritjen e çmimit të naftës mes zëvendësministrit të energjisë dhe Infrastrukturës Ëngjëll Bejtja dhe të ftuarve të tjerë Maksim Caslli, Gjergj Erebara, Granit Sokolaj dhe Vjoldi Danaj.
Sokolaj dhe Danaj ndanë mendimin se ka njehsim dhe marrëveshje të fshehtë të kompanive për rritjen e çmimit të naftës. Sipas Sokolajt konsumatorët janë të pambrojtur se ligji me të cilin funksionon Autoriteti i Konkurrencës nuk përmend në asnjë moment mbrojtjen e konsumatorit
“Ka njehsim të çmimeve. Autoriteti i Konkurrencës duhet të hetojë, ne i kemi dërguar një shkresë dhe thotë që ka nisur hetimi në 25 shkurt dhe deri sot nuk ka asnjë raport dhe i kërkuam që ta lidhë me mbrojtjen e konsumatorit. Ligji me të cilin funksionon Autoritet i Konkurrencës nuk përmend në asnjë moment mbrojtjen e konsumatorit janë të pambrojtur në të gjitha mënyrat e mundshme jo vetëm me karburantet, por edhe çmimet e tjera”.
Për ekspertin e ekonomisë Vjoldi Danaj 35% e çmimit aktual të naftës është i abuzuar. Sipas tij shteti duhet të bëjë rregullatorin.
“Të bëhet një hetim i plotë se abuzimet janë shumë të mëdha 35% e çmimit aktual të naftës është i abuzuar. Kompanitë importuese kanë bërë marrëveshje të fshehtë sikur kemi vetëm një furnitor, shteti ka rolin e rregullatorit”.
Por akuzat për marrëveshje të fshehtë zëvendës ministri Bejtja iu përgjigj duke thënë se nafta blihet në bursë dhe prandaj është i njëjtin çmim.
Ndërkohë për kryeredaktorin e BIRN Gjergj Erebara, rritja abuzive e çmimeve është abuzive në një kohë që çmimi në bursë është 120 lekë dhe në botë nuk është në nivele të larta por të ngjashme me ato të 2008-ës. Sipas tij kjo vjen për shkak të taksave që qeveria ka vënë në kurriz shqiptarëve.
“Ajo që ka shkelje është që në rast se kompanitë e importuese janë shumë pak disa kanë fuqi dominuese dhe kjo shoqërohet me rritje abuzive çmimesh, duhet të hetohet dhe është hetuar disa herë dhe qeveria nuk mund të thotë që nuk ka gjë në dorë, se ka e ka bërë partizan Autoritetin e Konkurrencës, është një socialist në krye të AK, është një institucion tërësisht totalisht i varur jo nga qeveria dhe parlamenti, por nga partia. Ky është fakt. Aktualisht çmimi i naftës 290 lekë, në bursë është 120 lekë për litër dhe diferenca 170 lekë është taksa dhe fitimi i kompanive private. Si shpjegohet që Shqipëria mbërriti në këtë pikë kur e ka më të lartin në kontinent, ndërkohë që në botë nuk është në nivelet më të larta historike. Nnë 2008 ishte në këto kuota si sot dhe atëherë ishte 180 për litër dhe kjo diferenca nga 2008 e deri më sot nuk është veçse taksa shtesë që qeveria i ka vënë në kurriz shqiptarëve”.
Por për Bejtjen taksa e qeverisë është e njëjtë me atë të para 10 viteve dhe është 67-68 lekë bashkë me markimin.
“Taksa jonë si para 10 vjetëve është 67-68 lekë bashkë me markimin brenda. Barra fiskale nuk ndryshon. TVSH nuk është për mallin por për konsumin. Autoriteti i Konkurrencës është i varur nga parlamenti”.
Për ekspertin Zef Preçi duhet vullnet politik që shteti të ndërhyjë dhe të rishikohen taksat.
“Ndërhyrja kërkon vullnet politik për ndërhyrje në shtet një numër taksash duhet të rishikohen nuk kemi arsye të vazhdojmë me kokëfortësi e arrogancë kur dihet sa të dobët i kemi institucionet rregullatorë”.
Për Maksim Casllin ky rritje e çmimit të naftës është e paprecedentë dhe duhet që qeveria të dnërhyjë urgjentisht.
”Rritje a paprecedentë dhe do të ketë efektet më të mëdha. E gjithë bota po ndërhyn edhe ne duhet të ndërhyjmë”.A2