Nga Aurora Sulçe
Ndërsa vaksina është konsideruar si antidoti për t’u mbrojtur nga COVID 19, shqiptarët janë ndër popujt me nivelin më të ulët të vaksinimit në Europë. Ky është përfundimi i raportit “Monitorimi i Buxhetit të Shtetit për Shëndetësisë Janar-Gusht 2021” publikuar nga Together for Life dhe mbështetur nga Fondacioni Westminster për Demokraci. Dokumenti evidenton se deri në 30 shtator 2021 ishin dhënë 1.732.549 doza të vaksinës ndaj COVID19. Shifër që tregon se vetëm 33% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë vaksine.Për të njëjtën periudhë kohore, vendet e tjera të rajonit kishin një nivel më të lartë vaksinimi. Kështu, Kosova kishte vaksinuar me dy doza 37% të popullsisë; Maqedonia e Veriut 35% të popullsisë dhe Serbia kishte vaksinuar 42% të popullsisë me dy doza.
Në buxhetin e shtetit, zëri për vaksinimin ndaj koronavirusit u zbatua për herë të parë në vitin 2021, në kuadër të programit për vaksinimin kundër COVID-19, me një fond total për 8 mujorin prej 2.8 miliardë lekë (22.7 milionë Euro).
Por sipas raportit të Together for Life, Shqipëria mbetet ndër të fundit në Evropë sa i përket vaksinimit përgjatë gjithë vitit 2021, në raport me popullatën, pavarësisht angazhimit të qeverisë me sigurimin e 2.6 milionë dozave të vaksinave dhe vendimit për dhënien e dozës së tretë. Ekspertët shpjegojnë se një ndër arsyet është edhe niveli i lartë i skepticizmit ndaj përdorimit të vaksinave. Raporti vlerëson se ky skepticizëm mund të jetë i lidhur edhe me efikasitetin e ulët të vaksinave kineze, me të cilat është vaksinuar pjesa më e madhe e popullsisë.
“Ka një skepticizëm shumë të madh sa i takon vaksinimit dhe besoj se vjen për shkak të miteve dhe të pavërtetave që qarkullojnë per vaksinat. Duket se Ministria e Shëndetësisë pavarësisht përpjekjeve për të informuar njerëzit dhe për të krijuar një frymë besimi pro vaksinimit, nuk ja ka dalë mjaftueshëm. Mund të ishte kërkuar për qasje të reja ndaj qytetarëve, mund të ishte riparë Strategjia e Informimit”, shpjegon Denisa Canameti, përfaqësuese e Together for Life.
Ndërkohë mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti rendit disa faktorë, që sipas tij kanë kushtëzuar një nivel të tillë të ulët të vaksinimit të shqiptarëve ndaj COVID 19. “Së pari, ne nuk e dimë sesa kemi realisht të vaksinuar, pasi përllogaritja bëhet me njerëzit që pretendohet se janë në Shqipëri, ndërsa janë të shumtë ata që kanë emigruar. Ne nuk kemi informacion se çfarë ndodh me ata që kanë emigruar. Ne i përbëjmë përllogaritjet e nivelit të vaksinimit në raport me popullsinë sipas Censusittë vitit 2001. 11 vite më pas ne nuk e dimë sesi është realisht situata. Sot një përqindje e madhe e popullatës që ka emigruar dhe që janë vaksinuar’’.
Një element i dytë është që e gjithë Evropa Lindore është dobët me vaksinimin dhe një nga arsyet është mungesa e besimit tek institucionet përkatëse dhe këtu përfshihen vende që janë pjesë e Bashkimit Europian dhe të tjera që nuk janë pjesë. Plus ka një tendencë të madhe që t”u besohet teorive konspirative në lidhje me vaksinimin.
“Elementi i tretë është që vaksinat që janë futur në Shqipëri nuk janë të njëjtat me ato që janë futur në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, kur zbret në popullatë, ka një përqindje të madhe të njerëzve që mendojnë se vaksinat janë: ose të rrezikshme ose janë jo efikase.
Një tjetër element që vlen të përmendet është se në Shqipëri ka munguar një strategji ndërgjegjësimi që të informojë mbi vaksinat, është lënë ndërgjegjësimi vetëm në daljet publike. Duhen përdorur të gjithë elementët për të ndërgjegjësuar popullatën që të vaksinohet, si në fushatë elektorale. Madje, duhen përfshirë edhe incentivat ekonomikë.
Problem në Shqipëri është edhe fakti se kushdo mund të bëhet pjesë e teorive konspirative dhe të flasë për vaksinat. Në Kosovë, psh kjo nuk ndodh. Në finale të gjithë këta element lidhen me mungesa të shtetit, që duhet të ketë instrumentet e vet kontrollues”, shprehet Alimehmeti.
Mjeku epidemiolog shpjegon se një tjetër arsye që i bën shqiptarët skeptikë ndaj vaksinimit është edhe mungesa e të dhënave lidhur me efektivitetin e vaksinave. “Në Shqipëri ka mungesë informacioni dhe mungesë studimi lidhur me situatën dhe efektivitetin e vaksinave. Këto studime që janë konkrete, me shifra që flasin fort, tek ne mungojnë. Nuk kemi asgjë raport mbi efektivitetin e vaksinave. Ne e gjejmë këtë vetëm tek raportet e huaja. Nëse si shtet nuk je transparent në këtë fakt, atëherë unë nuk të besoj dhe besoj se fsheh dicka lidhur me vaksinat”, shpjegon Alimehmeti.
Mungesa e të dhënave lidhur me situatën e shkaktuar nga COVID 19 dhe vaksinimet shihet me shqetësim edhe nga Denisa Canameti, përfaqësuese e Together for Life.
“Institutet Shkencore (Instituti i Shëndetit Publik) dhe të tjera, si Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm nuk kanë publikuar deri më tani asnjë studim rreth sjelljes së virusit në popullsinë shqiptare. Nuk ka të dhëna mbi suverjancën e pandemisë dhe ndikimin në zona dhe grupmosha të caktuara. Si dhe nuk ka asnjë të dhënë lidhur me efektivitetin e vaksinave në popullatë, si ka ndikuar në këto të dhëna të vdekshmërisë. Këto janë të dhëna që mund të dalin vetëm nga institucionet shëndetësore, në këtë rast ISHP”, shprehet Canameti.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se të rinjtë janë ata që refuzojnë më shumë vaksinën, ndërkohë që në shkallë vendi, të moshuarit kanë mbulesën më të madhe vaksinale. Pas tyre, nivel mesatar vaksinimi kanë grup-moshat nga 50 deri në 69 vjeç.
Sa i takon shpërndarjes së mbulesës vaksinale në vend, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shpjegojnë se me ritëm të mirë vlerësohen qytetet si Tirana, Gjirokastra, Mirdita dhe Tropoja, ndërkohë që vazhdojnë të keni ecuri më të ngadaltë vaksinimi Shkodra, Kurbini, Librazhdi dhe Elbasani.
Muajt e fundit ka pasur një përshpjetim të procesit të vaksinimit. Kjo edhe për faktin se vaksinimi u bë i detyrueshëm për studentët dhe administratën. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 17 shkurt të këtij viti janë kryer në total 2.673.183 vaksinime anti COVID, nga të cilat 1,263,745 doza të para; 1,184,292 doza të dyta dhe 225,146 doza të treta.